Presidenti i FIA-s, Jean Todt, mesazh urimi për sigurinë rrugore dhe për projektin e Automotoparkut të parë në Shqipëri

0
693

Presidenti i FIA-s dhe njëkohësisht i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për sigurinë rrugore, Jean Todt ka dërguar një mesazh urimi për qeverinë shqiptare për forcimin e rregullave të sigurisë rrugore. Gjithashtu, Todt shpreh mbështetjen e FIA-s për projektin për ndërtimin e Automotoparkut të parë në Shqipëri.

“Zonja dhe zotërinj, falë mikut tim Niko Leka, President i Klubit të Automobilit të Shqipërisë, kam ndjekur me interes dhe kënaqësi përpjekjet e ndërmarra nga qeveria shqiptare për forcimin e rregullave të sigurisë rrugore. Dy vite më parë, pata mundësinë të diskutoja me Kryeministrin Edi Rama lidhur me sfidat dhe rëndësinë e zbatimit të kësaj politike. Sot, dua ta përgëzoj këtë angazhim politik për një kontroll më të mirë të shpejtësisë në qendrat e qytetit dhe pranë shkollave, duke iu kushtuar vëmendje më të madhe të gjithë përdoruesve të rrugës, veçanërisht këmbësorëve dhe përdoruesve të biçikletave duke iu siguruar korsi të sigurta e të dedikuara. Më shumë parandalim, por edhe një vullnet më i fortë për të ndëshkuar sjelljet e rrezikshme dhe mosrespektimin e rregullave të qarkullimit. Këto janë disa prej rregullave kryesore që mund të sjellin rezultate pozitive. Po kështu, e di që Shqipëria ka një projekt ambicioz, krijimin e një qendre kushtuar sporteve automobilistike, por edhe edukimit dhe formimit. Sigurisht, FIA e mbështet këtë nismë që është në përputhje me përparësitë e saj për zhvillimin e sportit dhe edukimin e të rinjve, veçanërisht sa i takon sigurisë rrugore. Të gjitha këto ishin arsyet se pse desha t’iu dërgoj këtë mesazh urimi. Si President i FIA-s dhe si i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për sigurinë rrugore, i vlerësoj këto përpjekje dhe ju falënderoj për to”, thotë Jean Todt në mesazhin e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here