2 Shtator 2024, Bruksel – Ndërsa fëmijët përgatiten për një vit të ri në shkollë, FIA Region I nis fushatën e saj vjetore të sigurisë rrugore duke u kujtuar drejtuesve të mjeteve që të jenë të vëmendshëm në zonat afër shkollave.
Fëmijët nuk kanë të njëjtat aftësi njohëse si të rriturit dhe ata nuk mund ta perceptojnë saktësisht shpejtësinë e një makine dhe mund të shpërqendrohen lehtësisht nga mjedisi. Fushata e këtij viti është një thirrje për drejtuesit e mjeteve se në zonat e shkollave mund të ndodhë gjithçka dhe se ata duhet të jenë të kujdesshëm në çdo kohë.
Fushatat e sigurisë rrugore të FIA Region I fokusohen në një temë të ndryshme çdo vit, por mesazhi kryesor mbetet i njëjtë: Drejtoni mjetin me kujdes. Për arritjen e Zero Vision, koncepti i respektit reciprok, përgjegjësisë dhe kujdesit në rrugë ka qenë themeli i fushatave.
“Te FIA Region I, ne kontribuojmë për një kulturë lëvizshmërie të sigurt përmes programeve tona të ndryshme që targetojnë fëmijët dhe drejtuesit e mjeteve. Fushata e këtij viti ka nisur pak përpara Konkursit vjetor Evropian për Edukimin në Rrugë, i cili mund të konsiderohet si Eurovizioni i sigurisë në rrugë për fëmijët e moshës 10 deri në 12 vjeç. Si prind dhe si shofere, jam krenare që po luajmë rolin tonë në përmirësimin e sigurisë rrugore përreth shkollave.” tha Drejtoresha e Përgjithshme e FIA Region I, Laurianne Krid.
Fushata e sigurisë rrugore për sigurinë e fëmijëve në zonat e shkollave është përkthyer në 27 gjuhë dhe do të zhvillohet në 27 vende në të gjithë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Fushata mbështetet nga Programi i Granteve të Lëvizjes së Sigurt dhe të Qëndrueshme të FIA-s dhe do të zgjasë deri në Shtator 2025.
Rreth FIA Region I
E themeluar në vitin 1904, Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) bashkon organizatat kryesore kombëtare të automobilizmit nga 146 vende në mbarë botën dhe është organi qeverisës për motorsportin botëror. Zyra e FIA Region I me seli në Bruksel është një organ që përfshin 101 Klube Mobiliteti që përfaqësojnë mbi 40 milionë anëtarë nga e gjithë Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika.