Adriatic & Ionian Classic Rally / 43 makina klasike mahnitin Shqipërinë

“Adriatic & Ionian Classic Rally” 21-24/5/2010 / Dyzet e tre makina klasike mahnitin Shqipërinë

Automobile Club Albania “ACA” organizoi për herë të parë në Shqipëri eventin “Adriatic & Ionian Cassic Rally” nga data 21 deri në 24 Maj, ku morën pjesë makina klasike nga Greqia, Maqedonia, Bullgaria, Kosova dhe natyrisht Shqipëria. Edhe në parashikimin më optimist nuk mund të imagjinohej suksesi i madh i arritur gjatë katër ditëve të udhëtimit nëpër Shqipëri. Organizimi i përsosur i Automobile Club Albania “ACA” u shpërblye me pjesëmarrjen e 43 makinave të bukura, një numër shumë i kënaqshëm duke marrë parasysh situatën e vështirë ekonomike që rëndon mbi të gjithë këto ditë.

Çfarë është “Adriatik & Ionian Classic Rally”?
“Adriatic & Ionian Classic Rally” është një garë me makina klasike të prodhuara para vitit 1980, që bazohet në testet e rregullsisë. Qëllimi kryesor i eventit ishte promovimi i sportit të automobilizmit përmes promovimit të turizmit në Shqipëri në të njëjtën kohë, argëtimi i pjesëmarrësve dhe sidomos i spektatorëve, të cilët për herë të parë patën mundësinë të ndjekin një aktivitet të tillë në vendin tone. Vështirësia e përmbushjes së kritereve të testit të rregullsisë, udhëtimi ndërmjet peisazheve me bukuri natyrore dhe vizitat në vende me rëndësi historike dhe arkeologjike ishin ndër pikat kulminante të këtij eventi. Nëpërmjet kësaj gare synohej gjithashtu të krijoheshin dhe të forcoheshin lidhjet ndërmjet popujve dhe kulturave të ndryshme.
Klasifikimi përfundimtar nuk bazohej në shpejtësinë maksimale të veturave, por në arritjen e shpejtësisë mesatare të paracaktuar. Shpejtësia mesatare nuk kaloi 50 km/h në rrugë ndërurbane dhe 70 km/h në autostradë. Eventi u zhvillua në kushtet e trafikut të hapur.

Itinerari i garës
Pasi kaluan kufirin në mëngjesin e ditës së Premte, datë 21 Maj, makinat udhëtuan nëpër Shqipëri për t’u mbledhur pas mesdite në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë me rastin e ditës kombëtare të çeljes së sezonit turistik veror 2010, ku u pritën nga kureshtja e publikut dhe nga një performancë spektakolare e bandës së ushtrisë. Në këtë event ndodhej dhe Ministri i Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve Z.Ferdinand Xhaferaj, Presidenti i Automobile Club Albania Z.Niko Leka, personalitete të njohura të artit, sportit, studentë e dashamirës të sportit të automobilizmit. Pas fjalimeve të rastit të mbajtura nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Sporteve të Automobilizmit “FASA” Z. Arian Kapedani, Zv/Ministri i Turizmit Z. Nikollë Lesi dhe nga Sekretari Ekzekutiv i “ACA” Z. Eno Zeneli, në orën 18:00 u bë nisja e makinës së parë me destinacion Durrësin. Pasi mbëritën në Durrës, garuesit patën mundësinë të ndjekin koncertin recital të mbajtur në Amfiteatrin e këtij qyteti për nder të këtij eventi dhe për të celebruar hapjen e sezonit turistik.

Në ditën e dytë, datë 22 Maj, nga ku filloi zyrtarisht itinerari i garës, makinat u nisën nga qyteti i Durrësit pasi u ekspozuan fillimisht në sheshin “Iliria”. Ndalesa e radhës ishte Berati i cili u vizitua me shumë kureshtje nga garuesit e huaj. Pas një ndalese të shkurtër në qytetin 2.400 vjeçar, makinat rinisën garën në drejtim të qytetit bregdetar të Vlorës. Gjatë mbrëmjes makinat u ekspozuan në sheshin pranë portit për kënaqësinë e admiruesve të makinave klasike. Në mbrëmje u bë edhe shpallja e rezultateve të pjesshme të garës.
Në ditën e tretë, datë 23 Maj, gara filloi në Sheshin e Flamurit ku makinat u nisën njëra pas tjetrës në drejtim të Himarës. Gjatë etapës së tretë të garës pjesëmarrësit patën mundësinë të admironin bregdetin e bukur të Jonit. Pas një kontrolli të shkurtër, makinat u nisën sërish në drejtim të Sarandës ku u mbyll etapa e tretë e garës. Pas verifikimeve të rastit, u bë shpallja e rezultateve përfundimtare si dhe një Ceremoni për dhënien e çmimeve. Për të celebruar fituesit dhe përmbylljen me sukses të eventit, në mbrëmje u mbajt edhe një darkë Gala.

Automobile Club Albania “ACA” dëshiron të falenderojë publikisht ekuipazhet që morën pjesë në garë, stafin teknik,marshallët, si dhe stafin organizativ.Ajo falenderon gjithashtu Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe në veçanti Z. Ferdinand Xhaferaj, për bashkëpunimin dhe mbështetjen që na dha për organizimin e këtij eventi. Një falënderim i vecante i shkon forcave të rendit të cilat kanë shoqëruar gjatë gjithë itinerarit me eskortë makinat klasike, si dhe Kryetarëve të Bashkive të Durrësit, Beratit dhe Sarandës për ndihmën dhe pjesëmarrjen e tyre në këtë event.
Së fundmi, Automobile Club Albania “ACA” dëshiron gjithashtu të falenderojë bashkë-organizatorin e këtij eventi, klubin grek Motor Rally Organization Events “M.R.O.E.”.

Foto nga eventi: