Klubet anëtare të FIA-s, angazhim në Ministerialin Botëror për sigurinë rrugore

0
563

Ministeriali i 3-të Botëror për Sigurinë Rrugore që u zhvillua më 19-20 Shkurt në Stokholm të Suedisë, ishte një mundësi shumë e mirë edhe për FIA-n që të riafirmonte rolin e saj si një avokate kryesore për rrugë më të sigurta dhe të bënte një thirrje për një angazhim maksimal për të reduktuar numrin e vdekjeve në rrugët e botës.

Në këtë konferencë shumë të rëndësishme ndërkombëtare, u përfaqësua edhe Automobile Club Albania nga Presidenti z.Niko Leka dhe anëtari i Bordit, Eno Zeneli. Klubi i Automobilit të Shqipërisë që është anëtar i FIA-s, prej 13 vitesh është i angazhuar në çështjen e sigurisë rrugore duke dhënë kontribut për sa i përket edukimit të brezave të ardhshëm nëpërmjet Konkursit Kombëtar “Të Sigurt mbi Dy Rrota”, fushatave të shumta sensibilizuese, takimeve apo angazhimeve publike të drejtuesve dhe përfaqësuesve të ACA-s.

Ndërkaq, pas dy ditësh diskutime në Ministerialin e 3-të Botëror për Sigurinë Rrugore, Presidenti i FIA-s, Jean Todt, i cili është njëkohësisht edhe i Dërguari Special për Sigurinë Rrugore i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ishte i ftuar që të merrte pjesë në panelin përmbyllës të konferencës botërore. Gjatë fjalës së tij, Todt vuri theksin te suksesi i kësaj konference. “Përfaqësuesit e më shumë se 140 vendeve kanë udhëtuar në Suedi në emër të forcimit të sigurisë rrugore, si edhe për të shfrytëzuar punën e bërë në dekadën e kaluar. Përmes disa shkëmbimeve të ideve inovative dhe të fuqishme, ne kemi udhëtuar drejt së ardhmes, për të planifikuar hartën tonë për vitet e ardhshme”, tha Todt.

Çdo vit, 1.35 milionë njerëz vdesin çdo vit në rrugët e botës, ndërsa Jean Todt e vendosi theksin te sfida për të arritur Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara dhe bëri thirrje për një ndryshim për mënyrën se si duhet të adresohet siguria rrugore në mënyrë që të arrihet një rezultat pozitiv. “Qëllimi ynë është të sigurojmë që sistemet e transportit, pavarësisht se si janë konfiguruar, të jenë të sigurta, të qëndrueshme dhe të barabarta. Për ta bërë këtë, është një gjë që mund dhe duhet ta kemi të gjithë të ngulitur në mendje ndërsa kthehemi në shtëpi: që të gjithë do të angazhohemi ta bëjmë sigurinë, vlerën themelore të asaj se si ne veprojmë në interes të sigurisë rrugore për të gjithë. Duhet të jemi të bindur që siguria është forca shtytëse e evolucionit të lëvizshmërisë dhe transportit”, nënvizoi Todt.

Presidenti i FIA-s përfundoi duke kërkuar nga të gjithë palët e interesuara t’i shndërrojnë angazhimet në veprime konkrete: “Vullneti për të vepruar ekziston, dhe këtë e kemi dëgjuar nga ministrat. Pati një interesim të madh, ku u mobilizuan aktorët dhe u mblodhën mjetet e nevojshme. Sot, ne mund të shtojmë elementin përfundimtar: një angazhim për ta bërë sigurinë, vlerën thelbësore të gjithçka ne bëjmë si qytetarë, ministra, ekspertë të sigurisë rrugore, prodhues dhe konsumatorë kur bëhet fjalë për sistemet tona të lëvizshmërisë”.

Anëtarët e FIA u përfaqësuan në këtë Konferencë me 62 delegatë nga 37 organizata anëtare që përfaqësonin 32 shtete, ndërsa mbështetja e tyre për këtë vizion u shpreh në dëshirën e tyre që pas Konferencës, të ndjekin me qeveritë e tyre përkatëse rekomandimet e dakordësuara dhe të sigurojnë që ato do të zbatohen.

Konferenca Botërore ishte gjithashtu një mundësi perfekte për anëtarët e FIA-s që të mblidheshin së bashku për të ndarë eksperiencën dhe praktikat më të mira. Të martën përpara nisjes zyrtare të Konferencës, përfaqësuesit e FIA-s morën pjesë në një workshop për tu përgatitur për diskutimet e nivelit të lartë që u bënë në ditët më pas.

Pas fjalimeve hapëse të mbajtura nga Presidenti i FIA-s, Jean Todt dhe Kryetari i FIA Foundation, Lord George Robertson, përfaqësuesit e klubeve anëtare të FIA-s, patën mundësinë që të dëgjonin prezantimet e Forumit Ndërkombëtar të FIA-s në rrjetin e FIA-ITF “Rrugë qyteti të sigurta”, të Aleancës Botërore të OJQ-ve për Sigurinë Rrugore me fushatën #CommitToAct dhe të iRap në FIA Star Rating për elementët shkollorë të zhvilluara për Klubet e FIA-s.

Ky takim bëri të mundur që Klubet e FIA-s të bashkoheshin me anëtarët e Panelit të Nivelit të Lartë të FIA-s për Sigurinë Rrugore, me Mark Rosekind, Zyrtarin Kryesor për Inovacionin e Sigurisë në Zoox dhe ish-administrator në Administratën Kombëtare të Sigurisë së Trafikut në Autostrada, i cili foli në lidhje me “të ardhmen e automjeteve të sigurta mes teknologjisë dhe rregullores”.

Gjithashtu, anëtarët e FIA-s patën mundësinë që të dëgjonin Drejtoren e Përgjithshme të Klubit të Automobilit të Suedisë (Riksförbundet M Sverige), Caroline Drabe që shpjegoi rolin e Klubit në ndihmën e dhënë Suedisë që të bëhet një prej shteteve me performancën më të mirë për sa i përket sigurisë rrugore. Gjithashtu, Kryetari i Komisionit të Ekspertëve të Klubit të Automobilit Kungliga, Anders Ydstedt, i cili foli për nevojën urgjente për të trajtuar mungesën e edukimit për sigurinë rrugore mes përdoruesve më të rrezikuar të rrugëve, veçanërisht të rinjve.

Duke inkurajuar anëtarët e FIA-s gjatë Konferencës Botërore, Nënkryetari i FIA-s për Lëvizshmërinë e Automjeteve dhe Turizmin, Thierry Willemarck përfundoi duke thënë se Klubet mund të luajnë një rol vendimtar në kontributin e tyre në krijimin e një kulture të sigurisë rrugore në nivel botëror, kombëtar dhe lokal.

Për të siguruar që ky vizion dhe qasje e re për sigurinë në rrugë të ecë përpara, Presidenti i FIA-s, Jean Todt lançoi librin e tij “​Miliona jetë njerëzish për të shpëtuar në rrugë”, duke e bërë thirrje për një revolucion për sa i përket sigurisë rrugore dhe duke u kërkuar të gjitha palëve të interesuara që të ndërmarrin tani veprime për të pasur më vonë ndryshime rrënjësore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here