Lezha Grand Prix 2008

Kur u nisëm për në Gjadër, një fshat i vogël pranë Lezhës, ishim të bindur për argëtimin që na priste. Njohuritë e pakta mbi këtë vend i kishim vetëm në lidhje me ish-aeroportin ushtarak të sistemit të mëparshëm, por pikërisht kjo pistë që dikur priste aeroplanët ushtarake u bë dëshmitare e një konkurrimi mëse të pazakontë për te: “Lezha Grand Prix 2008”.

Falë objektivit të përbashkët të shtimit të interesit të qytetarëve ndaj makinave dhe sporteve të lidhura me të u arrit një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet “Klubit të Automobilit të Shqipërisë” dhe “Offroad Club Albania” në të cilën përcaktoheshin detyrimet dhe angazhimet për bashkëorganizimin e kësaj gare. Kur arritëm aty, pamë me një habi dhe kënaqësi të pashpjegueshme se pjesëmarrja ishte me të vërtetë e lartë. Pista ishte rrethuar nga një miks flamujsh, garuesish dhe spektatorësh ndërkohë që në rrethinat e saj ishte inskenuar një parkim i tejmbushur me makinat e pjesëmarrësve. Gjithsecili mundohej të shfaqte me sa mundej aftësitë e motorit/makinës së tij para garës, duke shtuar kështu edhe më shumë entuziazmin masiv që kishte pushtuar spektatoret. Më së fundi gara filloi. Ne zumë një vënd të veçantë, ku na mundësohej edhe një pamje më e mirë e garës.

Të parët nisën motorët e kategorisë SuperMoto, të cilët pasi bënë disa xhiro prove nisën garën e kronometruar, për të vazhduar më pas me provat dhe garat e kronometruara në pistë të makinave. Kategoria Road Rally përbëhej nga pesë nënkategori të ndara sipas cilindratës dhe në tërësi merrnin pjesë 44 makina. Në përfundimin e garës u bë një pushim për të mundësuar edhe përgatitjen e cirkuitit për kategoritë Motocross dhe 4×4 Rally. Garuesit u spostuan në pikën e nisjes ndërkohë që spektatoret u zhvendosën drejt vijës së finishit ku prisnin me entuziazëm mbërritjen e makinave. Edhe në këtë cirkuit të parët u nisën motorët, me një interval kohor prej disa sekondash nga njëri-tjetri, të ndjekur më pas nga makinat. Pavarësisht disa mangësive në çështjet e sigurise dhe të organizimit, është për tu vlerësuar nisma e guximshme e OCA dhe duhet thënë se në vija të përgjithshme ky eveniment shkoi mire. Duke marrë parasysh edhe suksesin e këtij bashkëpunimi të parë mes ACA dhe OCA, stafi ynë shpreson në një marrëdhënie të ndërsjelltë sa më frytdhënëse dhe jetëgjatë. Në fund të garave “Klubi i Automobilit të Shqipërisë” shpërndau edhe çmimet dhe trofetë për fituesit e çdo kategorie.