FIA Rally Star, një shans i artë për të rinjtë që duan të bëhen pilotë

0
531

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit ka lançuar pak ditë më parë një program botëror të quajtur “FIA Rally Star”, i cili synon zbulimin, trajnimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të pilotëve të rinj. Pilotët e rinj të moshës ndërmjet 17 dhe 25 vjeç, do të pikasen nga Autoritetet Kombëtare Sportive dhe do të jenë në gjendje që të futen në Kampionatin Botëror të Rally, duke përfituar nga një program i krijuar nga FIA dhe partnerët e saj.

Në zemër të strategjisë së FIA-s është zhvillimi i rally-it nëpër botë dhe FIA Rally Star synon të inkurajojë krijimin e një gjenerate të re pilotësh dhe të identifikojë ata që kanë potencialin më të madh për të bërë një karrierë profesionale. Programi financohet nga Fondi i Inovacionit të FIA-s (FIF), që synon të mbështesë iniciativat e reja dhe me një impakt të lartë që gjenerojnë përfitime të qëndrueshme për komunitetin e FIA-s.

Në bazë të piramidës, 144 Autoritetet Kombëtare Sportive anëtare të FIA-s, do të inkurajohen që të organizojnë fushata zbulimi te djemtë dhe vajzat e reja që janë mes moshës 17 dhe 25 vjeç. Në mënyrë që këto seleksionime të bëhen të aksesueshme për sa më shumë njerëz që të jetë e mundur, dy disiplina themelore do të përbëjnë strukturën e këtyre fushatave:

-Digital Motorsport, duke përdorur simulatorë dhe video-lojëra nga partneri i FIA Rally Star;

-Motorkhana, që përfshin drejtimin e një automjeti në një pistë ku janë krijuar ushtrime të ndryshme manovrimi me piketa.

Gjithashtu, Autoritetet Kombëtare Sportive (ASN-të) mund të përdorin edhe metodat e tyre të tjera për të zbuluar talentet e rinj.

Faza e dytë e programit do të jetë një tur prej gjashtë finalesh kontinentale të organizuara nga FIA, në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, Afrikë, Azi dhe Paqësor, Amerikën e Jugut dhe Amerikën e Veriut. Kandidatët e përzgjedhur nga Autoritetet Kombëtare Sportive, do të garojnë me makinë XC Cross Cars dhe ai që fiton duke regjistruar kohën më të mirë, do të fitojë një prej shtatë vendeve që janë përcaktuar: një për kontinent dhe një për piloten femër më të mirë në botë.

Më pas, ky grup prej shtatë pilotësh të rinj, do të përfitojë nga një sezon intensiv trajnimi që përfshin trajnimin personal, seanca testimi dhe minimalisht, pjesëmarrje në gjashtë evente rally me makinat Rally3. Ky program zhvillimi do të zbulojë katër pilotët më premtues, që përfshin gjithashtu edhe një pilote femër, të cilët do ti bashkohen më pas Kampionatit Botëror Rally FIA Junior.

Gjatë dy sezoneve të ardhshme, këta yje të së ardhmes, do të duhet të tregojnë që mund të konkurrojnë për të fitore dhe më pas për titull, ndërsa një sezon i plotë në FIA WRC 3 do të jetë shpërblimi i fundit për një pilot të FIA Rally Star që fiton kampionatin.

Programi FIA Rally Star që është inovativ dhe me ndikim të gjerë, do të mbështetet nga ambasadorët dhe partnerët tashmë të njohur në botën e rally-it. Lançimi zyrtar është vendosur të bëhet në mes të Qershorit 2020 gjatë Konferencës Sportive të FIA-s në Tailandë. Dhe më pas, Autoritetet Kombëtare Sportive do të kenë mundësi të vendosin për seleksionimin e parë.

Presidenti i FIA-s, Jean Todt deklaroi: “Kur ne flasim për zbulimin e pilotëve të rally-it, padyshim që mendojmë për Rallye Jeunes, që i mundësoi Federatës Franceze të Sporteve të Automobilizmit (FFSA) të identifikonte potencialin e Sébastien Loeb dhe Sébastien Ogier me suksesin që ne e njohim. Falë mbështetjes së Fondit Inovativ të FIA-s, ne po fillojmë një program shumë ambicion dhe inovativ, duke ia vënë në dispozicion 144 ASN-ve tona për shpërndarjen dhe përforcimin në të gjithë botën. FIA Rally Star është një mundësi shumë e mirë për ata që ëndërrojnë të bëhen pilotë rally”.

Drejtori i FIA-s, Yves Matton tha: “Në një kohë kur Kampionati Botëror Rally po kërkon për territore të reja, FIA Rally Star do të inkurajojë zbulimin e një gjenerate të re pilotësh. Duke përdorur disiplinat themelore siç janë Digital Motorsport dhe Motorkhana, ne do të jemi në gjendje që ti japim shansin e tyre të rinjve entuziast. Më premtuesit do të përfitojnë nga një program zhvillimi i përshtatur, ndërsa në fund do të kenë mundësinë që ti bashkohen WRC. Me FIA Rally Star, ne shpresojmë që të gjejmë një kampion bote të ardhshëm, kudo që të jenë, kushdo qoftë, ai ose ajo”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here