Mbyllet me sukses “Të Sigurt mbi dy Rrota, 2019”

0
888

Edukim, argëtim dhe shumë angazhim. Konkursi edukativ “Të Sigurt mbi dy Rrota” mbylli edicionin e nëntë të tij me një finale emocionuese dhe shumë tërheqëse, e cila u zhvillua më datë 18 maj 2019, në ambientet e “Expocity” në Tiranë.

Klubi i Automobilizmit të Shqipërisë vazhdon të angazhohet për të ndihmuar anëtarët e tij dhe qindra fëmijë që morën pjesë në këtë sezon të konkursit. Konkursi kombëtar është vetëm një prej fushatave sensibilizuese dhe edukative të shumta që zhvillohen gjatë vitit.

Konkursi “Të Sigurt mbi dy Rrota” është rritur me kalimin e kohës.

Tetë vite më parë, në edicionin e parë të konkursit edukativ “Të Sigurt mbi dy Rrota”, morën pjesë vetëm 20 fëmijë, duke u përfshirë pesë shkolla dhe një qytet. Tashmë, kjo nismë, me fokus edukimin e fëmijëve 8-12 vjeç në përdorimin e biçikletave dhe njohjen e tyre me rregullat e qarkullimit, duke i ndihmuar në sigurinë rrugore, ka kapur përmasa gjithëpërfshirëse. Në këtë edicion u përfshinë 11 qytete dhe 104 shkolla. Këtë vit u shtuan edhe tre qytete të reja: Lushnja, Berati dhe Lezha. Një punë që nisi muaj më parë me përzgjedhjen e ekipeve, ku në fazën e parë morën pjesë 2020 fëmijë. Mësuesi i Edukimit Fizik në secilën shkollë përzgjodhi 4 nxënësit më të talentuar në përdorimin e biçikletës (2 djem dhe 2 vajza), të cilët përfaqësuan shkollën e tyre.

Në fazën e dytë, në “Finalen e Qyteteve”, ekipet e shkollave në çdo qytet konkurruan mes tyre në sheshin e qytetit, për të përcaktuar ekipin fitues që i përfaqësoi në Finalen Kombëtare.

Finalja Kombëtare 2019 ishte një emocion më vete. Dhjetëra fëmijë, prindër dhe dashamirës ishin më shumë se dy orë përpara të pranishëm në ambientet e “Expocity”. 15 ekipet finaliste të përzgjedhura bazuar në saktësinë e kryerjes së ushtrimeve me biçikletë dhe njohurive për sigurinë rrugore të marra në shkollë, dhuruan shumë emocione për të pranishmit. Finalja u zhvillua në përputhje me javën ndërkombëtare të Sigurisë Rrugore të FIA-s. Çdo shkolle iu dorëzua certifikata e pjesëmarrjes, ndërsa ekipet e renditura në vendin e dytë dhe të tretë, u vlerësuan me çmime nga ACA.

Ndërkohë, shkolla fituese “Pjetër Budi” në Tiranë do të përfaqësojë Shqipërinë në konkursin europian “European Traffic Education Contest”, i cili organizohet nga FIA dhe që këtë vit do të zhvillohet në Gjenevë, Zvicër, në datat 12-15 shtator 2019.

Një risi tjetër e Finales Kombëtare 2019 ishte pjesëmarrja dhe angazhimi i miqve të rinj të Klubit ACA dhe Konkursit Kombëtar si Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku, dhe Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhe, të cilët iu bashkuan miqve të hershëm si Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe drejtorive rajonale arsimore, Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës dhe bashkive të tjera. Të pranishëm ishin edhe dy miq që e kanë mbështetur Klubin ACA prej fillimit ish-ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto dhe ish-zv.ministrja e Arsimit, znj. Nora Malaj. Drejtuesit dhe ish-drejtuesit e lartë të institucioneve shtetërore shprehën mbështetjen ndaj ACA-s, lidhur me edukimin e kësaj grupmoshe në fushën e sigurisë rrugore. Pjesëmarrja është tregues për nisjen e një bashkëpunimi më të gjerë, i cili rritet mes ACA-s dhe institucioneve shtetërore që marrin vendime dhe hartojnë politika në lidhje me sigurinë rrugore.

Prej momentit të anëtarësimit të plotë të Klubit ACA-s në Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA www.fia.com), Klubi ACA ka zhvilluar në vazhdimësi fushata sensibilizuese me objekt “Sigurinë Rrugore”. Mjafton të përmendim disa prej fushatave me shtrirje globale Europë, që janë realizuar dhe administruar nga Klubi ACA në vendin tonë si: “Don’t Drink and Drive”, “#3500Lives”, “Park your phone”, “Stay bright”, “Project EDWARD – European Day Without Any Road Deaths” dhe padyshim konkursi edukativ më i rëndësishëm dhe me shtrirjen më të madhe në Republikën e Shqipëri, “Të Sigurt mbi Dy Rrota”.

Në fund të këtij edicioni, mund të themi se ishte një prej sezoneve më të ndjekur që tërhoqi vëmendjen e qindra fëmijëve. Për sa i përket finales, stafi i ACA-s kishte organizuar gjithçka në mënyrën e duhur. Do të takohemi sërish vitin e ardhshëm, padyshim me më shumë pjesëmarrës…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here