“Të Sigurt mbi Dy Rrota”, Konkursi i Auto Club Albania në Konferencën e Nivelit të Lartë për Sigurinë Rrugore

0
629

Automobile Club Albania mori pjesë në datën 27 Shkurt 2020 në Konferencën e Nivelit të Lartë me temë “2020-ta, viti i Sigurisë Rrugore” duke u përfaqësuar nga Presidenti z.Niko Leka dhe nga Sekretari i Përgjithshëm, z.Eridon Lameborshi. Në këtë konferencë të rëndësishme morën pjesë Ministri i Brendshëm, z.Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z.Ardi Veliu, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj.Belinda Balluku, Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, z.Blendi Gonxhe, përfaqësues të shoqatave dhe organizatave të ndryshme në vendin tonë si edhe përfaqësues nga jashtë.

2020-ta është shpallur si viti i Sigurisë Rrugore në Shqipëri, ndërsa në mesin e muajit Shkurt 2020 u zhvillua në Stokholm të Suedisë, Ministeriali i 3-të Botëror për Sigurinë Rrugore. Në këtë konferencë shumë të rëndësishme ndërkombëtare u përfaqësua edhe Auto Club Albania me Presidentin e saj, z.Niko Leka dhe anëtarin e Bordit, Eno Zeneli.

Ndërkaq, gjatë konferencës së datës 27 Shkurt që u mbajt në Tiranë, Presidenti i ACA-s, z.Leka foli përpara pjesëmarrësve në lidhje me sfidat dhe angazhimet e Klubit të Automobilit të Shqipërisë për sigurinë në rrugë. Një prej iniciativave të para të Auto Club Albania në Shqipëri ishte Konkursi Kombëtar “Të Sigurt mbi Dy Rrota”. Konkursi nisi në 2011-ën në vetëm pesë shkolla në Tiranë, ndërsa janë zhvilluar nëntë edicione dhe është shtrirë në 11 qytete me pjesëmarrjen e 2020 fëmijëve të moshës 10-12 vjeç. Synimi është edukimi i fëmijëve me rregullat e qarkullimit duke e bërë këtë nëpërmjet ushtrimeve praktike me biçikletë. Në video mund të ndiqni pjesë nga fjala e z.Leka gjatë konferencës për Sigurinë Rrugore që u mbajt në hotel “Tirana Internacional” në kryeqytet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here