Zhvillohet Kongresi i FIA-s për Evropën Veriore, Todt: Zhvillim i vazhdueshëm i motor sportit

0
615

Fundjavën e kaluar, 80 përfaqësues të 17 Autoriteteve Kombëtare Sportive (ASN) dhe Klubeve Kombëtare të Automobilit (ACN), u mblodhën në Kopenhagen për edicionin e 5 të Kongresit Rajonal Sportiv të FIA-s për Zonën e Evropës Veriore (NEZ).

Gjatë programit dy ditor intensiv (18-19 Tetor), delegatët dhe ekspertët e FIA-s, ndërvepruan dhe bashkëpunuan gjatë një sërë seancash, paneleve të diskutimeve dhe takimeve, ku pjesëmarrësit ndanë eksperiencat e tyre me qëllim për të përcaktuar prioritetet e axhendës sportive të rajonit.

Kongresi u drejtua nga Presidenti i FIA-s, Jean Todt dhe zv/Presidenti i FIA-s për Sportin, Graham Stoker, të cilët kishin mbështetjen dhe drejtimin e Koordinatorit të FIA-s për NEZ dhe njëkohësisht anëtar për Finlandën në Këshillin Botëror të Motor Sportit, Juhani Pakari dhe gjithashtu të Kryetarit të Këshillit të NEZ, Johannes Fraas dhe të Presidentit të Task Forcës së Zhvillimit të FIA ASN, Andrew Papadopoulos.

Kongresi u prit me dashamirësi nga Unioni i Automobilit Sportiv Danez dhe presidenti i tij, z.Henrik Møller-Nielsen.

Një debat intensiv se si të avancojë më mirë motor sporti në rajon, nxori në pah sfidat aktuale, forcimin e marrëdhënieve me qeveritë, si edhe përfitimet dhe ndikimet e politikave të BE-së për sportin. Ekspertët e Sigurisë së Rally-t, përshkruan ciklin e vazhdueshëm të përmirësimeve duke pasur parasysh njëkohësisht pjesëmarrësit në gara dhe spektatorët. Gjithashtu, Departamenti i Kërkimeve në FIA vuri në dijeni pjesëmarrësit për zhvillimet më të fundit për sa i përket pajisjeve, standardeve dhe praktikave më të mira për të përmirësuar sigurinë në motor sport.

Këtë vit, gjashtë sesione të ndryshme takimesh ishin në dispozicion të delegatëve për të eksploruar dhe debatuar zhvillimet në Digital Motor Sport, Elektric Motor Sport, Qëndrueshmërinë, Femrat në Motorsport, Menaxhimin e Rrezikut dhe Sigurisë dhe programeve trajnuese të FIA-s.

“Klubet anëtare nga i gjithë rajoni, duhet të jenë krenarë për arritjet e tyre në zhvillimin e vazhdueshëm të motor sportit. Ky kongres vjetor ka për qëllim që të festohet suksesi i klubeve anëtare, por njëkohësisht duhet që ato të kujtojnë veten për nevojën e të punuarit fort në ndjekje të përmirësimeve edhe më të mëdha. Këtë e kemi bërë përmes një takimi të vlefshëm, debatit të ideve dhe shkëmbimit të praktikave më të mira. Si gjithmonë, ishte një event frymëzues”, deklaroi presidenti i FIA-s, Todt.

“Dua të falënderoj mikpritësit, Unionin e Automobilit Sportiv Danez (DASU) për organizimin dhe mikpritjen e jashtëzakonshme. Edhe pse ishte një program intensiv, ishte kënaqësi që kisha mundësinë të shijoja këtë qytet të zhvilluar”.

“Rajoni është ekstremisht dinamik me 340 evente të regjistruara në kalendarin ndërkombëtar të FIA-s, plus 20 evente të FIA CIK Karting dhe 172 kompeticione ndërkombëtare të vazhdueshme. Rajoni pret 36 raunde të Kampionateve Botërore duke përfshirë 7 Çmime të Mëdha të Formula 1, tetë evente të Kampionatit Botëror të Rally-t, pesë raunde të World Endurance Championship dhe shtatë raunde të Kampionatit Botëror Rallycross”.

“Në Rally, 14 nga 23 shtetet e ftuara në kongres, organizojnë garat ndërkombëtare të vlefshme për kampionatet e FIA në ERT, ERC dhe WRC. Përfshirja e Silk Way Rally në FIA World Cup për kalendarin e Cross Country Rallies, nënkupton që Federata Ruse do të përfaqësohet vitin e ardhshëm”, tha kreu i FIA-s, Jean Todt në fjalën e tij.

“Ne gjithashtu mund të përmendim shumë pilotë të suksesshëm, së fundmi gjatë 2019-ës, kampionin e FIA F2, Nyck de Vries nga Holanda, kampionin e FIA F3, Robert Shwartzman nga Federata Ruse dhe gjashtë pilotët që udhëheqin në World Rallycross. Gjithashtu, ndjekim me interes yjet frymëzues të së ardhmes që po bëjnë përshtypje në eventet e FIA Karting”.

“Në fund të këtij muaji, do të jemi në Romë për edicionin e parë të FIA Motorsport Games ku pjesëmarrës nga ky rajon sportiv bëjnë 44% të numrit total të garuesve në këtë event në të gjitha disiplinat. Veçanërisht, Federata Ruse e Automobilizmit do të ketë pjesëmarrës në të gjashta kategoritë”.

“Për sa i përket qëndrueshmërisë, unë përgëzoj Klubet tona për angazhimin e tyre të fortë për të zvogëluar ndikimin e përgjithshëm mjedisor të aktiviteteve tona”.

“Ky Kongres ka nxjerrë në pah edhe një herë frymën e bashkimit mes Autoriteteve Sportive Kombëtare dhe Klubeve Kombëtare të Automobilit. Vizita jonë në Kopenhagen ishte e shkurtër, por domethënëse. Ne tashmë jemi të lumtur për të parë se çfarë do të arrijë ky rajon gjatë 12 muajve të ardhshëm”, deklaroi në fjalën e tij gjatë Kongresit të NEZ, presidenti i FIA-s, Jean Todt.

Kujtojmë që Kongresi Vjetor Sportiv i Zonës së Evropës Qendrore (CEZ), do të mbahet në Tiranë në datat 12-14 Dhjetor 2019. Automobile Club Albania do të jetë mikpritëse e këtij Kongresi të rëndësishëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here