Siguria në motorsport, FIA mbledh stjuardët nga e gjithë bota

0
661

Siguria në garat e motorsportit është një prej pikave kryesore të një eventi, pasi ka lidhje direkte me sigurinë e jetës së pilotëve, spektatorëve dhe organizatorëve të kompeticioneve. Dhe për këtë qëllim, FIA organizoi dy ditë më parë Edicionin e 4-t të “FIA International Stewards” me synim promovimin e sigurisë së përsosur.

Më shumë se 150 oficerë sigurie të garave dhe eventeve rally nga e gjithë bota, u mblodhën në një seminar 2-ditor në Gjenevë për të shkëmbyer eksperiencë dhe për të ruajtur një standard të lartë të sigurisë në motor sport.

Ky seminar që zhvillohet çdo vit që prej 2017-ës, shërben për ndarjen e eksperiencës dhe njohurive midis profesionistëve të përfshirë në një larmi garash ndërkombëtare të motor sportit.

Nënkryetari i FIA-s për Sportin, Graham Stoker hapi seminarin duke theksuar rëndësinë e rolit të stjuardëve në kompeticionet e motor sportit dhe kompleksitetin e sfidave me të cilat ata përballen. Seminari hapi rrugën për një shqyrtim të disa rasteve reale që kanë ndodhur në gara, duke mbuluar një gamë të gjerë aspektesh praktike, nga përplasjet në pistë e deri tek shkeljet e pretenduara në “parc ferme”(vendi ku grumbullohen dhe kontrollohen makinat që marrin pjesë në garë). Oficerët Ndërkombëtarë të Sigurisë së FIA-s, Garry Connelly, Tim Mayer dhe Dennis Dean ishin disa prej atyre që drejtuan diskutimin.

Formati interaktiv u dha mundësinë delegatëve që të votonin online duke dhënë vendimet e tyre për incidentet e zgjedhura që kanë ndodhur në garat e motor sportit.

Rastet e përzgjedhura ishin marrë nga disa kompeticione si Formula 1, ABB FIA Formula E, FIA Formula 2 dhe DTM. Çdo rast u pasua nga një sesion pyetje-përgjigjesh duke lejuar oficerët e sigurisë që të shqyrtojnë specifikat e secilit skenar.

Një prej momenteve kryesore të seminarit ishte Paneli i Konkurrentëve që ishte i përbërë nga kampioni i World Rallycross, Timmy Hansen, Drejtori i ekipit Audi Sport në Formula E, Allan McNish, Drejtori Sportiv i Red Bull Racing, Jonathan Wheatley dhe Drejtori i ekipit M-Sport, Richard Millener. Të gjithë këta figura drejtuese nga kampionatet më elitare të njohura nga FIA, ndanë eksperiencat e tyre në marrjen e vendimeve përfundimtare të stjuardëve.

Presidenti i FIA-s, Jean Todt deklaroi: “Siguria në motor sport është një sfidë jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe ne duhet të vazhdojmë të synojmë përsosmëri në këtë aspekt për të siguruar gara të sigurta dhe të ndershme. Kjo është edhe arsyeja që FIA ka vendosur të organizojë çdo vit programin “International Stewards”. Unë jam i sigurt se përmes kësaj qasje ndërvepruese, do të vazhdojmë ta vendosim sigurinë ndërkombëtare si pikë referimi. Dua ti uroj të gjithë oficerëve të sigurisë që erdhën në Gjenevë, një sezon të mbarë gjatë 2020-ës në disiplinat ku ata janë të përfshirë”.

Sekretari i Përgjithshëm për Sportet, Peter Bayer tha: “Është kënaqësi dhe nder që të marrësh pjesë çdo vit në programin “International Stewards”. Ky seminar është bërë një event edukues jashtëzakonisht i njohur për oficerët e sigurisë në të gjithë spektrin e disiplinave të motor sportit dhe një mundësi e shkëlqyer për ta që të shkëmbejnë eksperiencat e tyre. Faleminderit drejtuesve të stjuardëve nga kampionatet e FIA-s për mjetet thelbësore që vendosën në dispozicion dhe mënyrën se si ato duhet të përdoren siç duhet. Gjithashtu, kishte prezantime edhe nga Departamenti i FIA-s për Qeverisje, Integritet dhe Çështjet Rregullative, Departamenti i Sigurisë së FIA-s dhe departamenteve të ndryshme të FIA-s. Studimi i rasteve dhe shembujve ishin një tipar kryesor i programit, duke rezultuar shumë efektiv që kur e përfshimë për herë të parë vitin e kaluar”.

Ndërsa, oficeri ndërkombëtar i sigurisë së FIA-s, Garry Connelly u shpreh: “Edicioni i këtij viti i programit ‘International Stewards’ ishte shumë intensiv. Këtë vit, ne përdorëm më shumë shembuj praktik, shumë raste të studiuara dhe më pak teori. Është një gjë shumë e mirë që të shohësh më shumë stjuardë këtu, njerëz të rinj që marrin pjesë në kompeticionet e nivelit ndërkombëtar. Është gjithashtu shkëlqyeshëm që të shohësh më shumë femra pjesëmarrëse. Ishte shumë interesante të dëgjoje nga konkurrentët e disiplinave të ndryshme se si ata e perceptojnë punën që ne bëjmë. Kemi pasur një numër shumë të madh të diplomuarish të suksesshëm të programit që do të punojnë në kampionatet e FIA-s dhe shpresojmë se do të kemi edhe më shumë nga klasa e vitit 2020”.

Ju kujtojmë se Auto Club Albania që është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, organizon prej gjashtë vitesh garën “Trofeu Skënderbej”, e vlefshme për kampionatin Hill Climb të Zonës Sportive të Evropës Qendrore (CEZ-FIA). Gara ndërkombëtare zhvillohet në Malin e Krujës (Sarisalltik) dhe marrin pjesë pilotë nga vende të ndryshme të Evropës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here