Mohammed Ben Sulayem zgjidhet president i FIA-s

0
742

Mohammed Ben Sulayem është zgjedhur President i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA-s) në Asamblenë e Përgjithshme Vjetore të mbledhur sot në Paris.

Ai mori 61,62% të votave nga Klubet Anëtare të FIA-s duke lënë mbrapa britanikun Graham Stoker me 36,62% të votave, ndërsa abstenuan 1.76% të votuesve. Mohammed Ben Sulayem do të zërë vendin e francezit Jean Todt, i cili ishte president i FIA-s prej 2009-ës dhe shërbeu maksimalisht në tre mandatet e tij.

Mohammed Ben Sulayem, 60 vjeç, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, President i Organizatës së Motorsporteve të Emirateve (EMSO) që nga viti 2005, ishte Zv/President i Këshillit Botëror të Motorsportit të FIA-s për Lindjen e Mesme. Ish-pilot i Rally-t, ai ka qenë 14 herë kampion i Rally-t në Lindjen e Mesme, duke fituar në 61 evente ndërkombëtare nga 1983-i deri në 2002-in. “FIA për Anëtarët” ishte motoja e Mohammed Ben Sulayem duke u angazhuar për të dyfishuar pjesëmarrjen në motorsport në mbarë botën, për të forcuar diversitetin dhe përfshirjen dhe për të qenë influencuesi kryesor për lëvizshmërinë e qëndrueshme.

I zgjedhur për një mandat 4-vjeçar, ai emëroi Carmelo Sanz de Barros si President të Senatit, Robert Reid si Zv/President për Sportin dhe Tim Shearman si Zv/President për Lëvizshmërinë.

Presidenti i ri i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem deklaroi: “Jam shumë i nderuar që jam zgjedhur sot si President i FIA-s në përfundim të Asamblesë së Përgjithshme Vjetore në Paris. Falënderoj të gjitha klubet anëtare për vlerësimin dhe besimin e tyre. Përgëzoj Grahamin për fushatën e tij dhe angazhimi i tij në Federatë. Në emër të FIA-s dhe anëtarëve të saj, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen time të pafund Jean Todt-it për gjithçka që është arritur gjatë 12 viteve të fundit. Jam i përkushtuar për të ndjekur punën e rëndësishme duke bërë të mundur që motorsporti dhe lëvizshmëria të bëjnë hapa të mëtejshëm përpara”.

Ish-presidenti i FIA-s, Jean Todt deklaroi: “Këtij kapitulli i ka ardhur fundi. Ne mund të jemi të gjithë bashkë të kënaqur me arritjet tona në motorsport dhe lëvizshmërinë e sigurt dhe të qëndrueshme gjatë 12 viteve të fundit. Unë do të doja të falënderoja ngrohtësisht ekipin tim, administratën dhe të gjitha klubet tona anëtare për angazhimin, entuziazmin dhe qëndrueshmërinë e tyre të palëkundur. E përgëzoj Mohammedin për zgjedhjen e tij si President i FIA-s dhe i uroj atij, ekipit të tij dhe Federatës sukseset më të mira për vitet në vijim”.

FIA është organi qeverisës për motorsportin në botë dhe federata e organizatave kryesore të lëvizshmërisë në botë. E themeluar në vitin 1904, me seli në Paris dhe Gjenevë, FIA është një organizatë jofitimprurëse. FIA bën bashkë 245 Organizata Anëtare nga 146 vende në pesë kontinente. Klubet e saj Anëtare përfaqësojnë mbi 80 milionë përdorues të rrugës dhe familjet e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here