Ndizet Kampionati Go-Kart, një fundjavë speciale mes emocioneve

0
1227

Kampionati Zyrtar Go-Kart 2019 po bëhet gjithmonë e më shumë interesant, emocionues dhe tërheqës, ndërsa vazhdon të shtohet javë pas jave numri i pjesëmarrësve dhe kategorive. Fundjavën e kaluar u zhvillua gara e 4-t e kampionatit në pistën e Expocity.

Eventi nisi të shtunën me provat zyrtare ku morën pjesë 20 pilotë, ndërsa u zhvilluan prova edhe në kategorinë U-16 ku garuan 4 të rinj. Për kategorinë femra mori pjesë Aretisa Gjika që prodhoi kohën 47.450.

Prej dy javësh, e diela është kthyer në një ditë të veçantë për pilotët pjesëmarrës dhe spektatorët që shijojnë emocionet në pistën e Expocity. Me muzikën e përzgjedhur në sfond, pilotët grumbullohen duke bërë regjistrimin dhe peshimin përpara se të nisë gara. Tashmë, e gjitha konceptohet si një argëtim familjar ku pjesëmarrësit garojnë në pistë, ndërsa të afërmit i ndjekin dhe mbështesin nga pjesa e krijuar posaçërisht për qëndrimin e tyre. Nuk mungojnë edhe fëmijët e vegjël të shoqëruara nga nënat e tyre që krijojnë një atmosferë të ngrohtë gjatë garës. Spektatorët shtohen javë pas jave, ndërsa sfidat në pistë janë shumë interesante.

Në garën e së dielës u regjistruan 17 pilotë në kategorinë e meshkujve, të cilët u ndanë në katër bateri. Sfida interesante, përplasje të forta dhe shumë emocione mes pjesëmarrësve. Edhe pse janë miq prej vitesh, Gentjan Shaqiri dhe Arbër Demeti nuk e njohin njëri-tjetrin kur janë në timonin e karteve. Përballja mes tyre në gjysmëfinale është e gjitha për t’u shijuar, ndërsa debatet dhe diskutimet mes tyre vazhdojnë edhe për shumë minuta të tjerë pas garës.

Kristi Dilo dhe Klajdi Kodra luftojnë për më shumë se 3 minuta deri në sekondat e fundit në gjysmëfinalen tjetër duke mbajtur të ndezur sfidën mes tyre.

Në finale kualifikohen Frenkli Mema, Gentjan Shaqiri, Kristi Dilo dhe Erjus Tufa. Mema krijon shkëputjen që në metrat e para dhe e mbyll i pari në finish duke koleksionuar një tjetër fitore në këtë kampionat. Gentjan Shaqiri ngjitet në podium i dyti, ndërsa Kristi Dilo në vend të tretë. Erjus Tufa i jep shumë emocione sfidës duke luftuar deri në fund për vendin e tretë, por nuk ia arrin qëllimit.

Në renditjen e përgjithshme të kampionatit pas katër garave, në vend të parë është Indri Hoxha me 58 pikë, i ndjekur nga Frenkli Mema me 52 dhe në vend të tretë, Stefan Gravani me 44 pikë. Më poshtë renditen Shaqiri, Dilo, Tufa, Shkurta dhe me radhë, ndërsa diferencat janë shumë të vogla. Në dy garat e mbetura të kampionatit që do të zhvillohen në datat 19-20 tetor dhe 26-27 tetor priten përballje shumë të forta dhe interesante. Spektakli është i garantuar, ndërsa në garë për tre vendet e para janë disa pilotë.

Të dielën u zhvilluan gara edhe për kategorinë U-16 ku morën pjesë katër pilotë ku në fund fitoi Kristofor Mjeshtri. Në kategorinë e fëmijëve morën pjesë pesë fëmijë. Rejan Tufa u rendit i pari i ndjekur nga Enea Sakuli dhe Alket Shkalla.

Fundjavën e ardhshme më 19-20 tetor do të zhvillohet gara e 5 e kampionatit për këto kategori:

-meshkuj

-femra

-të rinj, U-16

-fëmijë.

Për tu regjistruar klikoni në linkun e mëposhtëm:

http://aca.al/rregjistrohu-ne-kampionatin-kombetar-te-garave-karting/

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here