Përfundon Kampionati Kombëtar i Kartingut 2019, Indri Hoxha fiton titullin

0
994

“Takohemi vitin tjetër, këtë herë nuk kishit shanse për titullin”. Kjo ishte shprehja që Indri Hoxha kishte më shumë përzemër të dielën në drekë pasi u mbyll edhe gara e 6-të dhe e fundit e Kampionatit Kombëtar të Kartingut 2019. Hoxha ia doli që të fitonte sfidën me mikun e tij të fëmijërisë, Frenkli Mema, i cili duhet të kënaqet me vendin e dytë në renditjen e përgjithshme. Në vend të tretë pozicionohet Gentjan Shaqiri.

Fundjavën e kaluar u zhvillua gara e fundit e kampionatit. Ishte nga ato sfida që nuk harrohen lehtë duke qenë se gjithçka ishte e hapur për sa i përket titullit kampion. Të shtunën u zhvilluan kualifikueset, ndërsa gjithçka ishte gati për garën e së dielës. Pas dy baterive të para, në sesionin final kalojnë katër pilotë, Indri Hoxha, Frenkli Mema, Gentjan Shaqiri dhe Stefan Gravani. Të gjithë në lojë për tre vendet e para në renditjen e përgjithshme të kampionatit.

Sesioni final nis me ritëm dhe shumë agresivitet. Luhet i gjithë kampionati në pak minuta dhe çdo gabim kushton shtrenjtë. Frenkli Mema ruan vendin e parë, ndërsa gjatë të gjithë kohës ndjen nga mbrapa presionin e Gentjan Shaqirit. Ndërsa, Stefan Gravani mundohet të mbajë mbrapa tij Indri Hoxhën që nuk e nis mirë garën duke e parë veten në fund.

Pasi ishin ezauruar më shumë se gjysma e xhirove, Gravani pëson aksident duke prishur një pjesë të mirë të pistës duke bërë që të ndërpritej gara. Në fund, është Gentjan Shaqiri që fiton garën e 6-të, i ndjekur nga Frenkli Mema dhe Indri Hoxha.

Për sa i përket renditjes së përgjithshme, Hoxha fiton titullin e edicionit të 2-të të Kampionatit të Kartingut duke u renditur i pari me 98 pikë i ndjekur nga Frenkli Mema me 88 pikë dhe Gentjan Shaqiri me 80 pikë.

Siç është bërë traditë, gjatë fundjavës u zhvilluan gara edhe në kategoritë e tjera: U-16 dhe fëmijë. Rejan Tufa është shpallur kampion në kategorinë e fëmijëve.

Një kompeticion shumë i luftuar deri në sekondat e fundit ku morën pjesë më shumë se 40 pilotë në kategorinë e meshkujve, ndërsa një numër i konsiderueshëm garuan edhe në kategoritë e tjera.

Falënderojmë të gjithë pilotëve pjesëmarrës në të gjitha garat dhe disiplinat e Kampionatit Kombëtar të Kartingut 2019.

Takohemi vitin tjetër me më shumë gara, adrenalinë, emocione dhe spektakël.

Na ndiqni…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here