Programi i FIA-s Girls on Track-Dare to be Different nis në Berlin

0
979

Në arenën madhështore të ABB FIA Formula E Championship në Berlin, programi i parë evropian Girls on Track-Dare to be Different (Vajzat në rrugën e duhur – Guxo të jesh ndryshe) i organizuar nga FIA, mirëpriti vajza nga shkollat lokale për t’u dhënë mundësinë që të përjetojnë botën dinamike të motor sport-it.

Ky projekt emocionues ofron një mundësi unike për vajzat e moshave 8 deri në 18 vjeç, për t’u bërë pjesë e botës së sportit motorik dhe për të konsideruar mundësitë e shumta dhe të larmishme të karrierës në këtë fushë. Programi i FIA-s Girls on Track, synon të eliminojë çdo paragjykim në një mjedis ende të mbizotëruar nga meshkujt, dhe të demonstrojë se sporti motorik është gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjithë.

Presidenti i FIA-s, Jean Todt, i cili sot qe i pranishëm në veprimtaritë e programit FIA Girls on Track, së bashku me Violeta Bulc, anëtare e Komisionit Evropian për Transportin, tha: “Ky është një ambient frymëzues për vajzat e reja që marrin pjesë dhe duket qartë sa të përkushtuara dhe entuziaste janë ato. FIA Girls on Track është një program që po jep një kontribut të madh drejt synimit tonë për barazinë gjinore në fushën e sportit dhe nëse ASN-të tona (Autoritetet Kombëtare Sportive) mund të lidhen me programin në nivel kombëtar, do të kemi një mundësi edhe më të madhe për të rritur pjesëmarrjen e femrave në sport në një nivel global”.

Programi i FIA-s Girls on Track-Dare to be Different përfshin një sërë veprimtarish argëtuese dhe njëkohësisht edukuese, që synojnë të nxisin të rinjtë për të ndërmarrë nisma të reja dhe sfiduese. Në një sfidë teknike të tipit STEM, vajzat u ngarkuan me detyrën për të ndërtuar një makinë në miniaturë me disa blloqe ndërtimi, duke e vënë në lëvizje automjetin me ajër nga një tullumbace, për të demonstruar disa nga parimet kyçe inxhinierike që zbatohen në projektimin e makinave të garës. Departamenti i medias i vuri vajzat në provë duke i caktuar rolin e një prezantueseje televizive për të shpjeguar veprimtaritë e sigurisë rrugore si dhe rreziqet e ecjes dhe ngarjes së makinës nën ndikimin e alkoolit, drogës dhe lodhjes. Gjithashtu u mbajt një seminar mjedisor për të rritur ndërgjegjësimin për ndotjen, dhe rëndësinë dhe ndikimin e riciklimit në planetin tonë.

Një stimulues garash i përgatiti vajzat për një xhiro të këndshme duke përjetuar adrenalinën e sportit në timonin e një e-kart-i. Më pas, ato u drejtuan për në korsinë Formula E, ku vizituan disa nga garazhet e ekipit. Së fundmi, vajzat patën mundësinë të shihnin nga afër makinën e garave Racelab Gen2 HWA në fshatin FIA Girls on Track.

Të premten do të mbahen veprimtari të reja dhe do të marrin pjesë edhe më shumë vajza nga qyteti i Berlinit. Gjithashtu, disa ambasadore të motor sport-it dhe gra që mbajnë pozicione kyçe në këtë fushë, do të marrin pjesë në një Panel Diskutimi, ku do të flasin për rolet e tyre të ndryshme në komunitetin e sportit motorik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here