Mbyllet Konferenca Botërore për Sigurinë Rrugore: Tani nis puna reale!

0
1181

Është mbyllur Konferenca e 3-të Ministrore Botërore për Sigurinë Rrugore që është zhvilluar për dy ditë me radhë, 19-20 Shkurt në Stokholm të Suedisë. Në këtë konferencë shumë të rëndësishme ndërkombëtare është përfaqësuar edhe Automobile Club Albania me presidentin Niko Leka dhe anëtarin e Bordit, Eno Zeneli.

Me pjesëmarrjen e rreth 1700 delegatëve nga më shumë se 140 shtete nga e gjithë bota, Ministri Suedez për Infrastrukturën, z.Tomas Eneroth prezantoi dokumentin final të konferencës, “Deklaratën e Stokholmit”. Kërkohet një reagim i shpejtë që është i nevojshëm për të zvogëluar aksidentet në rrugët e botës, ku 3.700 njerëz humbasin jetën çdo ditë. Reduktimi me 50% i vdekjeve deri në 2030-ën është objektivi i “Deklaratës së Stokholmit”, ku ndër të tjera, propozohet një limit shpejtësie prej 30 km/h në rrugë ku ka lëvizje makinash dhe njerëzish njëkohësisht.

Tani nis puna reale!

Organizatorët e konferencës, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, kanë falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe kanë deklaruar se tani nis puna reale. “Ne dëshirojmë të falënderojmë të gjitha delegacionet e drejtuara nga ministrat, përfaqësuesit e botës së industrisë dhe kërkimit shkencor, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat kontribuan me njohuri, përkushtim, gëzim dhe me një mendje të hapur për ndryshime, gjatë dy ditëve që zgjati konferenca. Tani është koha për t’i kthyer idetë, eksperiencat, njohuritë dhe sukseset e përbashkëta, në veprim konkret. Një angazhim i fortë politik kërkohet në të gjitha nivelet, së bashku me strategjitë rajonale dhe kombëtare dhe planet e veprimit të sigurisë rrugore.

‘Deklarata e Stokholmit’ është rezultati i kësaj konference dhe u prezantua nga Ministri Suedez për Infrastrukturën, z.Tomas Eneroth. Kjo deklaratë ambicioze dhe largpamëse e lidh sigurinë rrugore me zbatimin e saj gjatë ‘Axhendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030’. Gjithashtu, deklarata pasqyron rekomandimet e Grupit Akademik të Ekspertëve të pavaruar të konferencës dhe jep vlerësimet shkencore të progresit të bërë gjatë dekadës së fundit.

Së bashku ne mund të arrijmë qëllimet botërore deri në 2030-ën”, thuhet në njoftimin e organizatorëve të Konferencës së 3-të Ministrore Botërore për Sigurinë në Rrugë që u zhvillua në Stokholm.

Në albumin më poshtë disa prej momenteve gjatë kësaj konference.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here