Shqipëria në ETEC 2019/ Fëmijët gati për finalen e Zvicrës

0
1121

Një biçikletë, një jelek të verdhë dhe një kaskë për mbrojtje. Katër nxënësit e shollës 9-vjeçare publike “Pjetër Budi” në Tiranë, Mikea Bilushi, Sara Hudhri, Fabio Kola dhe Arelt Çeço të udhëhequr nga trajneri Arian Shehu janë gati për të garuar në finalen e Konkursit Evropian “European Traffic Education Contest (ETEC 2019), i cili këtë vit do të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës në datat 12-15 Shtator 2019. Me këtë rast, falënderojmë edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR-në) për mbështetjen që i kanë dhënë ekipit shqiptar për pjesëmarrjen në fazën finale të këtij konkursi.

Klubi i Automobilit të Shqipërisë që është pjesë e FIA-s, pas një rrugëtimi të gjatë në 11 qytete të Shqipërisë, me një pjesëmarrje masive prej 104 shkollash 9-vjeçare publike dhe jo-publike dhe të 1720 fëmijëve të moshës 10-12 vjeç, mbylli me sukses fazën finale të Konkursit Kombëtar Edukativ nën moton “Të Sigurt mbi Dy Rrota 2019” në maj të këtij viti.

Tashmë, fituesit e këtij konkursi argëtues dhe edukativ janë gati për të përfaqësuar Shqipërinë në fazën finale.

1.Arian Shehu – trajner

2.Mikea Bilushi – nxënëse

3.Sara Hudhri – nxënëse

4.Fabio Kola – nxënës

5.Arelt Çeço – nxënës

Më sipër mund të ndiqni spotin zyrtar të publikuar nga FIA Region I në lidhje me këtë aktivitet shumë të rëndësishëm për edukimin e fëmijëve për sa i përket sigurisë rrugore, respektimit të rregullave dhe më pas zbatimit të tyre në vazhdimësi.

Konkursi Evropian për Edukimin në Rrugë  (ETEC) synon që të intensifikojë edukimin në çdo shtet dhe njëkohësisht të ulet sa më shumë rreziku i përfshirjes së fëmijëve në aksidente me biçikletat e tyre. Gjithashtu, konkursi inkurajon klubet anëtare që të zhvillojnë në vendet e tyre aktivitete në lidhje me edukimin në rrugë të fëmijëve.

Konkursi është krijuar më 1986. Faza finale zhvillohet çdo vit në shtator në vendin pritës që caktohet më parë. Çdo klub anëtar që merr pjesë, përzgjedh një ekip me dy vajza dhe dy djem të moshës 10-12 vjeç që marrin pjesë në finale. Në këtë event marrin pjesë rregullisht 22 shtete.

Konkursi zgjat për një ditë të plotë gjatë së cilës fëmijët duhet të realizojnë një numër të caktuar ushtrimesh teorike dhe praktike. Skuadra më e mirë fiton një kupë, ndërsa fëmijët nuk renditen në mënyrë individuale.

Më poshtë linku zyrtar i ETEC 2019 ku mund të gjeni më shumë informacion:

https://etec2019.tcs.ch/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here