Shtyhet Kampionati Botëror FIA Motorsport Games ku merr pjesë edhe Shqipëria

0
553

(Në foto) Dy pilotët e rinj shqiptarë, Alexia Karaguni dhe Kristofor Mjeshtri me flamurin shqiptar në edicionin e parë të FIA Motorsport Games që u zhvillua në 2019 në Romë

Për shkak të pandemisë Covid-19 që ka prekur aktualisht botën dhe pasojat e tij në motorsport, edicioni i dytë i FIA Motorsport Games, i planifikuar fillimisht të zhvillohej më 23-25 ​​Tetor 2020, tashmë do të mbahet më 22-24 Tetor 2021.

Të vetëdijshëm për nevojën aktuale për të ruajtur të gjithë të sigurt, FIA në bashkëpunim me SRO Motorsports Group kanë marrë vendimin për të shtyrë me një vit edicionin e dytë të FIA Motorsport Games. Pas edicionit të parë që u zhvillua vitin e kaluar në pistën e Vallelunga afër Romës, edicioni i dytë do të mbahet më 22-24 Tetor 2021 në pistën Paul Ricard në Marsejë siç ishte planifikuar fillimisht.

Qëllimi i këtij vendimi është që të mbështesë njerëzit që punojnë në industrinë e motorsportit duke ulur presionin e mëtejshëm logjistik dhe financiar mbi ta në veçanti. Të gjitha kampionatet që nxjerrin më pas pilotët për këtë event kanë nevojë të rishikojnë kalendarët e garave deri në fund të vitit, ndërsa kjo do të ndihmojë në mënyrë të barabartë për të shmangur çdo përplasje të mundshme të planifikimit. Mbi të gjitha, do të thotë që Autoritetet Kombëtare Sportve, të cilët janë shumë të rëndësishme për këtë event, mund të përqendrohen në trajtimin e vështirësive të mëdha që lidhen me këtë krizë të paparë dhe më pas të mendojnë që të marrin pjesë në këtë event në 2021-in.

Me një vit më shumë në dispozicion për të përcaktuar formën e këtij edicioni të dytë, FIA dhe SRO Motorsports Group do të kenë mundësi të përgatiten në mënyrë më efektive për këtë event të motorsportit. Gjithashtu, ata do të bëjnë gjithçka që munden për t’u ofruar Autoriteteve Kombëtare Sportive sa më shumë mbështetje të jetë e mundur, duke i ndihmuar që të merren me rregulloret dhe në formimin e ekipeve të tyre kombëtare. Në FIA ​​Motorsport Games do të përfshihen disiplina të reja si rallying dhe historic motor sport si edhe kategoritë bazë të motorsportit.

Presidenti i FIA-s, Jean Todt deklaroi: “Fatkeqësisht, për shkak të krizës Covid-19, ne kemi vendosur të shtyjmë FIA Motorsport Games vitin e ardhshëm. Kjo do ti japë mundësinë ASN-ve, ekipeve dhe promovuesit ynë SRO të përgatiten më mirë. Shfrytëzoj rastin t’i uroj më të mirat pistës Paul Ricard që festoi 50-vjetorin e tij të dielën e kaluar dhe t’i falënderoj ata për mikpritjen e edicionit të ardhshëm të FIA Motorsport Games”.

Themeluesi dhe Drejtori Ekzekutiv i SRO Motorsports Group, Stephane Ratel tha: “Shtyrja e edicionit të dytë të FIA Motorsport Games për në vitin 2021 është një vendim i duhur. Eventi u konceptua si një kompeticion në fund të sezonit me secilin shtet të përfaqësuar nga pilotët e tij më të talentuar, por shumë gara tashmë do të zhvillohen gjatë vitit ndryshe nga sa parashikohej më parë. Në këtë mënyrë, do të kishte përplasje gjatë një periudhe shumë të ngjeshur. Për të shmangur këtë, ne do të fillojmë të punojmë për vitin 2021 dhe jemi të lumtur që kemi konfirmuar një datë të rishikuar në pistën Paul Ricard. Unë jam mirënjohës që ky vendim është marrë në kohën e duhur dhe besoj se edicioni i dytë i FIA ​​Motorsport Games do të jetë më i fortë”.

Ndërsa, Presidenti i Federatës Franceze të Sporteve të Automobilizmit (FFSA), Nicolas Deschaux u shpreh: “Franca, duke qenë një autoritet kombëtar sportiv, me kënaqësi do të mirëpresë në vitin 2021 shtetet e ndryshme të përfaqësuara nga pilotët e tyre më të mirë, në një nga pistat e saj legjendare si Paul Ricard. Kjo shtyrje është padyshim një vendim i mençur duke marrë parasysh periudhën e pasigurt që po kalon bota. Motorporti  ndërkombëtar dëshmon se është një aktor i përgjegjshëm në shoqëri”.

Kujtojmë që në edicionin e parë të FIA Motorsport Games që u zhvillua vitin e kaluar, mori pjesë edhe Shqipëria. Automobile Club Albania si Autoriteti Kombëtar Sportiv në vendin tonë, përzgjodhi dy pilotë të rinj që fituan në konkursin që u zhvillua gjatë 2019-ës. 15-vjeçarja Alexia Karaguni dhe 14-vjeçari Kristofor Mjeshtri përfaqësuan Shqipërinë në këtë kompeticion të rëndësishëm ndërkombëtar duke marë pjesë në disiplinën e karting slalom. Për Shqipërinë ishte pjesëmarrja e parë në një kampionat botëror motorsporti. Auto Club Albania do të marë pjesë edhe vitin e ardhshëm në FIA Motorsport Games.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here