Kampionati Go-Kart 2019, dy miq në luftë për titullin

0
999

Të rritesh me një shok fëmijërie, të kesh të njëjtat pasione, të përjetosh së bashku çdo gjë, ndërsa duhet të hyjnë në lojë të qindat e sekondës për të ndarë dy miq. Për pak minuta, Indri Hoxha dhe Frenkli Mema harrojnë gjithçka kur janë në timonin e karteve, duke sfiduar njëri-tjetrin. Mjafton të shihni kohën e realizuar prej tyre gjatë kualifikueseve për garën e 5-të të Kampionatit Kombëtar të Kartingut 2019 për të kuptuar sa e është e vështirë është të ndash dy miq.

Indri Hoxha regjistroi kohën 35.913 sekonda, ndërsa Frenkli Mema 35.943. Çdo gjë e llogaritur me imtësi, asnjë gabim dhe mbi të gjitha, përqendrim maksimal. Fundjavën e kaluar u zhvillua edhe gara e 5-të e kampionatit. E diela ishte nga ato ditë që ia vlente të shijoje spektaklin e pilotëve në pistë. Fillimisht, u zhvilluan gara në tre bateritë e para dhe më pas në gjysmëfinale dy bateri. Stefan Gravani vs Gentjan Shaqiri, Indri Hoxha vs Gentjan Shaqiri dhe disa duele të tjera ishin shumë interesante dhe tërheqëse. Në finale shkojnë Indri Hoxha, Frenkli Mema, Gentjan Shaqiri dhe Fisnik Kuliçi. Gara e fundit nis me emocione, ndërsa të mban të mbërthyer deri në finish. Indri Hoxha nuk toleron dhe ruan vendin e parë duke fituar një tjetër garë. Frenkli Mema dhe Gentjan Shaqiri plotësojnë podiumin, ndërsa Fisnik Kuliçi e mbyll i 4-ti.

Në renditjen e përgjithshme të kampionatit, Hoxha vazhdon të jetë i pari me 83 pikë, i ndjekur nga Frenkli Mema me 70. Këtë fundjavë do të zhvillohet edhe gara e 6-të dhe e fundit e Kampionatit Kombëtar Go-Kart 2019. Gjithçka është e hapur mes dy miqsh që do të luftojnë për gjithçka në sfidën finale. Për vendin e tretë do të ketë një sfidë mes “profesorit” (Gentjan Shaqiri) dhe “nxënësit” Stefan Gravani. I pari është profesor i apasionuar pas garave, ndërsa i dyti student i dashuruar me shpejtësinë. Ndryshe nga auditori, tashmë në pistë janë të barabartë. Në renditje kanë nga 55 pikë dhe gara e fundit vendos se kush do të renditet i treti në fund të kampionatit.

Gjatë fundjavës së kaluar u zhvilluan edhe gara për Kategorinë U-16 dhe Fëmijë. Në të parën, David Pilika fiton ndaj Kristofor Mjeshtrit. Për sa i përket fëmijëve, Rejan Tufa dominon në çdo garë duke u renditur sërish në vend të parë, i ndjekur nga Urjen Beltoja dhe Erni Tufa.

Këtë fundjavë më 26 dhe 27 Tetor do të zhvillohet gara e 6 dhe e fundit e Kampionatit Kombëtar Go-kart 2019. Të shtunën në datën 26 do të zhvillohen kualifikueset në orën 16:00, ndërsa të dielën në datën 27 Tetor, gara në orën 10:00.

Të gjithë të apasionuarit mund të marrin pjesë, edhe ata që nuk kanë qenë në garat e deritanishme. Për regjistrime klikoni në linkun më poshtë:

http://aca.al/rregjistrohu-ne-kampionatin-kombetar-te-garave-karting/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here