Raporti i fundit, 33 milionë makina elektrike në Evropë në 2030-ën

0
1124

Një raport i fundit i publikuar nga OJF-ja, “Transport dhe Mjedis”, tregon një plan udhërrëfyes për të siguruar ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme të pikave të karikimit të makinave elektrike në Evropë.

Raporti thekson se pas një periudhe progresi të ngadaltë, makinat elektrike (EVs) po vijnë në Evropë të orientuara nga standardet e CO2 për 2020/21, që kërkojnë nga kompanitë prodhuese që të arrijnë mesatarisht në 5% të shitjeve të makinave elektrike në 2020-ën, dhe deri në 10% në 2021-in. Për më tepër, raporti nënvizon se numri i modeleve elektrike në dispozicion në tregun evropian do të tejkalojë 200 në 2021-in, ndërsa prodhimi evropian i makinave elektrike (EV) do të rritet ndjeshëm për të arritur në katër milion automjete në vit deri në 2025-ën.

Sidoqoftë, për të vazhduar me këtë rritje elektrike që vlerësohet të shkojë në rreth 33 milionë makina elektrike në 2030-ën, infrastruktura e BE-së duhet të avancojë me karikimin elektrik dhe të jetë në të njëjtën linjë me kërkesën në rritje për pikat e karikimit të makinave elektrike. Në këtë kuptim, Organizata Jofitimprurëse “T&E”, bën thirrje për një kornizë të re të politikave të BE-së për Direktivën e Infrastrukturës së Karburanteve Alternative (AFID) dhe mekanizmat e financimit për të ofruar një strategji ambicioze të infrastrukturës së karikimit të BE-së.

Për më tepër, investimet në vendosjen e pikave publike dhe private të karikimit, do të duhet të arrijnë në 80 miliardë euro deri në 2030-ën. Gjithashtu, theksohet edhe rëndësia e cilësisë së infrastrukturës së karikimit po aq sa e rëndësishme është edhe sasia e pikave. “T&E” sugjerojnë që strategjia evropiane e infrastrukturës së pikave të karikimit duhet të përfshijë:

-Mbulimin e plotë të të gjitha rrjeteve rrugore evropiane maksimumi deri në vitin 2025;

-Pika e karikimit të një makine elektrike, duhet të jetë po aq e thjeshtë dhe e dukshme për konsumatorët sa ajo e mbushjes me karburant në një pikë karburanti;

-Çmimet duhet të jenë të drejta dhe të ofruara në euro/kWh;

-Mundësinë për të paguar duke përdorur një kartë krediti ose debiti.

Kujtojmë që nga Nëntori 2019, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Shqipëri, rimburson çdo tarifë të regjistrimit për herë të parë për mjetet elektrike dhe plug-in dhe do të zerohen tarifat duke i kursyer qytetarëve: 1.Kontrolli Fizik – 1,500 lekë. 2.Leje Qarkullimi Kombëtare – 1,000 lekë. 3.Targat standarde – 3,000 lekë. 4.Certifikatë pronësie – 2,000 lekë. Në total 7,500 lekë të reja për çdo mjet “green” do të mbulohet nga DPSHTRR. “Nisma bazohet në VKM nr. 412, dt. 19.06.2019 “Për Planin Kombëtar për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit” që adreson cilësinë e ajrit si një ndër çështjet mjedisore më kritike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here