Publikohet raporti, 14 të vdekur nga aksidentet në një muaj në Shqipëri

0
810

Aksidentet rrugore vazhdojnë të mbeten një çështje shumë shqetësuese në vendin tonë. Kjo, për shkak të numrit të madh të tw vdekurve dhe të plagosurve që aksidentet prodhojnë. INSTAT ka publikuar katër ditë më parë raportin në lidhje me aksidentet rrugore që kanë ndodhur në vendin tonë gjatë muajit të kaluar. Në total ka një rënie përsa i përket numrit të aksidenteve rrugore nga 155 që kanë ndodhur një vit më parë në 115 gjatë majit të 2019-ës. Numri i aksidenteve, në pesë mujorin e parë të vitit 2019 është 583, nga 659 që ka qenë një vit më parë duke u ulur me 11,5 %, krahasuar me 2018-ën.

Në maj 2019, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 143 persona, nga 201 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 28,9 %. Numri i të aksidentuarve në pesë mujorin e parë të vitit 2019, është 773 persona, nga 852 persona, duke u ulur me 9,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018. Ndërsa, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 14 persona gjatë majit 2019, nga 17 persona që kanë humbur jetën një vit më parë. Në pesëmujorin e parë 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 76 persona, nga 78 persona, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Prej vitesh, shkaktarët kryesorë të aksidenteve rrugore në Shqipëri janë drejtuesit e mjeteve. Edhe gjatë muajit të kaluar, aksidentet rrugore në 87.0 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 25–35 vjeç, duke zënë 27,0 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup moshe janë ulur me 24,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shpejtësia, alkooli dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor janë disa prej faktorëve kryesorë që shkaktojnë aksidentet.

Në pesë mujorin e parë të 2019-ës, aksidentet rrugore në 15,4 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 30,2 % krahasuar me një vit më parë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here