Investigimi për motorin e Ferrarit, përplasje mes klubeve të Formula 1 dhe FIA-s

0
541

Formula 1 që do të startojë më 14 Mars me Çmimin e Madh të Australisë, duket se ka ndezur motorët disa ditë përpara. Dhe shkak për këtë po bëhet motori i përdorur nga Ferrari në kampionatin e kaluar.

Më 28 Shkurt 2020, FIA bëri një njoftim për shtyp në lidhje me investigimin teknik që kishte bërë për motorin e Ferrarit. “FIA njofton se pas hetimeve teknike të plota, ka përfunduar analizën e saj të funksionimit të motorit të skuadrës së Ferrarit dhe ka arritur një marrëveshje me ekipin. Specifikat e marrëveshjes do të mbeten midis palëve.

FIA dhe skuderia Ferrari kanë rënë dakord për një sërë angazhimesh teknike që do të përmirësojnë monitorimin e të gjitha njësive të fuqisë në Formula 1 për sezonet e ardhshme, si edhe të ndihmojë FIA-n në detyra të tjera rregullatore në Formula 1 dhe në aktivitetet e saj kërkimor për emetimet e karbonit dhe karburantet e qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit.

Ndërkaq, në datën 4 Mars, shtatë skuadra të Formula 1 reaguan me një deklaratë të përbashkët duke shprehur habinë e tyre në lidhje me FIA-n, e cila bëri të ditur se kishte arritur një marrëveshje me Ferrarin në lidhje me investigimin e motorit të skuadrës italiane gjatë 2019-ës.

“Ne, ekipet e nënshkruara, jemi të befasuara dhe të tronditura nga deklarata e FIA-s e së premtes, 28 Shkurt në lidhje me përfundimin e hetimit të saj për motorin e skuderisë Ferrari.

Një rregullator ndërkombëtar i sportit, ka përgjegjësinë të veprojë me standartet më të larta të qeverisjes, integritetit dhe transparencës.

Pas muajsh hetime që janë ndërmarrë nga FIA, që e nisi çështjen vetëm pas pyetjeve të ngritura nga ekipet e tjera, ne kundërshtojmë me forcë që FIA të arrijë një marrëveshje konfidenciale të zgjidhjes me Ferrari-n për të mbyllur këtë çështje.

Prandaj, ne shpallim publikisht angazhimin tonë të përbashkët për të kërkuar një deklarim të plotë dhe të duhur për këtë çështje, për të siguruar që sporti ynë i trajton të gjithë konkurrentët në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Ne e bëjmë këtë në emër të tifozëve, pjesëmarrësve dhe palëve të interesuara të Formula 1.

Përveç kësaj, ne rezervojmë të drejtat tona për të kërkuar kompensim ligjor, brenda procesit të rregullt të FIA-s dhe para gjykatave kompetente”, thuhet në deklaratën e përbashkët të shtatë ekipeve të Formula 1 (McLaren, Mercedes, Racing Point, Red Bull, Renault, AlphaTauri dhe Williams) të lëshuar në datën 4 Mars.

Në këtë mënyrë, FIA ka reaguar menjëherë dje nëpërmjet një deklarate për shtyp duke dhënë sqarimet e saj.

“FIA ka zhvilluar një analizë të detajuar teknike në motorin e skuderisë Ferrari, ashtu siç ka të drejtë të bëjë për çdo konkurrent në Kampionatin Botëror FIA Formula 1.

Hetimet e gjera dhe të hollësishme të ndërmarra gjatë sezonit 2019 ngritën dyshime se motori i Ferrari-t mund të konsiderohet se nuk funksiononte brenda kufijve të rregullave të FIA-s në çdo kohë. Skuadra e Ferrari-t, kundërshtoi me forcë dyshimet dhe përsëriti se motori i saj funksiononte gjithmonë në përputhje me rregulloret. FIA nuk ishte e kënaqur plotësisht, por vendosi që veprimi i mëtejshëm nuk do të rezultonte domosdoshmërisht një çështje përfundimtare, për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe pamundësisë materiale për të siguruar prova të pakundërshtueshme të një shkeljeje.

Për të shmangur pasojat negative që një proces gjyqësor i gjatë do të sjellë, veçanërisht në dritën e pasigurisë së rezultatit të çështjeve të tilla gjyqësore dhe në interesin më të mirë të kampionatit dhe të aktorëve të tij, FIA, në përputhje me Nenin 4 (ii) të Rregulloreve Gjyqësore dhe Disiplinore (JDR), vendosi të lidhë një marrëveshje efektive të zgjidhjes me Ferrari-n, për të përfunduar procedurat.

Kjo lloj marrëveshje është një mjet juridik i njohur si një komponent thelbësor i çdo sistemi disiplinor dhe përdoret nga shumë autoritete publike dhe federata të tjera sportive në trajtimin e mosmarrëveshjeve.

Fshehtësia e kushteve të marrëveshjes parashikohet nga Neni 4 (vi) i Rregulloreve Gjyqësore dhe Disiplinore (JDR).

FIA do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur sportin dhe rolin e reputacionin e saj si rregullator i Kampionatit Botëror FIA Formula 1”, jep sqarimin e saj FIA në deklaratën për shtyp.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here