Shqipëria për herë të parë në kampionatin ndërkombëtar “FIA Motorsport Games”

0
1551

Shqipëria do të ketë mundësinë që të jetë pjesëmarrëse në një kampionat të ri ndërkombëtar që do të organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit(FIA) për herë të parë duke nisur nga ky vit. Flamuri shqiptar do të jetë mes qindra flamujve të tjerë gjatë parakalimit të pjesëmarrësve në ceremoninë hapëse të kompeticionit “FIA Motorsport Games” që do të zhvillohet nga 31 tetori deri më 3 nëntor 2019 në Romë.

Pak muaj më parë, FIA linçoi detajet e këtij kompeticioni të ri që në edicionin e parë të tij do të zhvillojë gara në gjashtë disiplina: GT, Touring Car, Formula 4, Drifting, Karting Slalom dhe Digital Motorsport. E veçanta e këtij eventi është se pjesëmarrësit do të garojnë aty për të përfaqësuar shtetet e tyre. Për fituesit e çdo disipline do të jepet medalje ari, argjendi dhe bronzi, të cilat do të mblidhen në një tabelë të përgjithshme medaljesh për të nxjerrë shtetin fitues.

Garuesit përzgjidhen nga Autoritetet Kombëtare Sportive. Në këtë mënyrë, Klubi i Automobilit të Shqipërisë që është anëtar me të drejta të plota i FIA-s, do ti japë mundësinë dy pilotëve që të përfaqësojnë flamurin kuqezi në këtë aktivitet. Më 15 gusht, nga ora 09:00 në 12:00 do të zhvillohet gara kualifikuese “ACA Karting Slalom 2019”. Janë të mirëpritur që të marrin pjesë djem dhe vajza të moshës 14-16 vjeç në pistën e Expocity. Dy fituesit e konkursit, një djalë dhe një vajzë do të kenë mundësinë që të përfaqësojnë Shqipërinë në kampionatin ndërkombëtar që do të zhvillohet në Romë në pistën “Vallelunga”. Fituesit do të parakalojnë para ndërtesave historike si “Koloseu” apo në sheshin “Piazza del Popolo” gjatë ceremonisë madhështore hapëse që do të mbahet më 31 tetor në kryeqytetin e Italisë.

Po çfarë është Karting Slalom? Është një format konkursi që po rritet ndjeshëm gjatë kohëve të fundit. Piloti drejton një kart me shpejtësi të kontrolluar ndërmjet pengesave të ndryshme të krijuara me stafeta. Kjo disiplinë është e hapur për të gjithë djemtë dhe vajzat e reja mes 14 dhe 16 vjeç, ndërsa fituesit e “ACA Karting Slalom 2019”, do të marrin pjesë në “FIA Motorsport Games”.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here