Ndryshime në Kodin Rrugor, shtohen gjobat për alkoolin dhe celularin në timon

0
1799

Gjatë paradites së sotme, në ambientet e hotel “Tirana Internacional” në Tiranë është duke u zhvilluar Konferenca e Nivelit të Lartë, “2020, viti i Sigurisë Rrugore” me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të shtetit si Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu si edhe përfaqësues të institucioneve të tjera. Gjithashtu, nuk mungojnë as përfaqësues ndërkombëtare. Në këtë Konferencë merr pjesë edhe Automobile Club Albania me përfaqësuesit e saj, Presidentin Niko Leka dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Eridon Lameborshi.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu lexoi disa nga propozimet për ndryshime në Kodin Rrugor me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen sa më shumë të aksidenteve. Parashikohen rritje të masave të gjobave për shkelësit e rregullave të qarkullimit, sidomos për ata që përdorin celularin apo konsumojnë alkool kur janë në timon.

1.Parakalimi dhe përparësia (nenet 143 dhe 146 të Kodit Rrugor)

Rritet masa administrative dhe për përsëritësit dyfishohet masa administrative me gjobë dhe është parashikuar heqje pikesh.

2.Përdorimi i kaskës mbrojtëse” dhe “Përdorimi i rripave të sigurimit” (nenet 169 dhe 170)

Propozojmë një masë administrative shtesë për drejtuesin e mjetit ose motomjetit kur pasagjeret nuk kanë vendosur rripin e sigurimit ose nuk kanë vendosur kaskën mbrojtëse. Shërbimi i Policisë Rrugore ka evidentuar një rritje të numrit të pasagjerëve të vrarë në aksidente dhe të pasagjereve në motomjete të cilët janë identifikuar pa kaskë ose pa rripa sigurimi ne sediljet e pasme të autoveturave. Masa që propozojmë është pothuaj në të gjithë kodet rrugore të vendeve të BE-së.

3.Sjellja agresive në rrugë

Kur drejtuesi i mjetit në rrugët interubane kryesore dhe në autostradë “ushtron presion” apo “agresion rrugor” me sistemet e ndriçimit dhe nuk ruan distancën e sigurisë me mjetet përpara tij, duke vënë në rrezik përdoruesit e rrugës, ndëshkohet me masë administrative me gjobë 10–20 mijë lekë dhe me heqje të 5 pikëve të lejes së drejtimit.

4.Drejtimi i mjetit nën ndikimin e celularit (Neni 171)

Modifikohet duke ndëshkuar cilido drejtues mjeti që mban në dorë celularin gjatë drejtimit të mjetit me 5 mije lekë. Cilido që flet në celular me 10 mijë lekë dhe cilido që shkruan mesazhe me 150 mijë lekë. Për drejtuesit që përsërisin 3 herë brenda vitit shkeljen e mësipërme ka pezullim të leje drejtimit 3 muaj dhe heqje 10 pikë.

5.Drejtimi i mjetit në ndikimin e alkoolit (neni 184)

Rishkruhet dhe modifikohet:

Drejtuesit e mjeteve autoveturë me përqindje alkooli deri në 0,3gram/litër ndëshkohen administrativisht me gjobë, 5-15 mijë lekë.

Drejtuesit e mjeteve autoveturë me përqindje alkooli në timon nga 0,3-0,5gram/litër ndëshkohen me masë 10-20 mijë lekë dhe pezullim leje drejtimi 3 – 6muaj dhe heqje 8 pikë.

Bëjnë përjashtim drejtuesit e mjeteve të shërbimit publik dhe të transporteve që kërkojnë certifikatë të aftësisë profesionale dhe drejtuesit e mjeteve me leje drejtimi me pak se 3 vjet, për të cilët ndëshkimi është gjithmonë me pezullim të lejes së drejtimit.

Kur drejtuesi i mjetit konstatohet me pije alkoolike nga ora 19:00 deri në orën 06:00 ndëshkimi rritet 30% më shumë.

Kur drejtuesi i mjeti shkakton aksident dhe është në gjendje të dehur mbi 1,5 gram/litër propozohet të hiqet e gjithë sasia e pikëve dhe i hiqet leja e drejtimit.

6.Testi i “idiotit”

Për shkelje të rënda të normave të sjelljes të përsëritura gjatë drejtimit të mjetit, Policia Rrugore detyron drejtuesit e mjetit të kryejë një vizitë mjekësore jashtë radhë (test psikologjik) për të dëshmuar para një komisioni të specializuar lejimin e mbajtjes së leje drejtimit dhe të përdorimit të mëtejshëm të saj.

Këto ishin propozimet për ndryshimet në Kodin Rrugor të publikuara dje nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu gjatë Konferencës së Nivelit të Lartë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here