Vazhdon revolucioni në Formula 1, zero emetime karboni nga makinat në 2030-ën

0
651

Duket se ka ardhur momenti për ndryshime të rëndësishme dhe rrënjësore në Formula 1. Pas miratimit dhe publikimit të paketës së re të rregulloreve që do të hyjnë në fuqi nga viti 2021, Formula 1 ka njoftuar dy ditë më parë një plan ambicioz dhe të qëndrueshëm për të pasur zero emetime karboni deri në vitin 2030.

Kjo iniciativë përfshin makinat e Formula 1, aktivitetet në pistë dhe pjesën tjetër të operacioneve si sport.

Plani është gati pas një pune intensive 12-mujore të FIA-s, ekspertëve të qëndrueshmërisë, skuadrave të Formula 1, promotorëve dhe partnerëve, duke rezultuar në një plan ambicioz, por për momentin ende i paarritshëm.

Projektet e reduktimit të karbonit do të nisin menjëherë për ti dhënë start një epoke për të pasur një sport më të qëndrueshëm.

Formula 1 ka qenë në ballë të zhvillimeve teknologjike përgjatë historisë së saj, me risi nga të cilat ka përfituar drejtpërdrejt industria e gjerë e automobilave. Risitë aerodinamike, zhvillimet e sigurisë, sistemet e rikuperimit të energjisë, mjetet e navigimit dhe materialet e përbëra nga Formula 1, janë adoptuar nga makinat e zakonshme të rrugës dhe industritë e tjera.

“Në nisjen e strategjisë së parë të qëndrueshme të Formula 1, ne njohim rolin kritik që të gjitha organizatat mund të luajnë në trajtimin e kësaj çështje globale”, deklaroi Drejtori Ekzekutiv i Formula 1, Chase Carey.

Fakti i të qenit në pararojë të risive të automjeteve, i jep Formula 1 një platformë globale për të përshpejtuar përparimin dhe për të zhvilluar teknologji që zvogëlojnë dhe eliminojnë emetimet e karbonit nga motori aktual me djegie të brendshme (ICE). Motori hibrid do të luajë një rol kyç në të ardhmen e industrisë së automobilave.

Motori aktual hibrid i F1 prodhon më shumë fuqi duke përdorur më pak karburant se çdo makinë tjetër, e kombinuar me karburante të qëndrueshme të avancuara dhe sisteme rikuperimi energjie. Kjo paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për të pasur një motor hibrid me zero emetime karboni. Me më shumë se 1 bilion nga 1.1 bilion automjete në të gjithë botën që kanë një motor të ICE, është mundësia për të reduktuar emetimet e karbonit në nivel global.

Përveç planeve për të eleminuar gjurmët e karbonit në makinat e F1 dhe aktivitetet në pistë, iniciativat përfshijnë veprime për të siguruar lëvizjet e F1 drejt një udhëtimi ultra eficent dhe zyra, fabrika dhe objekte me energji të rinovueshme 100%.

“FIA e mirëpret këtë iniciativë të Formula 1. Kjo nuk është vetëm një iniciativë inkurajuese për të ardhmen e motorsportit, por mund të ketë përfitime të rëndësishme për shoqërinë në tërësi”, tha Presidenti i FIA-s, Jean Todt.

Deri në vitin 2025, F1 gjithashtu do të sigurojë që të gjitha eventet të jenë të qëndrueshme. Kjo do të thotë përdorim të materialeve të qëndrueshëm në të gjitha eventet, ndërsa pajisjet plastike me një përdorim, do të eliminohen. Gjithashtu, të gjitha mbeturinat e ripërdorura, do të riciklohen ose zhduken. Për më tepër, F1 do të sigurojë stimuj dhe mjete për ti ofruar çdo fansi një mënyrë më të gjelbër për të arritur te gara si edhe për të siguruar cirkuite dhe lehtësira që të përmirësojnë mirëqenien e tifozëve me natyrën. Gjithashtu, synon që të ofrojë mundësi për njerëzit e zonave dhe bizneset që të përfshihen më shumë në aksion gjatë një fundjave garash të Formula 1.

Dorëzimi i planit do të përfshijë punën e Formula 1 me atë të FIA-s, dhe të gjithë partnerëve, promotorëve, sponsorëve dhe skuadrave. Në këtë mënyrë do të nisë puna që tashmë shumë prej tyre po bëjnë në çështjen e qëndrueshmërisë.

Plani do të përcaktohet në detaje në faqen zyrtare të korporatës së Formula 1: https://corp.formula1.com/

Presidenti i FIA-s, Jean Todt deklaron:

“Angazhimi ynë për mbrojtjen e mjedisit global është thelbësor. FIA mirëpret këtë iniciativë të Formula 1. Nuk është vetëm një iniciativë inkurajuese për të ardhmen e motorsportit, por gjithashtu mund të ketë përfitime të rëndësishme për shoqërinë në tërësi.

“Kjo strategji është në përputhje me iniciativat e nisura disa vjet më parë nga FIA me krijimin e Programit të Akreditimit Mjedisor, së fundmi me Komisionin e Mjedisit dhe Qëndrueshmërisë së FIA-s, dhe kërkimet mbi karburantet e rinovueshme të garave. Për më tepër, në vitin 2014 kemi prezantuar motorin hibrid në Formula 1, i cili ishte thelbësor për zhvillimin e kategorisë më të lartë të motorsportit.

“Është e njëjta arsye që na shtyu të ruajmë këtë filozofi brenda kornizës së rregulloreve të Formula 1 që do të nisin të zbatohen nga viti 2021. Me përfshirjen e ekipeve, pilotëve, palëve të shumta të interesuara të F1, dhe në mënyrë thelbësore miliona tifozëve në të gjithë botën, FIA dhe Formula 1 janë angazhuar për drejtimin, zhvillimit dhe sigurimin e rritjes së motorsportit si një laborator për risitë e dobishme për mjedisin”.

Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv i Formula 1, Chase Carey thotë:

“Gjatë historisë së saj 70-vjeçare, F1 ka qenë pioniere e teknologjisë dhe risive të shumta që kanë kontribuar pozitivisht në shoqëri dhe kanë ndihmuar në luftimin e emetimeve të karbonit. Nga aerodinamika tokësore deri tek modelet e përmirësuara të frenave, përparim i udhëhequr nga ekipet e F1 që kanë përfituar qindra miliona makina që janë sot në rrugë.

“Pak njerëz e dinë që motori aktual hibrid në F1 është më i efektshmi në botë, duke ofruar më shumë fuqi duke përdorur më pak karburant dhe CO2 se çdo makinë tjetër. Ne besojmë se F1 mund të vazhdojë të jetë lider për industrinë e automjeteve dhe të punojë me sektorin e energjisë dhe automobilizmit për të ofruar motorin e parë hibrid me djegie të brendshme me zero emetime karboni, gjë që do të zvogëlojë jashtëzakonisht shumë emetimet e karbonit në të gjithë botën.

“Në nisjen e strategjisë së parë të qëndrueshmërisë së F1, ne e pranojmë rolin deçiziv që duhet të luajnë të gjitha organizatat në trajtimin e kësaj çështje globale. Duke shfrytëzuar talentin, pasionin dhe iniciativën për zhvillim që kanë të gjithë anëtarët e komunitetit të F1, shpresojmë të krijojmë një ndikim të rëndësishëm pozitiv në mjedisin dhe komunitetet në të cilat veprojmë. Veprimet që ne po vendosim nga sot, do të zvogëlojnë gjurmën tonë të karbonit dhe do të sigurojmë që të ketë zero emetime karboni deri në vitin 2030”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here