“Humba mikun tim në aksident me motor”, Didier Drogba: Ja pse iu bashkova fushatës së FIA-s, #3500LIVES

0
787

Futbollisti i njohur Didier Drogba është ylli i fundit ndërkombëtar që mbështet fushatën e FIA-s për sigurinë rrugore, #3500LIVES. Ish-sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, në një intervistë për revistën zyrtare të FIA-s, “AUTO”, flet për mesazhin e tij “Kujdes fëmijët” që u lançua gjatë Çmimit të Madh të Italisë në Formula 1 gjatë 2019-ës, rëndësinë e përmirësimit të sigurisë në Afrikë dhe se si humbja e një miku personal e ka riforcuar lidhjen e tij me këtë kauzë…

Ju jeni ambasadori më i fundit që i jeni bashkuar fushatës #3500LIVES dhe mesazhi juaj “Kujdes fëmijët” u lançua në Çmimin e Madh të Italisë. Pse kjo fushatë është e rëndësishme për ju?     

Është shumë e rëndësishme që të rritet ndërgjegjja për sigurinë rrugore, veçanërisht në motor sport, por edhe në jetën reale gjithashtu. Si një fans i Formula 1, ndjek të gjitha garat dhe ndonjëherë është e lehtë që të rrëmbehesh dhe të ndjesh se edhe ti mund ti japësh pak më shpejt makinës. Por, është e rëndësishme që të jenë të gjithë elementët e sigurisë rreth teje. Ata e kanë sigurinë në gara dhe ne duhet të ndërgjegjësohemi për këtë kur jemi në rrugë. Është një fushatë mbresëlënëse dhe unë jam shumë krenar që i bashkohem këtij grupi yjesh të sportit dhe fushave të tjera. Gjatë lançimit të mesazhit tim në Monza, Nico Rosberg ishte aty dhe kjo është një gjë e mrekullueshme. Por, ishte të përfshirë gjithashtu edhe yje si Yohan Blake apo figura të tjera publike nga një gamë e gjerë sportesh. Të jesh në gjendje që të mbledhësh së bashku gjithë këto legjenda për një kauzë ta madhe si kjo, i jep me të vërtetë një shtytje të madhe sigurisë rrugore dhe vëmendjes në rrugë. Do të bëj gjithçka të mundem që të shpërndaj mesazhin e sigurisë në rrugët e botës.

Si ndodhi që u përfshitë në fushatën #3500LIVES?  

Gjatë një takimi me miq të përbashkët me Presidentin e FIA-s, Jean Todt, biseduam se si ne mund ta përdorim imazhin tim që të kemi një impakt nëpër botë, por veçanërisht në Afrikë duke përhapur mesazhe të mira në lidhje me sigurinë në rrugë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj fushate. Këto janë mesazhe me impakt në shoqëri, por që akoma më shumë mund të ndihmojnë në shpëtimin e jetëve.

Mesazhi juaj është përqendruar te fëmijët, ndërsa ju keni shumë fansa në të gjithë botën. Ishte kjo një arsye që ju shtyu të përfshiheshit në këtë fushatë?  

Unë kam pesë fëmijë dhe e di se sa të rëndësishëm janë për mua dhe mendoj se është e njëjta ndjesi për këdo në këtë botë. Ka të bëjë me sigurinë për të gjithë. Pak kohë më parë humba një mik shumë të mirë, një djalë i ri që ishte vetëm 33 vjeç. Ai vdiq në një aksident me motor dhe nuk kishte një kokore që besoj se do ta kishte shpëtuar. Ishte një dhimbje shumë e madhe dhe nuk dua që kjo të ndodhë me asnjë. Kam punuar me këtë projekt për disa muaj dhe aksidenti ndodhi gjatë kësaj periudhe. Ishte diçka shkatërruese. Nuk mund të bëja asgjë tjetër përveçse të mendoja rreth tij dhe se çfarë do të kishte ndodhur nëse ai do të mbante një kokore. Kjo është arsyeja pse jam këtu.

Vendosja e posterit të ri do të përqendrohet në Afrikë, aty ku 44% të të gjitha vdekjeve në aksidentet rrugore në kontinent, janë të përfshirë përdoruesit e biçikletave dhe këmbësorët. Fondacioni yt, Fondacioni i FIA-s dhe Fondacioni i Kujdesit do të kontribuojnë që të shpërndajnë mesazhet për sigurinë rrugore në të gjithë kontinentin. Sa e rëndësishme është të përmirësosh sigurinë rrugore në Afrikë?            

Është masivisht e rëndësishme. Ne po flasim në lidhje me sigurinë rrugore dhe në radhë të parë, rrugët duhet të jenë më të mira në Afrikë. Ne mund të flasim në lidhje me të gjitha gjërat e tjera që duhet të bëjmë për sigurinë rrugore siç është vendosja e kokores apo përdorimi i rripit të sigurimit, por njëkohësisht kemi nevojë që të përmirësojmë infrastrukturën në Afrikë që njerëzit të përdorin rrugë të sigurta. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e zgjidhjes së problemit.

Pas 20 vitesh në nivelet më të larta në futboll, ju e mbyllët karrierën tuaj në 2018-ën. Ky është një vendim i vështirë për një sportist profesionist. Ju mungon futbolli i luajtur?    

Mendoj se do të më mungojë për pjesën tjetër të jetës sime. Është fundi i një cikli si futbollist, por ka nisur një jetë e re për mua. Jam duke takuar disa njerëz shumë interesantë siç është Jean Todt dhe jam duke punuar me disa projekte për të ardhmen, kështu që vazhdoj të jem i zënë.

Ju keni folur edhe për dëshirën që të keni një pozicion në Federatën e Futbollit të Bregut të Fildishtë (FIF) për të zhvilluar futbollin në shtetin tuaj. Vazhdon ta keni sërish këtë ambicie?

Duhet  të flas me shumë njerëz për të kuptuar se cilat janë nevojat. Nëse jam në gjendje ta kërkoj atë dhe të kem pak ndikim për të përmirësuar diçka në lidhje me çfarë është bërë së fundmi, pse jo? Le të shohim.

Në fund, na thuaj diçka në lidhje me pasionin tuaj për motor sportin. Kontrata juaj e parë profesionale e futbollit ishte me Le Mans, apo jo?

Po, ajo ka qenë dhe kam ende zhurmën e makinave në veshët e mi pas gjithë këtyre viteve! Kam jetuar në Le Mans për katër vite dhe ishte një qytet sporti ku luhej futboll, basketboll dhe sigurisht gara me makina Le Mans 24 Hours. Ishte një event i madh aty dhe jam rritur me të, kështu që jam një fans i madh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here