Auto Club Albania pjesë e nismës së FIA Region I, ndihmon anëtarët në Evropë

0
658

Turizmi është një nga sektorët më të goditur nga kriza e Covid-19 dhe ka të ngjarë që situata aktuale të ketë një ndikim të qëndrueshëm në mënyrën se si do të udhëtojmë në të ardhmen. Më shumë se kurrë, anëtarët e klubeve në Evropë dhe më gjerë janë shumë të interesuar për të marrë përgjigje në lidhje me pushimet e tyre të ardhshme jashtë vendit. Në këto rrethana, FIA Region I që është organi i përbërë nga 103 Klube Mobiliteti që përfaqësojnë 36 milionë anëtarë në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, ka ndërmarrë një nismë për të ndihmuar sa më shumë të gjithë anëtarët e klubeve.

Automobile Club Albania si anëtare e FIA Region I i është bashkuar menjëherë nismës që synon të mbajë të informuar anëtarët e klubeve të tjera në lidhje me masat kufizuese që janë vendosur në vendin tonë.

A duhet që anëtarët të planifikojnë pushime dhe udhëtime rrugore jashtë vendit? Cila do të jetë situata në destinacion dhe në vendet ku ata kalojnë tranzit? A duhet të përgatiten për kontrollet kufitare? A do të hapen shërbimet? Cilat udhëzime (distanca fizike/ mbajtja e maskës etj.) duhet t’u përmbahen anëtarët kur udhëtojnë jashtë?

“Për të ndihmuar që të keni përgjigje të sakta për këto pyetje se çfarë ndodh në shtete të ndryshme, ne po lançojmë një iniciativë të përbashkët informacioni. Në këtë mënyrë, do të vendosim në dispozicion një tabelë me informacionin e fundit të saktë në lidhje me masat e kufizimit në të gjithë Evropën, në mënyrë që klubet të jenë në gjendje t’i përgjigjen pyetjeve të anëtarëve”, bën të ditur FIA Region I në njoftimin e saj.

Automobile Club Albania informon çdo javë (duke nisur nga 20 Prilli) FIA Region I në lidhje me masat kufizuese dhe ndryshimet që ato pësojnë duke ndihmuar anëtarët e klubeve të tjera që të jenë të azhornuar me çfarë ndodh në Shqipëri. Gjithashtu, ACA është e disponueshme për të ndihmuar anëtarët e saj në lidhje me pyetjet që mund të kenë për sa i përket kufizimeve që ekzistojnë aktualisht nëpër Evropë.

Kujtojmë se që prej 17 Marsit, Bashkimi Evropian ka vendosur të mbyllë kufijtë deri më 15 Maj. Por, sipas të gjitha gjasave, pritet që në vazhdim të ketë sërish një vendim për të shtyrë edhe më tej mbylljen e kufijve.

Aktualisht në vendin tonë, lëvizja e automjeteve bëhet duke marrë leje, ndërsa transporti publik ende nuk ka nisur. Mund të qarkullojnë vetëm taksitë. Gjithashtu, ende nuk ka një vendim se kur do të hapen plazhet. Aktivitetet publike sportive, kulturore apo sociale janë të ndaluara, ndërsa baret dhe restorantet është vendosur që të hapen më 18 Maj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here