Paketa e Komisionit Evropian, si të rifillojë udhëtimi dhe turizmi

0
919

Më 13 maj, Komisioni Evropian publikoi paketën e tij të udhëzimeve dhe rekomandimeve se si të rifillojë udhëtimi në mënyrë të sigurt dhe gjithashtu se si të rindizen motorët e turizmit në Evropë në këto kohë të vështira për shkak të pandemisë Covid-19.

Paketa e Turizmit dhe Transportit të Komisionit Evropian përfshin: një strategji të përgjithshme drejt rimëkëmbjes në vitin 2020 dhe më gjerë; një qasje të përbashkët për rikthimin e lëvizjes së lirë dhe heqjen e kufizimeve në kufijtë e brendshëm të BE-së në një mënyrë graduale dhe të koordinuar; një kornizë për të mbështetur rifillimin gradual të transportit duke siguruar sigurinë e pasagjerëve dhe personelit; një rekomandim që synon të kthejë kuponët e udhëtimit në një alternativë tërheqëse për konsumatorët; kritere për rihapjen e veprimtarive të turizmit në mënyrë të sigurt e graduale si edhe për zhvillimin e protokolleve shëndetësore për strukturat pritëse siç janë hotelet.

Së pari dhe më e rëndësishmja është fakti se të drejtat e pasagjerëve mbeten të pandryshuara. Transportuesit dhe organizatorët mund të propozojnë kuponë për udhëtarët në vend të rimbursimit, por kuponët janë ende subjekt i pranimit vullnetar të klientit. Prandaj, Komisioni Evropian thekson rëndësinë e bërjes së kuponëve më tërheqës për klientët.

Për shembull, duhet të aplikohet një periudhë minimale e vlefshmërisë prej 12 muajsh; pas kësaj periudhe, transportuesit dhe organizatorët duhet të rimbursojnë automatikisht klientin. Kuponët duhet të transferohen në një udhëtar tjetër, pa asnjë kosto, nëse ofruesit e shërbimeve të tjera të përfshira në paketë bien dakord. Së fundmi, shtetet anëtare të BE-së “duhet të marrin në konsideratë” skemat e garancive për të mbrojtur kuponët nga falimentimi i agjensive.

Së dyti, Komisioni Evropian u rekomandon shteteve anëtare të BE-së të zëvendësojnë kufizimet e tanishme të përgjithshme me lëvizjen e lirë me masa më të fokusuara. Shtetet anëtare duhet të veprojnë në bazë të 3 kritereve: a) epidemiologjike – ku situata po përmirësohet; b) aftësia për të aplikuar masa gjatë të gjithë udhëtimit dhe në vendkalimin kufitar (p.sh. distanca fizike); c) aspektin ekonomik dhe social (prioritet i lëvizjes ndërkufitare në fushat kryesore të veprimtarisë).

Së fundmi, Komisioni Evropian inkurajon që të rifillojnë në mënyrë progresive shërbimet e transportit, natyrisht duke mbrojtur shëndetin e punonjësve të transportit dhe udhëtarëve, në përputhje me Udhërrëfyesin Evropian. Operatorët e transportit dhe ofruesit e shërbimeve këshillohen të sigurojnë mbrojtjen e qytetarëve përmes disa metodave, të tilla si: lejimi i më pak udhëtarëve në bord; instalimi i barrierave mbrojtëse midis udhëtarëve dhe shoferit; sigurimi i ventilimit dhe dezinfektimit të duhur. Për udhëtarët, Komisioni Evropian këshillon përdorimin e aplikacioneve të gjurmimit në rast se një pasagjer zbulon se ka koronavirus menjëherë pas udhëtimit, në mënyrë që aplikacioni t’i paralajmërojë ata dhe kështu të zvogëlojë rrezikun e përhapjes së virusit më tej.

Në linkun më poshtë gjeni udhëzimin e Komisionit Evropian në lidhje me Turizmin dhe Transportin:

https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/ip_20_854

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here