Shqipëria në “FIA Motorsport Games”, ja rivalët e ekipit kuqezi në “Karting Slalom Cup”

0
1078

Shqipëria do të përfaqësohet për herë të parë në një Kampionat Botëror siç është “FIA Motorsport Games”. Në kompeticionin më të ri ndërkombëtar të FIA-s që zhvillon edicionin e tij të parë këtë vit në Romë më 1-3 Nëntor, do të marrin pjesë edhe dy të rinj shqiptarë, një vajzë dhe një djalë.

Klubi i Automobilit të Shqipërisë që është anëtar i FIA-s dhe organi përgjegjës në vendin tonë, organizoi në gusht të këtij viti garën ACA Karting Slalom 2019 ku morën pjesë vajza dhe djem 14-16 vjeç. Në fund të garës që konsiston në drejtimin e karteve me shpejtësi të reduktuar përmes piketave të vendosura në pistë, për femra u shpall fituese Alexia Karaguni dhe për meshkuj, Kristofor Mjeshtri.

Të dy këta të rinj do të përfaqësojnë flamurin kuqezi në “FIA Motorsport Games” që do të zhvillohet pas disa ditësh në kryeqytetin e Italisë. Në faqen zyrtare të kampionatit ndërkombëtar, “fiamotorsportgames.com”, është publikuar edhe lista e 56 pilotëve, një vajza dhe një djalë që do të përfaqësojnë 28 shtetet pjesëmarrëse në disiplinën e Karting Slalom Cup në këtë kompeticion të rëndësishëm.

FIA ju bën një përshkrim të gjithë pilotëve që do të garojnë në cirkuitin e Vallelunga në Romë në fillim të nëntorit.

Shqipëria është fokusuar vetëm te Karting Slalom Cup në “FIA Motorsport Games”. Shpresat e këtij shteti për të dërguar një medalje në shtëpi, janë te 15-vjeçarja Alexia Karaguni dhe shoku i saj i skuadrës, 14-vjeçari Kristofor Mjeshtri.

Austria do të përfaqësohet për femra nga 14-vjeçarja Jorden Dolischka, e cila vjen me eksperiencën e pjesëmarrjes në “CIK-FIA Karting Academy Trophy”. Për meshkuj do të garojë Charlie Wurz që ndjek traditën familjare. Babai Alexander ka fituar dy herë Le Mans 24 Hours, ndërsa është ngjitur tre herë në podiumet e Kampionatit Botëror të Formula 1. Gjyshi i tij Franz ka qenë tre herë fitues i FIA European Rallycross Championship. Tashmë, Charlie i ri po nis karrierën e tij në sport dhe këtë vit ka garuar së bashku me Dolischka në “CIK-FIA Karting Academy Trophy”.

Bjellorusia do të garojë në katër disiplina këtë vit në “FIA Motorsport Games” duke përfshirë këtu edhe Karting Slalom Cup. 15-vjeçarja Kseniya Shuba dhe 16-vjeçari Aliaksei Savin do të përfaqësojnë vendin e tyre në Karting Slalom. Ndërsa, Belgjika do të marrë pjesë me 14-vjeçaren Manon Degotte që këtë vit ka marrë pjesë në “24 Heures Karting de Francorchamps”. Ajo do të shoqërohet nga 15-vjeçari Antoine Morlet që fitoi titullin për të rinj në kampionatin e Kartingut në Belgjikë në 2018-ën.

Ekipi i Kroacisë përfaqësohet nga 16-vjeçarët Stefani Mogoroviç dhe Sandro Ivanjko në “FIA Motorsport Games”. Ata u renditën në krye në garën kualifikuese që u zhvillua në Zagreb në fund të Gushtit. Çfarë mund të thuash më shumë për të dy pilotët që kanë një eksperiencë të konsiderueshme në pistat e kartingut në vendin e tyre?

Danimarka ka synime ambicioze për pjesëmarrjen në edicionin e parë të FIA Motorsport Games ku do të marrë pjesë në pesë nga gjashtë disiplina. Në Karting Slalom Cup, ky vend do të përfaqësohet 15-vjeçarët Sarah Kronborg Madsen dhe Jonas Jakobsen. Të dy të rinjtë e fituan të drejtën pasi shkëlqyen në një projekt pilot në shkolla të organizuar nga Autoriteti Nacional Sportiv i Danimarkës (DASU).

Franca ka zgjedhur dy 15-vjeçarë shumë cilësorë për këtë disiplinë, Doriane Pin dhe Esteban Masson. E para është fituese e FIA Women në Motorsport Winfield Award, ndërsa i dyti kampion në Francë. Gjeorgjia do të përfaqësohet nga 15-vjeçarja Elizaveta Bagramovi dhe 16-vjeçari Nika Kobosnidze që kanë eksperiencë në kompeticionet e kartingut.

Karting Slalom ka njohur një rritje të shpejtë në Gjermani duke i bërë pilotët e këtij shteti, Janina Burkard dhe Florian Vietze favoritët kryesorë për të fituar në “FIA Motorsport Games”. Të dy provuan aftësitë e tyre këtë sezon në karting me Vietze që fitoi titullin kampion në Gjermani për moshën e tij. Dorka Kiss për femra dhe Bálint Németh për meshkuj janë përzgjedhur për të përfaqësuar Hungarinë. Të dy do të mbushin 14 vjeç gjatë ditëve të kompeticionit dhe do të përbëjnë ekipin hungarez që këtë edicion do të garojë në 5 disiplina të “FIA Motorsport Games”.

