Nënshkruhet “Deklarata e Stokholmit”, reduktim me 50% të vdekjeve në rrugë deri në 2030-ën

0
983

Më shumë se 1700 delegatë nga rreth 140 shtete nga e gjithë bota janë duke marrë pjesë në Konferencën e 3-të Ministrore Botërore për Sigurinë në Rrugë në Stokholm të Suedisë, më 19-20 Shkurt. Dje u zhvillua dita e parë e kësaj konference shumë të rëndësishme ndërkombëtare. Në këtë event përfaqësohet edhe Automobile Club Albania me Presidentin Niko Leka dhe anëtarin e Bordit, Eno Zeneli.

Reagimi i shpejtë është i nevojshëm për të zvogëluar aksidentet në rrugët e botës, ku 3.700 njerëz humbasin jetën çdo ditë. Reduktimi me 50% i vdekjeve deri në 2030-ën është objektivi i “Deklaratës së Stokholmit”, ku ndër të tjera, propozohet një limit shpejtësie prej 30 km/h në rrugë ku ka lëvizje makinash dhe njerëzish njëkohësisht.

Reagimi i menjëhershëm dhe shqetësimi u ndje gjatë të gjitha fjalimeve në konferencë gjatë ditës së parë. Tashmë, aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme të fëmijëve dhe adoleshentëve në botë.

Deklarata e Stokholmit

Ministri Suedez për Infrastrukturën, Tomas Eneroth prezantoi dokumentin final të konferencës, “Deklaratën e Stokholmit” që është diskutuar për të arritur një angazhim maksimal të palëve të interesuara për këtë dokument. Bazuar në të dhënat e Grupit Akademit të Ekspertëve dhe deklaratat apo marrëveshjet ndërkombëtare të mëparshme të këtij lloji, “Deklarata e Stokholmit” u përgatit në bashkëpunim të ngushtë me grupin drejtues të konferencës, duke përfaqësuar disa palë të interesuara.

“Ne e njohim përgjegjësinë tonë të përbashkët dhe u bëjmë thirrje shteteve anëtare të ndihmojnë në reduktimin e viktimave në rrugë me të paktën 50% nga viti 2020 deri në 2030”, tha fillimisht z.Toms Eneroth.

Ai bëri të ditur se është i nevojshëm një angazhim i fortë politik në të gjitha nivelet, së bashku me strategjitë rajonale dhe kombëtare dhe planet e veprimit të sigurisë rrugore. “Nëse jemi serioz në përgjysmimin e numrit të njerëzve që vdesin në rrugët tona deri në vitin 2030, na duhet një perspektivë gjithëpërfshirëse ku përfshijmë sigurinë në rrugë dhe sistemet e sigurta si pjesë e përdorimit të tokës sonë, modelimit të rrugëve, planifikimit të sistemeve të transportit dhe menaxhimit. Ne e dimë që ekzistojnë masa të njohura të sigurisë rrugore me ndikim të provuar, të cilat mund të shpëtojnë 100.000 jetë njerëzish çdo vit, por që akoma nuk janë zbatuar në shumicën e vendeve”, tha  Eneroth.

Gjenerata e ardhme kërkon siguri më të madhe në rrugë

“Deklarata e Stokholmit” mori duartrokitje dhe aprovim. Por, duartrokitjet më të ngrohta shkuan për Omnia El Omrani, një studente e re e mjekësisë nga Egjypti, e cila është një prej drejtueseve të “Asamblesë së 2-të Botërore të të Rinjve për Sigurinë në Rrugë”.

E veshur me një bluzë të verdhë sportive me kapuç, ajo foli me përkushtim dhe shqetësim në lidhje me faktin se si trafiku në vendet në zhvillim shkakton shumë vdekje të panevojshme kur të rinjtë shkojnë në shkollë apo punë.

Më pas, Drejtorja e Përgjithshme e Administratës Suedeze të Transportit, Lena Erixon, identifikoi mënyrat që “Vizioni Zero” do të ndihmojë për të arritur sigurinë në rrugë dhe qëllimet e tjera të zhvillimit të qëndrueshëm, duke eksploruar rekomandimet e Grupit Akademit të Ekspertëve që të identifikojë prioritetet kryesore për dekadën e ardhshme.

Paneli i fundit i nivelit të lartë gjatë ditës së parë të konferencës ishte Financimi i Sistemeve të Transportit të Sigurt dhe të Qëndrueshëm. Vdekjet dhe dëmtimet në aksidentet rrugore nuk janë vetëm tragjikë për ata që preken, por gjithashtu kanë një peshë të madhe ekonomike për vendet, duke kushtuar rreth 5% të produktit të tyre të brendshëm bruto. Shpresohet që zbatimi i Axhendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030, do të gjenerojë investime të konsiderueshme në transport, si dhe në shumë fusha të tjera. Ky panel me fokus ekonomik u prezantua nga Lilyana Pavlova, Nënkryetare e Bankës Evropiane të Investimeve (EIB).

Në videon më sipër përmbledhja e ditës së parë të konferencës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here