Sfida e Karteve, FIA afron femrat në botën e motor sportit

0
803

Skuadra Evropiane e përbërë nga gjashtë femra që u përzgjodhën nga finalja “Girls on Track Karting Challenge” përfundoi trajnimin e dytë të FIA-s që është krijuar për ti mbështetur ato në një program sportiv dhe edukativ për motor sportin. Kampingu i dytë që u zhvillua në Genk dhe Veldhoven ishte i fokusuar në aftësitë drejtuese dhe përshtatshmërinë, ndërsa eventi përmbyllës final që do të mbahet në tetor në Bruksel, do të jetë i fundit i një serie intensive aktivitetesh të destinuara për të ndihmuar përfshirjen e femrave të reja në motor sport dhe për ti mbështetur ato që të gjejnë në mënyrë të suksesshme rrugën e tyre në ngjitjen e shkallëve në sport.

Programi Evropian i FIA-s për vajzat e reja, “Girls on Track Kartin Challenge” që mbështetet dhe financohet nga programi i Bashkimit Evropian “Erasmus”, fton vajzat e reja që të bëjnë një provë në eventet urbane të kartingut në nëntë shtete evropiane. Dhe gjithçka kulmoi me një finale evropiane në Le Mans në mars të këtij viti ku gjashtë vajza të reja ambicioze dhe të talentuara u përzgjodhën për të qenë pjesë e dy kampeve trajnuese për të mbështetur dhe zhvilluar karrierën e tyre në botën e vështirë të motor sportit.

Pas kampit të parë trajnues që u zhvillua gjatë raundit të dytë të “FIA World Touring Car Cup”, ku vajzat e reja ishin plotësisht të përfshira në të gjitha aspektet mbrapa skenës në garën e Hungarisë, kampi i dytë trajnues ishte i fokusuar te drejtimi i kartit dhe përshtatshmëria. Ditën e parë të programit 4-ditor, vajzat morën drejtimin e karteve në pistë për një numër të caktuar xhirosh trajnuese, ndërsa performanca e tyre u vlerësua imtësisht përmes analizës së të dhënave nga trajnerët dhe njëkohësisht ish-kampioni i Botës i “CIK FIA Academy Trophy” dhe kampion i dyfishtë i Formula 4, Richard Verschoor.

“Java ishte e vështirë për femrat dhe ne të gjithë mbetëm shumë të impresionuar nga ato. Pavarësisht kushteve të vështira të motit, ato vazhduan me drejtimin e karteve, sportin, përshtatjen, garat dhe parakalimet. Ishte vërtet e këndshme të shihnim zhvillimin e tyre dhe ne padyshim mund të shohim disa talente të lindura”, tha trajneri, Mats Van Den Brand.

Ditën e dytë u zhvilluan seanca në simulatorët profesionalë në bazën holandeze, “Adrenaline Xperience” që gjithashtu u panë me imtësi nga piloti profesional gjerman i GT, Xavier Maassen me telemetri për çdo garë duke siguruar vajzat që të mund të analizojnë dhe përmirësojnë performancat e tyre. Trajneri fizik i shumë pilotëve të Formula 2 dhe 3, Carlos Corell, kishte detyrë të nënvizonte rëndësinë e shëndetit dhe të ushqyerit, për të ndihmuar vajzat që të ndërtojnë një program për të optimizuar përshtatjen, forcën dhe qëndrueshmërinë. Temperaturat ekstreme në Belgjikë dhe Holandë ishin shumë larg atyre idealeve gjatë seancave të drejtimit të karteve nga vajzat, por megjithatë krijuan mundësinë për të parë rëndësinë e hidratimit dhe përshtatjen në pikun e temperaturave. Dy ditët e fundit u shpenzuan në pistën e Eindhoven dhe Genk ku vajzat morën pjesë në vrapime kualifikuese, sprint dhe gara rezistence ndaj kohës.

“Dy kampet trajnuese i dhanë vajzave një pasqyrë unike për sportin duke i treguar atyre gjithashtu që ka një mundësi të pasur, njëkohësisht brenda dhe jashtë rruge”, tha Presidentja e FIA Women në Komisionin e Motorsportit, Michèle Mouton. “Programi i FIA-s, ‘Girls on Track’ synon të frymëzojë dhe promovojë përfshirjen e femrave në sportet tona dhe gjatë dy viteve të fundit, ne kemi kontaktuar me qindra vajza të reja duke u përpjekur të tregojmë që çdo aspekt është i hapur për to si një mundësi potenciale për karrierë. Çdo vajzë e re që hedh këtë hap për të hyrë në botën e motor sportit, na bën që të jemi më afër qëllimit tonë të barazisë gjinore dhe rritjen e pjesëmarrjes së femrave në sport”.

Tashmë, me njohuri të pasura për të gjitha aspektet e botës së motor sportit, gjashtë vajzat e reja janë të pajisura dhe gati për të vazhduar rrugën e tyre më lart në këtë arenë konkurruese. Tashmë, ato do të thirren në Bruksel më 2 tetor për Konferencën Përmbyllëse në Komisionin Evropian. Presidenti i FIA-s, Jean Todt së bashku me Michèle Mouton do të dorëzojnë fjalimet kryesore te zyrtarët e mbledhur të Bashkimit Evropian, institucionet publike, organizatat ndërkombëtare sportive dhe partnerët e projektit, si edhe do të marrin pjesë në një diskutim në panel me zyrtarët e EU në lidhje me barazinë gjinore dhe bazat e motor sportit.

Më poshtë mund të lexoni opinionet e gjashtë vajzave në lidhje me kampin e dytë trajnues dhe të ardhmen.

Michalina Sabaj, Poloni

“Gjatë kampit, pata mundësinë për të drejtuar dhe trajnuar duke fituar shumë eksperiencë. Kishte momente të ndryshme, ndonjëherë pak të vështira, por ky kamping ishte me të vërtet frytdhënës për mua. Pas kampit trajnues ‘Girls on Track’, morra pjesë në Kampionatin Polak të Karteve dhe në raundet “ROK Cup Poland”. Ëndërroj rreth Formula 4 dhe shpresoj që ëndrra ime për motor sportin të mos prishet. Jeta është një garë”.

Nina Pothof, Holandë

“Nëse qëllimi nuk të tremb, atëherë qëllimi yt nuk është mjaftueshëm i fortë. Kam mësuar shumë këtë javë dhe trajnerët më kanë ndihmuar për të më shtyrë drejt limiteve të mia. Që gjatë kampit të parë trajnues, unë kam vazhduar të garoj në kampionatin gjerman, por njëkohësisht kam garuar në KZ për herë të parë. Kam në plan që të testohem në Formula BRL (Benelux Racing League) në shtator. Po shoh përpara që të drejtoj një makinë në Formula. Gjithashtu, dua të kem licencën time që në këtë mënyrë mund të garoj me makina në Formula dhe të marr eksperiencë”.

Maja Hallén Fellenius, Suedi

“Gjatë këtij kampi, ne kemi punuar shumë me profesionistë gjatë kohës që kemi drejtuar kartet dhe simulatorët dhe mendoj se kjo më ka ndihmuar shumë që të zhvilloj aftësitë e mia. Që prej kampingut të fundit, kam provuar garën time të parë të makinave dhe gjithashtu kam dhënë disa intervista dhe mendoj se eksperienca ime me “Girls on Track” më ka ndihmuar mua të kem sukses. Synimi im për të ardhmen është që të kem mundësinë të marr pjesë në sfidën “MRF” në fund të këtij viti dhe qëllimi përfundimtar është që të garoj në Formula E dhe të bëhem e para femër kampione bote aty. Shpresoj se do të kem ndihmën nga FIA dhe nga ky program për të arritur synimet e mia”.

Anna Glaerum, Suedi

“Plani im për të ardhmen është që të vazhdoj të stërvitem mirë dhe të hyj në nivelet më të larta. Kam mësuar shumë nga ky trajnim rreth drejtimit, përshtatshmërisë, hidratimit dhe të ushqyerit. Që prej kampingut të fundit, kam vazhduar të praktikoj kartingun dhe gjithashtu jam stërvitur shumë”.

Matilde Fidalgo, Portugali

“Me këtë trajnim, kam mësuar shumë dhe kam nisur të kuptoj më mirë garat dhe aspektet e rëndësishme në lidhje me ushqyerjen dhe ushtrimet. Pas trajnimit të fundit, kam nisur të garoj në kampionatin portugez, por synimi im madhor është të bëhem një pilote e Formula 1 dhe të fitoj titullin”.

Joanna Piëoëarek, Poloni (zëvendësoi Milja Kukkonen nga Finlanda për shkak se ishte e sëmurë)

“I jam bashkuar kampingut trajnues pas takimit në Hungaroring dhe ndihem se kam bërë shumë progres. Ndonjëherë nuk është e lehtë, por unë dëshiroj shumë që të vazhdoj me motor sportin, sepse e dashuroj atë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here