FIA Sport Regional Congress për herë të parë në Shqipëri, presidenti Jean Todt: Një Kongres i shkëlqyer

0
1791

Më shumë se 80 pjesëmarrës të përbërë nga 10 Presidentë të Autoriteteve Kombëtare Sportive (ASN) dhe Klubeve Kombëtare të Automobilit (ACN), së bashku me delegatë, ekspertë dhe folës nga 20 shtete, morën pjesë në Kongresin e Evropës Qendrore që u zhvillua në kryeqytetin shumëngjyrësh të Shqipërisë, në Tiranë.

Më poshtë mund të lexoni të plotë të gjithë njoftimin e FIA-s të publikuar edhe në faqen e vet zyrtare në internet fia.com në lidhje me këtë Kongres.

FIA dhe përfaqësuesit e saj nga Autoritetet Kombëtare Sportive (ASN) dhe Klubet Kombëtare të Automobilit (ACN), u mblodhën në Tiranë fundjavën e kaluar më 13-14 Dhjetor për edicionin e 5-të të Kongresit Rajonal Sportiv të FIA-s (FIA Sport Regional Congress) që zhvillohet në Evropën Qendrore.

Kongresi u mirëprit për herë të parë nga Automobile Club Albania (ACA) dhe u drejtua nga Presidenti i FIA-s, Jean Todt, Presidenti i Auto Club Albania, Niko Leka dhe Koordinatori i FIA-s për CEZ, Zrinko Gregurek.

“Zona e Evropës Qendrore u vendos të krijohej 26 vite më parë dhe gjatë kësaj kohe është zhvilluar shumë nga klubet anëtare që tashmë janë 16. Në këtë Edicion të 5-të të FIA Sport Regional Congress që po mbahet këtu, kemi pasur mundësinë të shohim progresin e bërë që kur u mblodhëm bashkë për herë të fundit në Slloveni 12 muaj më parë”, deklaroi fillimisht Jean Todt në fjalën e tij.

Me tej, Presidenti i FIA-s vazhdoi: “Dua të uroj Presidentin e Auto Club Albania, Niko Leka dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Eridon Lameborshi, si edhe çdo punonjës të ekipit të tyre për këtë organizim të shkëlqyer të Kongresit. Kjo ngjarje vjen shumë shpejt pas tërmetit të tmerrshëm që goditi Shqipërinë tre javë më parë, duke lënë shumë të vdekur dhe të plagosur, ndërsa ne jemi krenarë për popullin shqiptar, të përulur dhe të fortë. Gjithashtu, jemi mirënjohës për pritjen e ngrohtë të të gjitha delegacioneve të Autoriteteve Kombëtare Sportive (ASN) gjatë javës”.

Programi i Kongresit përfshinte seminare se si Autoritetet Kombëtare Sportive mund të zhvillojnë marrëdhëniet me qeverinë, të organizojnë evente të sigurta dhe të këndshme, të lehtësojnë aksesin në motor sport nëpërmjet disiplinave grassroots, të përmirësojnë menaxhimin dhe komercializimin e eventeve dhe të bëjnë hapa të mëtejshme në zhvillimin më të gjerë të motor sportit. Programi u organizua nën drejtimin e Task Forcës së FIA-s për zhvillimin e ASN-ve që kryesohet nga Andrew Papadopoulos.

Një numër workshop-esh ofruan njohuri dhe inkurajuan debate për temat si: Digital Motor Sport, Zgjedhja e Ekipit Kombëtar për FIA Motorsport Gasmes, Trajnimin, Faktori i Performancës në Hill Climb, Drifting, Qëndrueshmëria, Grantet Sportive, Femrat në Motorsport dhe Praktikat më të mira të Komunikimit.

Presidenti i FIA-s, Jean Todt në fjalën e tij në Kongres vazhdoi më tej duke thënë: “Unë përshëndes klubet anëtare nga Evropa Qendrore për përpjekjet e tyre të pandërprera për të promovuar motor sportin, duke dhënë shembullin për nivelin e lartë të motor sportit në të gjithë botën. Jam krenar të them se së bashku, ky rajon mirëpret 156 evente të FIA-s, ku ndër të tjera përfshihen 4 Gara të FIA Formula 1, 2 evente të FIA World Rally Championship, 2 gara të FIA World Touring Car Cup (WTCR) dhe 4 gara të FIA World Cup për Cross Country Rallies dhe Bajas. Sigurisht, është gjithashtu edhe eventi i Romës, ABB FIA Formula E Championship, që do të ketë statusin e Kampionatit Botëror nga 2020-ta, ndërsa muajin e kaluar ne kishim 38 pjesëmarrës që garuan në edicionin e 1-rë të FIA Motorsport Games në Romë, me Italinë që u rendit e dyta. Ekziston gjithashtu një përfaqësim i konsiderueshëm në FIA European Historic Sporting Rally Championship, FIA European Rally Championship, FIA Karting Championships dhe FIA European Hill Climb Championship”.

“Këtë mbrëmje (14 Dhjetor) do të kemi kënaqësinë të marrim pjesë në CEZ Prize Giving, që do të zhvillohet si pjesë e këtij Kongresi. Kjo ceremoni ofron një mundësi të shkëlqyer për të shpërblyer shumë garues të apasionuar nga një gamë e gjerë disiplinash”.

Në mbyllje të fjalës së tij, Jean Todt deklaroi: “Rëndësia e motor sportit në Evropën Qendrore është e qartë. Pavarësisht nga suksesi i arritur deri tani, ka akoma shumë që ne mund të arrijmë së bashku. Ne mbështetemi në pasionin dhe entuziazmin e Autoriteteve Kombëtare Sportive (ASN) për të siguruar gjallërimin e vazhdueshëm të motor sportit”.

Ndërkaq, duhet thënë se Presidenti i Auto Club Albania, Niko Leka, i cili është themeluesi dhe drejtuesi i klubit prej 12 vitesh, nuk ka reshtur asnjë moment duke qenë gjithmonë i angazhuar dhe plotësisht i gatshëm për zhvillimin e motor sportit në vendin tonë. Pa shumë publicitet, z.Leka së bashku me Auto Club Albania i ka kushtuar shumë rëndësi sigurisë rrugore ku prej 9 edicionesh, organizon Konkursin Kombëtar Edukativ “Të Sigurt mbi Dy Rrota” ku marrin pjesë fëmijë të moshës 10-12 vjeç. Gjithashtu, fushatat sensibilizuese për të ndihmuar në edukimin e brezave të rinj janë gjithmonë prezente nga Klubi i Automobilit të Shqipërisë.

Presidenti i ACA-s, Niko Leka në fjalën e tij të hapjes përpara pjesëmarrësve në Kongresin e FIA-s, ndër të tjera deklaroi: “Të dashur miq dhe të ftuar, ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri dhe ju falënderoj në emër të Auto Club Albania për pjesëmarrjen në FIA Sport Regional Congress. Uroj që Kongresi që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, të jetë i suksesshëm. Shpresoj që të kënaqeni gjatë qëndrimit tuaj në Tiranë dhe gjatë Kongresit. Edhe një herë, shumë faleminderit që jeni këtu”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here