Konferenca e Nivelit të Lartë për Sigurinë Rrugore, Presidenti i Auto Club Albania merr pjesë në diskutim

0
632

Një ditë më parë u zhvillua në Tiranë, Konferenca e Nivelit të Lartë me temë “2020-ta, viti i Sigurisë Rrugore”, në të cilën morën pjesë drejtues të lartë të institucioneve të shtetit shqiptar, përfaqësues të organizatave në vendin tonë dhe jashtë tij.

Në këtë konferencë u përfaqësua edhe Automobile Club Albania me Presidentin e saj, z.Niko Leka dhe me Sekretarin e Përgjithshëm, Eridon Lameborshi.

Z.Leka ishte një prej pjesëmarrësve në panel që diskutoi në lidhje me masat që duhet të merren në vendin tonë për të ulur sa më shumë numrin e vdekjeve në aksidentet rrugore. Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Auto Club Albania iu referua edhe statistikave të aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen në Francë. “Në 1973-in, në Francë u sanksionua kufizimi i shpejtësisë dhe rripi i sigurimit i detyrueshëm. Këtu ka nisur edhe rënia e numrit të vdekurve nga aksidentet rrugore nga 16.000 që ishte në një vit, në 3.000 deri në 2013-ën, ndërsa kurba është në rënie të vazhdueshme. Në këtë prezantim shihet se si ndryshimi i legjislacionit dhe teknologjisë, kanë ndikuar në uljen e njerëzve që humbasin jetën në aksidentet rrugore. Elementët kryesorë që ndikojnë në uljen e fataliteteve në aksidentet në rrugë janë zbatimi i ligjit, futja e legjislacionit të ri, ndalimi i alkoolit dhe mënyra e kontrollit”, tha ndër të tjera z.Leka në diskutimin e tij.

Gjithashtu, Presidenti i ACA-s foli edhe për masat e nevojshme për uljen e numrit të makinave të vjetra në vendin tonë duke sjellë disa shembuj nga jashtë. “Suedia e kishte vendosur në legjislacion që në 2030-ën, nuk do të lejohen më makina të vjetra më shumë se 15 vjet. Ne jemi akoma në vendet ku ka shumë makina të vjetra. Gjithashtu, edhe vende të Afrikës si Maroku apo të tjera kanë ulur moshën e makinave të lejuara në territoret e tyre, çka do të thotë se kanë nisur të bëhen sensitive në lidhje me këtë çështje”, tha z.Leka.

Auto Club Albania e krijuar në Mars 2007 me iniciativë vullnetare të Presidentit, z.Niko Leka, është anëtare e FIA-s. ACA është një prej organizatave jo-qeveritare shumë aktive në Shqipërisë për sa i përket sigurisë rrugore. Aktivitete të ndryshme, fushata sensibilizuese, konferenca dhe takime të shumta janë gjithmonë në axhendën e ACA-s që synon të japë kontribut maksimal në reduktimin e aksidenteve rrugore në vendin tonë dhe edukimin e brezave të ardhshëm me rregullat e qarkullimit rrugor.

Në video mund të ndiqni pjesë nga diskutimi i z.Leka gjatë Konferencës së Nivelit të Lartë për Sigurinë Rrugore që u zhvillua më 27 Shkurt në Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here