Të sigurt mbi dy rrota / Qershor 2011

0
1464

Automobile Club Albania organizoi për të parën herë Konkursin Kombëtar për Edukimin në Lidhje me Sigurinë Rrugore “Të sigurt mbi dy rrota”. Ndër njëzet fëmijët pjesëmarrës, katër prej tyre do të përfaqësojnë Shqipërinë në Konkursin Evropian për Edukimin në Lidhje me Sigurinë Rrugore të organizuar nga FIA

Legjislacioni mbi qarkullimin rrugor dhe rregullat e trafikut, së bashku me kujdesin dhe largpamësinë nga ana e të gjithë përdoruesve të rrugës, janë ndër parakushtet më themelore për sigurinë e fëmijëve, të cilët e përdorin rrugën kryesisht si këmbësorë dhe si çiklistë. Në të njëjtën kohë, fëmijët duhet të dinë se si të kontrollojnë biçikletat e tyre edhe në situata të vështira, të kenë njohuri të qartë të rregullave të qarkullimit rrugor në situata të rrezikshme të trafikut dhe të jenë të gatshëm të sillen siç duhet në trafik. Një sjellje e tillë e sigurt mund të ndërgjegjësohet tek fëmijët përmes një edukimi të vazhdueshëm rreth trafikut dhe rregullave të qarkullimit, si në shtëpi ashtu edhe në shkollë.
Edukimi gjithëpërfshirës dhe i vazhdueshëm mbi trafikun tek fëmijët ka një rëndësi të madhe në përcaktimin e sjelljes si përdorues i rrugës në të ardhmen. Konkursi Kombëtar për Edukimin në Lidhje me Sigurinë Rrugore “Të sigurt mbi dy rrota” u mendua me këtë qëllim. Ai u ideua si një nxitje për të përmirësuar edukimin ndaj trafikut për të gjithë fëmijët dhe për të tërhequr vëmendjen e publikut, shkollave si edhe autoriteteve kryesore në dijeni të rëndësisë së kësaj detyre. Nëpërmjet këtij konkursi, ACA (Automobile Club Albania) synon të inkurajojë organet e interesuara për të zgjeruar aktivitetet e tyre me synim promovimin e sigurisë së fëmijëve në rrugë.
Konkursi “Të sigurt mbi dy rrota”, që u zhvillua për herë të parë në Qershor 2011, pa si pjesëmarrës 20 fëmijë nga Tirana të moshës 10-12 vjeç, dhjetë djem e dhjetë vajza, të cilët vunë në provë aftësitë e tyre në përdorimin korrekt të biçikletës në rrugë si dhe njohjen e rregullave të qarkullimit. Konkursi përbëhej nga dymbëdhjetë ushtrime që synonin mësimin e fëmijëve me situata të mundshme kritike në rrugë, si për shembull kalimin e pengesave të ndryshme, kthimin e kokës prapa për të studiuar mjetet ndjekëse përpara ndërrimit të korsisë apo marrjes së kthesës, kalimin ndërmjet makinave në trafik, etj. Çdo ushtrim parashikonte 20 pikë bonus, nga i cili zbriteshin pikë në formën e penalitetit për çdo gabim të kryer gjatë ushtrimit, si për shembull uljen e këmbës në tokë, heqjen e dorës nga timoni, tejkalimin e kohës maksimale të lejuar për ushtrimin, etj. Përpara fillimit të ushtrimeve fëmijët u pajisën me veshjet mbrojtëse përkatëse (kokore, mbrojtëse për kyçet, bërrylat dhe gjunjët), një tjetër element që synonte ti ndërgjegjësonte fëmijët me rëndësinë e mbrojtjes gjatë përdorimit të biçikletës. Në përfundim të gjithë ushtrimeve u zhvillua edhe një konkurs i vogël vizatimi me tema mbi sigurinë rrugore dhe u krijua një ekspozitë me vizatimet e gjithë fëmijëve pjesëmarrës.
Ndër njëzet pjesëmarrësit, dy djemtë dhe dy vajzat me rezultatet më të mira u përzgjodhën fitues të konkursit “Të sigurt mbi dy rrota” dhe do të marrin pjesë në konkursin Evropian për Edukimin në Lidhje me Sigurinë Rrugore “FIA European Traffic Education Contest” të organizuar nga FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilit).