Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) organizoi sot për herë të parë Konferencën shqiptaro-greke, “Së bashku për Sigurinë Rrugore” në bashkëpunim me Ambasadën e Greqisë në Shqipëri, me të ftuar specialë përfaqësues të lartë nga institucionet greke të fushës së transportit rrugor dhe të edukimit për trafikun dhe sigurinë rrugore. Një takim i përbashkët mes Shqipërisë dhe Greqisë, së bashku me aktorë të shquar nga grupet e interesit, për të diskutuar mbi situatën aktuale të sigurisë rrugore në të dyja vendet fqinje, me qëllim nisjen e bashkëpunimit për promovimin dhe zhvillimin e programeve të përbashkëta edukative mbi sigurinë rrugore dhe kulturën e trafikut, në një horizont rajonal e evropian.
Në këtë takim mori pjesë edhe Automobile Club Albania ku Sekretari i Përgjithshëm, Z.Eridon Lameborshi ishte pjesë e panelit për prezantimin e projekteve dhe diskutime për të promovuar sigurinë rrugore.