Vendimi i fundit/ FIA unifikon standardet për makinat e disiplinës Drifting

0
585

Gjatë mbledhjes së fundit në datën 6 mars 2020, Këshillit Botëror i FIA-s për Motorsportin, miratoi për herë të parë standardet e përbashkëta të automjeteve që do të përdoren për Drifting, duke përfaqësuar një moment historik në rritjen e profesionalizmit në këtë disiplinë.

Pas një propozimi nga Komisioni i Drifting i FIA-s, standardet e reja të quajtura “DC1”, kanë të bëjnë me klasat profesionale të këtij sporti, dhe janë hartuar në bashkëpunim me ekspertët e industrisë lider në botë për sa i përket garave drift. Deri më tani, nuk ka ekzistuar asnjë standard i përgjithshëm për makinat e drifting, dhe në çdo event apo ngjarje, Autoritetet Sportive Kombëtare zbatonin rregulloret e tyre. Këto standarde të reja do t’i lejojnë skuadrave të ndërtojnë një grup rregullash të përbashkëta që mund të miratohen në të gjithë botën, duke e bërë kështu më të lehtë për konkurrentët të përdorin të njëjtën makinë në shumë evente, duke bërë të mundur që sporti të rritet edhe më tej.

Sipas Presidentit të Komisionit të Drifting të FIA-s, Akira Iida, rregulloret janë diçka që kanë qenë shumë të nevojshme prej një kohe të gjatë.

“Deri më tani, konkurrentëve u është dashur të zgjedhin një event dhe të ndërtojnë një makinë për atë rregullore, pa e ditur nëse ajo makinë mund të përdoret në një garë tjetër”.

“Sporti ynë është ende duke u zhvilluar dhe shumica e konkurrentëve thjesht nuk kanë buxhet për të ndërtuar disa makina të ndryshme për të garuar në kampionate të ndryshme. Këto standarde të përbashkëta, duhet të thjeshtojnë shumë procesin si për konkurrentët ashtu edhe për garat në të cilat futen. Kjo është vetëm masa e parë e një numri masash të tjera që Komisioni i Drifting planifikon të prezantojë për të zgjeruar më tej këtë sport”, tha Lida.

Gjatë krijimit të këtyre rregulloreve të reja, FIA ka bërë një përpjekje maksimale për të ruajtur frymën unike të disiplinës drifting.

“Drifting është ndryshe nga shumica e disiplinave të tjera të motorsportit dhe kërkon një qasje unike”, thotë Drejtori Teknik i FIA-s, Gilles Simon.

“Ne jemi përpjekur të ruajmë të gjithë elementët që e bëjnë këtë një sport emocionues dhe tërheqës për pilotët dhe tifozët, ashtu si edhe është ruajtur konfigurimi i motorit dhe prodhimi i energjisë, të cilat të dyja do të lihen të hapura për konkurrentët për ta përcaktuar. Përveç kësaj, ne kemi kontribuar me ekspertizën tonë atje ku kërkohet më shumë, duke përmirësuar sigurinë e makinave duke futur standardet e FIA-s ​​te të gjithë”.

Simon përfundon duke përsëritur se qëllimi i rregulloreve të reja është të ngrenë të gjitha makinat aktuale Pro Class në të njëjtin nivel.

“Unë besoj se shumica e makinave të nivelit të lartë që ekzistojnë aktualisht, do të zbulojnë se ato tashmë mund të përputhen me modifikime minimale ose pa ndryshime, por këto nuk janë makinat që ne kemi në targetin tonë. Përveç kësaj, qëllimi ynë është që të ngremë standardin e makinave të tjera për të siguruar nivele të qëndrueshme të sigurisë”, deklaroi Simon.

Ndërsa rregulloret “DC1” kanë për qëllim Klasat Profesionale të kësaj disipline, ndërsa gjatë vitit të ardhshëm, Komisioni i Drifting dhe departamenti teknik i FIA-s do të vazhdojnë të punojnë së bashku për rregullore të ngjashme si për Klasat Gjysmë-profesionale ashtu edhe ato Amatore, si dhe duke përfunduar piramidën e drifting.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here