Jean Todt: Motorsporti do të kërkojë një qasje të re pas pandemisë

0
647

(Në foto) Presidenti i FIA-s gjatë FIA CEZ Prize Giving Ceremony që u zhvillua për herë të parë në Shqipëri në Dhjetor 2019.  

Presidenti i FIA-s thotë se motorsporti po përballet me një realitet të ri dhe do të kërkohet një qasje e re si rezultat i pandemisë së koronavirusit

Duke folur për herë të parë publikisht në lidhje me krizën në një intervistë ekskluzive për portalin e njohur Motorsport.com, Todt thotë se kostot e F1 janë “të çmendura” dhe do të duhet të zvogëlohen në vazhdim për të siguruar një mbijetesë të skuadrave dhe sportit.

Ai është gjithashtu i qartë se motorsporti dhe veçanërisht Formula 1, do të duhet të bëjnë një rishikim për sa i përket asaj që Todt e quan një “qasje të re”.

“Unë nuk mendoj se prioriteti numër një për një prodhues është mendimi nëse duhet të vazhdojë të qëndrojë në garat e motorsportit. Unë shpresoj se të gjithë do të qëndrojnë. Prandaj, duhet ti dëgjojmë të gjithë. Edhe më të mëdhenjtë, asnjëherë nuk duhet të merni asgjë të mirëqenë. Prandaj duhet të kemi parasysh gjithçka. Ne duhet të jemi të përulur, pasi e duam motorsportin, por nuk është thelbësore për shoqërinë. Prandaj duhet të sigurohemi që të bëjmë zgjedhjet e duhura dhe të marrim vendimet e duhura. Do të duhet ca kohë, por gjithçka do të kthehet dhe unë shpresoj se do të kthehet më mirë”, thotë Presidenti i FIA-s.

Todt thotë se FIA-s i duhet të marrë përgjegjësi për të motivuar ekipet që të angazhohen për të qëndruar.

“Jam i sigurt se shumë ekipe, furnizues apo prodhues, mund të duhet të rishikojnë programet e tyre. Ata mund të jenë të detyruar të ndalojnë. Nuk dua të jem shumë i sigurt, por shpresoj që disa pronarë të ekipit ose sponsorizues të ekipit do ta ruajnë motivimin. Kjo është arsyeja pse ne duhet të sigurohemi që të mos i dekurajojmë ata. Sepse, pas gjithë kësaj, ata mund të thonë OK, por cili është qëllimi? A më pëlqen akoma? A kam akoma nevojë për të? Kështu që ne duhet t’i inkurajojmë dhe sigurojmë ata që ende e pëlqejnë dhe ata kanë nevojë për të. Për këtë, ne kemi një përgjegjësi”.

Pyetja që aktualisht bëjnë të gjithë është se kur do të rifillojnë garat, ndërsa ende nuk ka një vendim se kur do të nisë Formula 1 për këtë vit.

Sidoqoftë, Todt tregon optimizmin e Drejtorit Ekzekutiv të F1, Chase Carey, i cili mendon se do të ketë një kalendar të plotë pasi të hiqen kufizimet.

“Pasi të mësojmë se kur mund të fillojmë, unë mendoj se mund të shohim dy-tre gara në muaj në muaj. Nëse fillojmë në korrik ose gusht dhe deri në dhjetor, kemi 5-6 muaj dhe duke i shumëzuar për tre, nuk janë pak”.

Todt tregon se të gjitha opsionet janë në tryezë për t’u marrë parasysh kur riorganizohet një kalendar i ri F1. Kjo përfshin një përcaktim krejtësisht të ri të datave dhe vendndodhjeve.

“Është diçka që është diskutuar dhe është në dorë të atyre që kanë të drejtat komerciale, të cilët mund të kenë disa kontrata tregtare. Kështu që për ne si organ drejtues është vetëm vendimi për të thënë po ose jo, por për momentin nuk duket e mundshme”.

Përpara një takimi të shefit të F1 për të diskutuar uljen e kostos së F1 për të ndihmuar ekipet në sigurimin e mbijetesës, Todt thotë se kriza e koronavirusit ofroi një mundësi për ta bërë të ardhmen më të mirë. Kjo është arsyeja pse ai parandjeu një mundësi që F1 të largohej nga buxhetet shumë të larta që ishin bërë normë, dhe të shkonte drejt niveleve që janë më të qëndrueshëm.

“Në çdo fatkeqësi, në çdo krizë, ke shumë të këqija por ke ca të mira. Pra, ndër të mirat është që ne kemi mundësinë për t’i bërë gjërat më mirë për të ardhmen. Dhe kryesisht në Formula 1, kemi arritur shumë lart me kostot, të cilat për mua nuk janë të arsyeshme dhe të cilat duhet t’i adresojmë”, deklaron kreu i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit.

Todt iu përgjigj gjithashtu polemikave për marrëveshjen mes FIA-s dhe Ferrari-t në fillim të këtij viti në lidhje me ligjshmërinë e motorit të energjisë 2019 që kishte shqetësuar disa ekipe. Ai shpjegoi se do të donte të jepte një shpjegim të plotë të çështjes, por thotë se nuk mund ta bëjë këtë pa marrëveshjen e Ferrari-t.

“Nëse më pyesni, unë do të doja të jepja të gjitha detajet e situatës, por Ferrari është kundër. Dua të them që ndaj atyre janë vendosur sanksione, por ne nuk mund të japim detajet e sanksioneve. Dhe qartë nuk mund të kishim thënë asgjë. Por, ne kemi ndjerë se do të ishte gabim të mos bënim të ditur që çështja Ferrari ishte diskutuar dhe se janë  vendosur sanksione”, përfundon Jean Todt intervistën e tij për Motorsport.com.

Presidenti i FIA-s, Jean Todt duke dorëzuar kupat për “Talent of the Year” gjatë FIA CEZ  Prize Giving Ceremony që u organizua nga Automobile Club Albania në Dhjetor 2019 në Tiranë  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here