Motorsport
1.Çfarë janë garat e motorsportit?
Garat e motorsportit zhvillohen zakonisht në rrugë, në pista ose në terrene të tjera. Formati ose lloji i garës mund të jetë autokros, crosscar, hillclimb, motorkhana, karting, drag apo edhe disiplina të tjera. Garat në Shqipëri zhvillohen sipas Kodit Sportiv Ndërkombëtar të FIA-s dhe rregulloreve të Federatës Shqiptare të Sporteve të Automobilizmit, anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA).
Llojet e garave të motorsportit në Shqipëri
Hillclimb është një garë shpejtësie ngjitje malore që zhvillohet në asfalt. Një disiplinë e njohur në Shqipëri. Federata Shqiptare e Sporteve të Automobilizmit (FASA) dhe Auto Club Albania organizojnë çdo vit garën “Trofeu Skënderbej”, e vlefshme për Kampionatin e Central European Zone (CEZ-FIA).
Karting është një garë që zhvillohet në një pistë të mbyllur ndërmjet disa pilotëve që drejtojnë makinat e quajtura kart. Prej tre vitesh, FASA dhe ACA organizojnë rregullisht Kampionatin Kombëtar të Kartingut, i ndarë në disa kategori; meshkuj, femra, U-16 dhe fëmijë.
Crosscar është një lloj gare me makinë kart të homologuar që zhvillohet në pista për autocross dhe rallycross. Garat zhvillohen në bazë të vëllimin të kubikëve (125 cc, 250 cc, ose 650 cc). Klasa 125 cc është një klasë e vogël dhe hapur për fëmijët 12 vjeç e lart, por mund të filloni trajnimin që në moshën 10 vjeç.
Karting Slalom është një disiplinë e re në Shqipëri. Kjo disiplinë konsiston në zhvillimin e një gare ku piloti duhet ta drejtojë kartin ndërmjet disa pengesave për të mbërritur në finish në një kohë sa më të shpejtë. Është një garë ku ndërthuren shpejtësia dhe teknika e drejtimit të kartit. Shqipëria u përfaqësua nga dy pilotë të rinj në këtë disiplinë në Kampionatin Botëror “FIA Motorsport Games 2019”.
Drag Race është një garë shpejtësie në pista me kthesa ose në një pistë të drejtë. FASA mbështet garat e Drag-ut që zhvillohen në Shqipëri.
Motorkhana është një garë që konsiston në drejtimin e makinës nëpër disa pengesa. Qëllimi është përshkrimi i pistës dhe kalimi i pengesave në një kohë sa më të shkurtër. Çdo provë zgjat 15 deri në 60 sekonda. Një disiplinë që po njeh një shtrirje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit.
Si të bëheni pjesë e garave të motorsportit në Shqipëri?
Kushdo që dëshiron të bëhet pjesë e garave të motorsportit në Shqipëri, duhet të regjistrohet pranë Federatës Shqiptare të Sporteve të Automobilizmit (FASA), e cila është anëtare dhe përfaqësuese e FIA-s në Shqipëri.
Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bëhen pjesë e motorsportit në Shqipëri, të paraqiten pranë zyrave të Federatës Shqiptare të Sporteve të Automobilizmit për tu regjistruar:
Rruga Ismail Qemali 30, Tirana 1019
Telefon: +355 67 60 01 222
E-mail: [email protected]
Web: www.aca.al
2.Klubet e motorsportit
Klubet e motorsportit janë grupime entuziastësh të garave të motorsportit, të cilët organizojnë, suportojnë dhe marrin pjesë në evente të ndryshme të motorsportit që zhvillohen në Shqipëri. Klubet janë një forum i drejtpërdrejtë për të ndarë histori, këshilla dhe udhëzime.
1.Illyrius Motorsport
Illyrius Motorsport është një organizatë jo-fitimprurëse sportive, e cila ka si qëllim promovimin dhe zhvillimin e Motorsportit në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit. Organizata operon e pavarur dhe si e tillë është e pavarur në qëllimin e saj për zhvillimin e motorsportit, i cili është dhe objektivi kryesor. Illyrius Motorsport kërkon të zhvillojë disiplina të ndryshme të garave automobilistike si Go Kart, Hill Climb, Circuit, Drag, Simulator, etj.
Stafi i Illyrius Motorsport është i trajnuar për sigurinë dhe mbarëvajtjen në Motorsport, i pajisur me certifikata të ndryshme nga FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit). Eventet sportive të zhvilluara deri më sot nga Illyrius, janë:
Trajnim “Bazat në Motorsport”
Race of the Illyrians (Go Kart Championship)
Race of the Illyrians 2 (Go Kart Championship)
Festival of Speed
Për më shumë: www.illyrius.org
2.ACA Racing Team
ACA Racing Team është një ekip i krijuar me suportin e Hoogan, Auto Club Albania e Automaster dhe merr pjesë në disiplina të ndryshme si hillclimb dhe karting. Gentjan Shaqiri është piloti që garon për ACA Racing Team duke marrë pjesë në evente të ndryshme.
Për më shumë: www.aca.al
3.SpeedHunters
Një grupim të apasionuarish që organizojnë dhe marrin pjesë në disiplina të ndryshme garash në Shqipëri. SpeedHunters kanë organizuar evente të ndryshme motorsporti ku vlen të përmendet gara “drag” e zhvilluar në 2019-ën në pistën përpara City Park.
Për më shumë: https://speedhunters.al/