Zhvillohet mbledhja e radhës e Panelit të Nivelit të Lartë të FIA-s për Sigurinë Rrugore

0
561

Tetë muaj pas Ministerialit të 3-të Global për Sigurinë Rrugore, e cila u zhvillua në muajin Shkurt në Stokholm, anëtarët e Panelit të Nivelit të Lartë të FIA-s për Sigurinë Rrugore u takuan në Monako më 28 Tetor. Eventi u drejtua nga Presidenti i FIA-s Jean Todt dhe u prit nga Princesha Charlène e Monakos në selinë e Klubit të Automobilit të Monakos. Në këtë event morën pjesë 43 Anëtarë të Panelit të Nivelit të Lartë të FIA-s, ku një pjesë ishin të pranishëm fizikisht dhe të tjerë virtualisht, kjo si pasojë e rregullave të kufizimit të udhëtimit për shkak të Covid-19.

I ndarë në gjashtë sesione, qëllimi i takimit ishte të rishikonte progresin e bërë në lidhje me programin e punës së Panelit që synon të forcojë angazhimin politik, financimin dhe mbështetjen institucionale për të trajtuar me vëmendjen maksimale sfidën globale të sigurisë rrugore.

Në fjalën e tij hyrëse, Presidenti i FIA-s, Jean Todt kujtoi se siguria rrugore është ndikuar nga pandemia e Covid-19. Ministri i Infrastrukturës së Suedisë, Tomas Eneroth bëri një azhurnim në lidhje me përkthimin e suksesshëm të Deklaratës së Ministerialit të Stokholmit në një rezolutë të Kombeve të Bashkuara. Anëtarët e Panelit shprehën mbështetjen e tyre për këtë rezolutë të re, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 18 Gusht, në të cilën Shtetet Anëtare u zotuan të intensifikojnë përpjekjet e tyre drejt sigurisë rrugore gjatë dhjetë viteve të ardhshme si një pjesë integrale e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Takimi vazhdoi me video mesazhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili nënvizoi rritjen e lëvizjes në këmbë dhe përdorimit të biçikletës gjatë pandemisë Covid-19 duke bërë thirrje që sistemet tona të ridizenjohen. Nga Komisioneri Evropian për Transportin, Adina Vālean e vendosi theksin mbi politikën e sigurisë rrugore në kohë krize globale. Sekretari i Përgjithshëm i Forumit Ndërkombëtar të Transportit, Dr. Young Tae Kim prezantoi reagimin e ndërmarrë nga vendet e ndryshme në muajt e fundit si pasojë e urgjencës shëndetësore.

Gjithashtu, një vëmendje e veçantë iu kushtua financimit të projekteve të sigurisë rrugore, veçanërisht përmes Fondit të Kombeve të Bashkuara për Sigurinë Rrugore (UNRSF). Sekretarja Ekzekutive e UNECE, Olga Algayerova paraqiti Fondin dhe nxiti Anëtarët e Panelit të ndihmojnë në avancimin e mbledhjes së fondeve për të përmbushur qëllimet ambicioze të financimit të Fondit për periudhën afatmesme. Një nga projektet kryesore të Fondit është të përmirësojë rregullat e sigurisë dhe standardet mjedisore të makinave të përdorura në Afrikë. Drejtori i FIA-s për Sigurinë Rrugore dhe Avokatinë Globale, Stefano Ammirati informoi Panelin mbi zhvillimin e mekanizmit të financimit inovativ të FIA-s që synon mbledhjen e fondeve për UNRSF. Gjithashtu, Zv/Presidenti i Rajonit të Azisë Jugore për Bankën Botërore, Hartwig Schafer informoi audiencën në lidhje me “Iniciativën e Impaktit të Investimeve ”, një projekt i udhëhequr nga Banka Botërore dhe mbështetur nga Paneli i FIA-s dhe iRAP, duke synuar të mobilizojë kapitalin privat për sigurinë rrugore.

Frymëzuar nga dokumenti “Lëvizshmëria e Sigurt nga Dizajni: Rivendosja e Llogaridhënies dhe Forcimi i Kulturës së Sigurisë” i Panelit dhe prezantimi i bërë nga ish-Komisionerja e BE-së për Transportin, Violeta Bulc, Anëtarët e Panelit u përfshinë në një diskutim konstruktiv për të identifikuar iniciativat kryesore për të promovuar miratimin e një kulture të sigurisë për transportin rrugor. Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Publicis Groupe, Maurice Lévy theksoi rolin kryesor që komunikimi mund të luajë për të vendosur sigurinë rrugore përsëri në majën e ndërgjegjes kolektive të njerëzve në të gjithë botën. Prof. Claes Tingvall ndau me të pranishmit propozimin “Indeksi i Sigurisë Rrugore të FIA-s”, i cili mund të rrisë raportimin e sigurisë rrugore në sektorin privat falë integrimit të qasjes së Sistemit të Sigurt në të gjithë zinxhirin e vlerës së biznesit.

Së fundmi, Ministrja e Transportit e Kolumbisë, Àngela María Orozco Gómez prezantoi zhvillimet e fundit në procesin e pranimit të vendit në sistemin e Konventave të Kombeve të Bashkuara dhe dha një mesazh inkurajues që tregon rëndësinë e angazhimit politik në nivelin më të lartë për të promovuar ndryshimin strukturor afatgjatë në rrugën e menaxhimit të sigurisë.

“Jam i kënaqur të mirëpres Z.Jean Todt dhe anëtarët e Panelit të Nivelit të Lartë të FIA-s për Sigurinë Rrugore, të cilët si unë, janë të përkushtuar për sigurinë rrugore. Ky vit, i cili ka ndryshuar jetën tonë të përditshme dhe stilin e jetës, është një vit i konsolidimit të veprimeve të vendosura nga Paneli i Nivelit të Lartë të FIA-s për të luftuar kundër vdekshmërisë në rrugë, veçanërisht në vendet në zhvillim. Ne duhet t’i bashkojmë përpjekjet tona në shërbim të kësaj kauze”, deklaroi Princesha e Monakos, Charlène.

“Ne po përballemi me një emergjencë të sigurisë rrugore dhe është përgjegjësia jonë të bashkojmë forcat për ta kapërcyer atë. Është inkurajuese të shohësh nivelin e angazhimit të Anëtarëve të Panelit në drejtimin e zhvillimeve globale të sigurisë rrugore dhe ndjekjen e iniciativave të reja të krijuara për forcimin e një kulture të sigurisë”, deklaroi Presidenti i FIA dhe njëkohësisht Drejtues i Panelit të Nivelit të Lartë të FIA-s, Z.Jean Todt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here