Çdo vit, 1.35 milion njerëz vdesin dhe 50 milion plagosen rëndë nga aksidentet rrugore. Pavarësisht përpjekjeve në rritje për të përmirësuar sigurinë rrugore, rezultatet janë zhgënjyese dhe është i nevojshëm një ndryshim i menjëhershëm. Nisma për Sigurinë Globale Rrugore, Forumi Ekonomik Global (WEF) dhe Federata Ndërkombëtare e Automobilave (FIA), janë angazhuar bashkërisht për t’u përballuar me këtë sfidë globale, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë vendeve me ekonomi të ulët dhe mesatare.
Përfaqësues të shquar nga bota e biznesit, si UPS, Aleanca Renault-Nissan-Mitsubishi, Grupi Volvo, Bosch, Vodafone, Heremoto, Signify, Total, si dhe Banka Botërore, UNECE, Federata Ndërkombëtare Rrugore, Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, Partneriteti Global për Sigurinë Rrugore dhe OJQ-të lokale, duke iu përgjigjur thirrjes së FIA-s dhe WEF-së, kanë nisur bisedimet për të mbështetur bashkërisht përpjekjet e qeverisë për rritjen e sigurisë rrugore në Indi. Ky partneritet i ri midis sektorëve publikë dhe privatë pritet që të shërbejë si shembull në arritjen e rezultateve të shpejta.
Jean Todt, presidenti i FIA-s dhe përfaqësuesi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për sigurinë rrugore, prezantoi projektin GRSI-RSPI për Mobility Stewards dhe Automotive Governors, gjatë takimit të përvitshëm të Forumit Ekonomik Global në Davos. Në mbledhjen e organizuar nga FIA dhe WEF, në Davos më 23 janar, Jean Todt e hapi fjalimin duke deklaruar: “Kostoja e lartë e humbjeve të jetës për hir të lëvizjes rrugore është e papranueshme”. Ai ngriti pyetjen nëse “struktura e tanishme qeveritare e sigurisë rrugore është e mjaftueshme për një ndryshim transformues”.
Spikeri kryesor, Manpreet Singh Badal, ministër i financës dhe i planifikimit i Punjabit, foli mbi perspektivat e qeverisë dhe paraqiti disa shembuj ku lidershipi politik mund të ndikojë në përmirësimin e sigurisë rrugore.
Si përfaqësues i WEF-së, Christoph Wolff, kreu i Future Mobility Systems, foli për kontekstin më të gjerë të mobilitetit të qëndrueshëm urban. Gjithashtu ai lidhi projektin e përbashkët FIA-WEF mbi sigurinë rrugore me aktivitete të tjera të Mobility Stewards dhe Automotive Governors.
Spikeri kryesor, David Abney, kreu i UPS-së, përfshiu në diskutim edhe perspektivën e biznesit. Ai vuri në dukje se “ky partneritet midis sektorëve publikë dhe privatë krijon një mundësi të madhe për të siguruar mbështetje globale për sigurinë rrugore dhe çështje të tjera që lidhen me të”. Ai shtoi: “Ne e përgëzojmë FIA-n dhe WEF-ën për vizionin e tyre dhe pranojmë me kënaqësi të ofrojmë ekspertizën tonë, të cilën UPS e ka arrirë duke u përqendruar për disa dekada në sigurinë rrugore globale”.
Së fundmi, ceremonia e nënshkrimit të posterave shërbeu edhe si një miratim simbolik i Manifestit të Sigurisë Rrugore, i cili paraqet një listë ku renditen parimet dhe rregullat kryesore të sigurisë rrugore. Në mënyrë të ngjashme me projektin GRSI-RSPI, edhe Manifesti është një platformë e hapur, të cilës mund t’i bashkohen palë të tjera të interesuara.
Aktivitete