India do të marrë pjesë në këtë event me dy pilotët me eksperiencë, 15-vjeçarja Shravanthika Lakshmi Shyam Kumaar dhe 16-vjeçari Suriyavarathan Karthikeyan. Ndërsa, Izraeli do përfaqësohet nga Yarden Oved dhe Ben Pinto.

Italia që është vendi pritës do të përfaqësohet nga Emma Segattini dhe Paolo Gallo. Segattini ka fituar National Trophy për femra në 2018-ën, ndërsa Gallo ka garuar në “CIK-FIA World Championship”. Ekipi i Kuvajtit do të udhëtojë drejt Italisë me një delegacion të madh ku në Karting Slalom Cup do të garojnë Hessa Alfares dhe Marshad Almarshad.

Letonia do të prezantohet nga 16-vjeçarja Emīlija Bertāne dhe vëllai i saj Nikolass Bertāns. Të dy kanë thyer dhëmbët në makinat kart dhe tashmë do garojnë në “FIA Motorsport Games”. 14-vjeçari Nikolass, kohët e fundit po merr pjesë edhe në kompeticionet “drift”. Lituania ka zgjedhur të garojë me 15-vjecaren Skaistė Petrauskaitė dhe 14-vjeçarin Kajus Šikšnelis. Ky i fundit shkon në Vallelunga me vetbesim pasi është shpallur kampion këtë vit në “CIK-FIA Karting Academy Trophy”.

Prezanca e ekipit të Meksikës me 16-vjeçaren Andrea Sierra Ruíz dhe 15-vjeçarin Flavio Emil Bustamante Abed, sigurojnë përfaqësimin e Amerikës së Veriut në Karting Slalom Cup. Holanda ka thirrur në ndihmë Nina Pothof, një finaliste e “Girls on Track Karting Challenge”, kompeticion i krijuar nga FIA që synon të promovojë dhe zhvillojë talentin për gara te vajzat e reja. Asaj do ti bashkohet edhe Bastiaan Van Loenen që vjen me një eksperiencë të madhe dhe ndërkombëtare kartingu.

Norvegjia përfaqësohet nga Mina Louise Nilsen Pedersen dhe Marcus Myrseth që të dyja kanë njohuri shumë të mirë për motorsportin. Flamuri polak do të valëvitet nga Sara Sandra Kałuzińska që ka qenë pjesë e programit “Girls on Track” dhe fituesi i titujve të garave të kartingut në vendin e tij, Krzysztof Gardziel.

Portugalia ia ka besuar përfaqësimin e vet në Karting Slalom Cup dy binjakëve, Matilde dhe Martim Fidalgo. Matilde ka qenë gjithashtu edhe finaliste në “Girls on Track Karting Challenge”.

Rusia ka shpallur synimet e veta në “FIA Motorsport Games” me pjesëmarrjen në të gjashtë disiplinat e kampionatit. Në Karting Slalom Cup do garojnë 16-vjeçarët, Olesia Vashchuk dhe Vladislav Bushuev. Serbia i ka shpresat te dy 15-vjeçarë, Aleksa Lazarac and Nikola Tošić që kanë një eksperiencë të konsiderueshme në pistë. 14-vjeçarët Barbora Bauerová dhe Michal Vilim do garojnë për Sllovakinë. Bauerová ka qenë pjesë e konkurrenteve të “Girls on Track”.

Edhe një finaliste e “Girls on Track”, Anna Glaerum do të jetë pjesëmarrëse në Karting Slalom Cup. Së bashku me shokun e saj të skuadrës, Alxander Spetz që ka pasur sukses të konsiderueshëm në garat në vendin e tij përpara se të merrte pjesë edhe këtë vit në “CIK-FIA Karting Academy Trophy”, do të përfaqësojnë Suedinë në FIA Motorsport Games.       

Duke vazhduar me garuesit, 14-vjeçarja Sitavee Limnantharak do të përfaqësojë Tailandën në FIA Motorsport Games. Shoku i saj i skuadrës, 15-vjeçari Ananthorn Tangniannatchai ka eksperiencë në Rotax Max dhe këtë vit ka bërë hapat e tij të parë në garat me makina 1-vendëshe.

Ukraina do përfaqësohet në këtë kompeticion nga Veronika Kononenko që do të mbushë 16 vjeç përpara se të nisë kampionati, dhe shoku i skuadrës 15-vjeçari Heorhii Krasko. Mbretëria e Bashkuar do marrë pjesë nga dy 14-vjeçarë. Jessica Edgar vjen nga një prej familjeve më të famshme përsa i përket kartingut në vendin e vet. Gjyshi i saj Terry, i ati Jason dhe daja Justin kanë qenë të gjithë ish-kampionë të Mbretërisë së Bashkuar. Shoku i saj Samuel Shaw ka përvojë të madhe në vendin e tij dhe këtë vit ka marrë pjesë në IAME Euro Series.

Kampionati Botëror “FIA Motorsport Games” është një kompeticion i ri ku do të zhvillohen gara në gjashtë disiplina: GT Cup, Touring Car Cup, Formula 4 Cup, Drifting Cup, Karting Slalom Cup dhe Digital Cup. Eventi do të zhvillohet në Romë në cirkuitin Vallelunga dhe pilotët do të garojnë për të fituar medaljet e arta, të argjendta dhe të bronzta duke përfaqësuar flamurin e vendit të tyre. Rezultatet në çdo disiplinë do të prodhojnë një renditje të përgjithshme medaljesh, ndërsa Autoriteteve Sportive Kombëtare (ASN) që do të renditen në krye të saj, do tu jepet një çmim gjatë ceremonisë përmbyllëse të këtij kompeticioni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here