Dita Ndërkombëtare e Gruas/ FIA dhe FIM bashkohen për të thyer paragjykimet në motorsport

0
744

Sot më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, organet drejtuese të motorsportit, Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) dhe Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit (FIM) festojnë së bashku botën e barabartë gjinore me një fushatë të përbashkët që prezanton gratë që kanë mundur të thyejnë paragjykimet në motoçiklizëm dhe motorsport.

Të dy federatat FIA dhe FIM janë të përkushtuara prej vitesh për këtë kauzë dhe kanë punuar shumë për të promovuar diversitetin dhe përfshirjen, duke frymëzuar, inkurajuar dhe ndihmuar gratë që të zënë vendin e tyre, si në pistë, ashtu edhe jashtë saj.

FIA dhe FIM do të kryejnë aksione të tjera gjatë vitit, për të demonstruar më tej se gratë kanë vendin e tyre në motorsport dhe për të krijuar mundësi për to në të gjitha fushat e aktiviteteve. Është një angazhim afatgjatë pasi ka ende një rrugë të gjatë përpara, por kjo është vendimtare jo vetëm për sportin tonë, por për shoqërinë në tërësi.

Presidentja e Komisionit të FIA-s, “Femrat në Motorsport”, Deborah Mayer thotë: “Si FIA, ashtu edhe FIM kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në udhëheqjen e motorsportit në një epokë të re të përfshirjes së mëtejshme. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me vendosmëri për të krijuar një rrugë më të mirë dhe më të aksesueshme për vajzat e reja. Talenti nuk ka absolutisht asnjë lidhje me gjininë dhe sporti që synon të bashkojë njerëzit, duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe jo të përjashtojë. Unë mirëpres me shumë kënaqësi partneritetin midis FIA dhe FIM dhe duke bashkuar forcat, ne do të mund të shkojmë më tej në krijimin e mundësive të reja dhe të gjithëpërfshirjes në motorsport. Është thelbësore për mua të promovoj diversitetin, duke u treguar vajzave të reja se motorsporti mund t’u ofrojë atyre shumë mundësi në të gjithë sektorët në mbarë botën”.

Drejtoresha e Komisionit të FIM “Femrat në Motoçiklizëm”, Nita Korhonen, thotë: “Tema e Fushatës së këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Gruas është shumë afër nesh pasi motorsporti është arena e përsosur ku të thyejmë paragjykimet dhe të demonstrojmë se çdo pengesë që mund të kishte ekzistuar në kohët e vjetra nuk duhet të parandalojë askënd që të arrijë ëndrrat e tij. Si FIA ashtu edhe FIM janë të angazhuara kundër çdo lloj diskriminimi dhe sot ne duam të tregojmë së bashku se çdo grua që dëshiron t’i bashkohet motoçiklizmit ose motorsportit është më se e mirëpritur ta bëjë këtë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here