Zhvillohet Edicioni i 10-të i Konkursit Kombëtar Të Sigurt mbi Dy Rrota

0
813

Tradita vazhdon. Automobile Club Albania organizon Edicionin e 10-të të Konkursit Kombëtar Edukativ, “Të Sigurt mbi Dy Rrota”. Një konkurs i nisur 10 vite më parë, është kthyer në një traditë në vendin tonë. Nëpërmjet këtij konkursi, synohet edukimi i të rinjve me rregullat e qarkullimit në rrugë si edhe të pedalojnë të sigurt në rrugë. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, ky edicion jubilar u organizua vetëm me një finale, e cila u zhvillua në ambientet e ExpoCity. Me pjesëmarrjen e 11 shkollave, të cilat përfaqësoheshin nga dy nxënës, një djalë dhe një vajzë të moshës 10-12 vjeç, u zhvillua Edicioni i 10-të i këtij konkursi. Në përfundim, u shpall fituese shkolla “Servete Maçi”. Ndërsa, në vend të dytë dhe të tretë u renditën respektivisht, shkolla “Jeronim De Rada” dhe “Vasil Shanto”.

Konkursi

Ndryshe nga vitet e tjera kur ky konkurs është shtrirë në të gjithë Shqipërinë, këtë vit për shkak të pandemisë, u zhvillua me vetëm një finale. Në këtë edicion jubilar, morën pjesë 11 shkolla: “Servete Maçi”, “Jeronim De Rada”, “Vasil Shanto”, Jorgji Dilo”, “Pjetër Budi”, “Siri Kodra”, “Dora D’Istria”, “Edith Durham”, “Fan Noli”, “Misto Mame” dhe “Kushtrimi i Lirisë”. Të gjithë nxënësit pjesëmarrës dhanë maksimumin e tyre dhe dhuruan një konkurs shumë të bukur dhe tërheqës. Në përfundim të tij, Omaira Doçi dhe Albion Isufi, të cilër përfaqësonin Shkollën “Servete Maçi”, u reditën të parët me 103 pikë. Në vend të dytë u pozicionuan Ergi Hëna dhe Abrienda Bajraktari, të cilët përfaqësonin shkollën “Jeronim De Rada”. Në vend të tretë u renditën Almarin Prenga dhe Adea Muhametaj që përfaqësonin shkollën “Vasil Shanto”.

Qëllimi

Legjislacioni dhe rregullat rrugore, së bashku me kujdesin nga ana e të gjithë përdoruesve të rrugës, janë ndër parakushtet më themelore për sigurinë e fëmijëve, të cilët e përdorin rrugën si këmbësorë dhe si çiklistë. Në të njëjtën kohë, fëmijët duhet të dinë se si të kontrollojnë biçikletat e tyre edhe në situata të vështira, të kenë njohuri dhe të jenë të gatshëm të sillen në mënyrë të përshtatshme. Një sjellje e tillë mund t’u mësohet fëmijëve përmes një edukimi të vazhdueshëm mbi sigurinë rrugore, si në shtëpi ashtu edhe në shkollë. Edukimi gjithëpërfshirës dhe i vazhdueshëm i fëmijëve mbi sigurinë rrugore, ka një rëndësi të madhe në përcaktimin e sjelljes si përdorues të rrugës në të ardhmen. Konkursi Kombëtar për Edukimin mbi Sigurinë Rrugore “Të Sigurt mbi Dy Rrota” është menduar si një nxitje për zhvilluar te fëmijët edukimin mbi trafikun rrugor dhe të tërheqë vëmendjen e publikut, të shkollave si edhe autoriteteve kryesore të interesuara për këtë çështje. Nëpërmjet këtij konkursi, ACA synon të inkurajojë të gjithë grupet e interesit që të angazhohen për promovimin e sigurisë së fëmijëve në rrugë. Ndërkaq, gjatë fjalës së tij në ceremoninë hapëse të konkursit, Sekretari i Përgjithshëm i Auto Club Albania, Z.Eridon Lameborshi deklaroi: “Falënderojmë të gjithë fëmijët dhe profesorët e Edukimit Fizik, të cilët na u përgjigjën brenda një kohe shumë të shkurtër për të marrë pjesë në këtë finale të konkursit “Të Sigurt mbi Dy Rrota”. Për të mos e humbur këtë vit ashtu si ai i kaluari për shkak të pandemisë, vendosëm që të zhvillonim një finale, në mënyrë që të vazhdojmë traditën”. Ndërsa, përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Z.Fadil Reka, në fjalën e tij përshëndetëse në ceremoninë hapëse, ndër të tjera tha: “Organizimi i këtij Konkursi u arrit në një kohë rekord, sigurisht duke pasur mbështetjen e Znj.Nora Malaj me të cilën kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë të gjjithë këtyre ditëve. Këto aktivitete janë shumë të mira, sidomos për fëmijët, të cilët i ndihmon në edukimin e tyre”. Ndërkaq, Drejtoresha e Konkursit, Znj.Nora Malaj deklaroi: “Është viti i 10-të që realizohet ky konkurs, i cili ka disa qëllime. E para ndihmon fëmijët që të mësojnë të demontrojnë dhe ta kenë biçikletën shokun më të ngushtë që të ecin të sigurt mbi dy rrota. Ky konkurs ka për qëllim që në rrugët ku mund të ecet me biçikletë, ju, jo vetëm të ecni të sigurt me biçikletë, por të ndihmoni edhe të tjerët që të ecin të sigurtë mbi biçikletë”.

ETEC 2021

Katër nxënësit e dy shkollave që u renditën në dy vendet e para, do të përfaqësojnë Shqipërinë në Konkursin Europian “European Traffic Education Contest 2021” që do të zhvillohet në Zadar, Kroaci. Auto Club Albania është përfaqësuar në çdo edicion të “ETEC” dhe do të bëjë të njëjtën gjë edhe këtë vit. Në këtë mënyrë, Auto Club Albania vazhdon traditën e pjesëmarrjes në këtë konkurs ndërkombëtar dhe të njëjtën gjë do të bëjë edhe në këtë vit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here