Rrally dhe Cross-Country, FIA organizon seminar me zyrtarët e eventeve

0
835

Fundjavën e kaluar më 17-18 Janar, u zhvillua në Pragë seminari i zyrtarëve të FIA-s për disiplinat Rally dhe Cross-Country, i pari që bëri bashkë të dyja disiplinat. Në këtë seminar morën pjesë 206 zyrtarë dhe përfaqësues të komunitetit të rally dhe cross country së bashku me ekspertë dhe folës. Diskutimet e këtij viti përfshinë rregullore, siguri, aspekte praktike të punës së zyrtarëve të rally-t dhe akreditim mjedisor, të udhëhequr nga departamentet përkatëse të FIA-s.

Delegatët, zyrtarët, vëzhguesit dhe organizatorët e eventeve, përfaqësonin 48 Autoritete Kombëtare Sportive, kaluan dy ditë produktive në selinë madhështore dhe historike të Auto Club-it të Republikës Çeke në Pragë, ku morën pjesë në seminare interaktive, takime dhe workshop-e.

Pas një fjalimi hapës me video të Presidentit të FIA-s, Jean Todt, Drejtori i FIA Rally, Yves Matton hapi zyrtarisht punimet e seminarit, i ndihmuar nga Menaxheri i Regional Rally, Jérôme Roussel dhe Presidentja e Komisionit të FIA Cross-Country Rally, Jutta Kleinschmidt. Gjithashtu, edhe Presidenti i Auto Club-it të Republikës Çeke, Jan Stovicek dhe Sekretari i Përgjithshëm, Tomas Kunc si pritës të eventit, mbajtën një fjalë të shkurtër për pjesëmarrësit.

Matton e nisi fjalën e tij duke rikujtuar vizionin e FIA-s për rally-n dhe duke përmbledhur arritjet kryesore nga 2019-ta. Ai më pas përcaktoi synimet për 2020-ën duke vendosur theksin te përcaktimi më i qartë i piramidës rally dhe te prezantimi i kategorisë Rally3, që është vendosur të nisë në 2021-in. Më pas, Jérôme Roussel gjatë fjalës së tij bëri një azhornim të Kampionateve Rajonale Rally duke u fokusuar gjithashtu edhe te programi i guximshëm për zbulimin e talenteve FIA Rally Star që do të lançohet zyrtarisht gjatë FIA Sport Conference në Tailandë në muajin qershor.

Gjatë së premtes në mëngjes, vëzhguesit morën pjesë në një seminar të organizuar nga ekipi teknik i FIA-s për të vazhduar më pas me Racing 21, një workshop hyrës për Kampionatin Evropian Rally të FIA-s me një sesion praktik.

Task forca e sigurisë së FIA-s zhvilloi një seminar mbi praktikat më të mira të Sigurisë së Rally-t, duke përfshirë tema të tilla si lista e veprimit të sigurisë WRC, adoptimi i mundshëm i zonave të ngadalta dhe programi i trajnimit të delegatëve të sigurisë të ASN-ve. Jutta Kleinschmidt zhvilloi një takim në lidhje me rregulloret e Cross Country që përfshinte një shpjegim të kategorive të reja T4 dhe T5 dhe emërimin e delegatëve të sigurisë dhe ndihmës mjekësore.

Axhenda e së shtunës nisi me zv/kryetarin e Komisionit të Rally, Uwe Schmidt që bëri një përmbledhje të ndryshimeve të Kodit Sportiv Ndërkombëtar dhe Rregulloreve Rajonale të Rally-t për 2020-ën. Gjithashtu, u diskutuan edhe të rejat e rregullores së Cross Country. Më pas, Schmidt shpjegoi edhe mënyrën e kontestimeve dhe procedurat e apelimit.

Pjesa e pasdites së seminarit përfshinte seanca që lidheshin me aspektet më praktike të punës së zyrtarëve. Udhëzimet për Rally Observer, të hartuara për të kapur sfidat, objektivat dhe praktikat e fundit më të mira në lidhje me rolin, u prezantuan me qëllim për të ndihmuar në sigurimin e standardeve më të larta të konkurrencës së drejtë dhe sigurisë. Gjithashtu, delegatët kishin mundësinë që të merrnin një përmbledhje të praktikës më të mirë të Rally Control, duke përfshirë mënyra për të përmirësuar dhomën e kontrollit dhe komunikimit Rally, duke u njohur edhe me detajet e sistemeve rally në përdorim në WRC dhe në eventet rajonale.

Mjedisi ishte një tjetër çështje shumë e rëndësishme në fokus gjatë seminarit, me organizatorët e eventeve në të gjithë botën që inkurajohen të masin dhe përmirësojnë ndikimin e garave të mjedis. WRC është Kampionati Botëror i parë i FIA-s që ka bërë akreditim të detyrueshëm mjedisor të një niveli të lartë për të gjitha eventet rally që nga 2016-ta. Gjithashtu, vëzhguesit që marrin pjesë në eventet rajonale, do të kenë për detyrë të përfundojnë një seksion mjedisor me pesë shkallë në raportin e tyre të eventit. Më pas, u lexuan një numër rastesh studimi të oficerëve të sigurisë, ndërsa në fund u mbajtën fjalimet përmbyllëse të drejtuara nga Yves Matton.

Duke përmbledhur këtë seminar, Drejtori i FIA Rally, Matton tha: “Ishte një kënaqësi e madhe të shihje kaq shumë zyrtarë që iu bashkuan këtij seminari, i pari që bëri bashkë disiplinat e rally dhe cross-country. Kishte një nivel të lartë profesionalizmi dhe angazhimi gjatë seancave.

Në këtë edicion të 11-të u mblodhëm në Pragë në një vend shumë special, i mbushur me histori dhe pasion për makinat dhe biçikletat, gjë që tregon kulturën më të fortë për motor sportin në Evropën Lindore. Dua të them një ‘faleminderit’ të ngrohtë për pritësit çekë të seminarit.

Ne nuk do të ndalojmë asnjëherë përpjekjet tona për të ruajtur standartet më të larta dhe për të vazhduar përmirësimin në fushën e rregulloreve, sigurisë dhe mjedisit. Në këtë këndvështrim, ky takim ishte një platformë thelbësore për të ndarë së bashku zhvillimet më të fundit dhe praktikat më të mira.

Këtë vit, u përpoqëm që të ofrojmë një përmbajtje më të larmishme ku krahas marshallëve dhe vëzhguesve, ftuam edhe organizatorët e eventeve dhe zyrtarët. Ka qenë një përvojë shumë e mirë dhe e pasur, ndërsa dëshiroj të falënderoj të gjithë të pranishmit, ekspertët dhe folësit për kontributin e tyre të vlefshëm.

Shpresoj që të gjithë pjesëmarrësit të kenë marrë mjetet e nevojshme dhe shumë mësime të reja që do ti ndihmojnë ata për planifikimin dhe zhvillimin e suksesshëm të eventeve të tyre nëpër botë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here