Garë më e fortë dhe tavan për shpenzimet, si do ndryshojë Formula 1 nga 2021

0
759

Disa ditë më parë, FIA dhe Formula 1 kanë konfirmuar lëvizjet për të ardhmen që do të ndodhin në Kampionatin Botëror Formula 1 me disa ndryshime të reja që do të nisin të aplikohen nga viti 2021.

Pas më shumë se dy vite punë duke përfshirë analizat më të hollësishme të operacioneve sportive brenda dhe jashtë piste, dhe duke ndjekur edhe ratifikimin e marrëveshjes nga Këshilli Botëror i Motorsportit, rregullorja e re u prezantua në cirkuitin e Amerikës në Austin Texas nga Presidenti i FIA-s, Jean Todt dhe Drejtori Ekzekutiv i Formula 1, Chase Carey.

Flasim për një qasje gjithëpërfshirëse për të ardhmen e suksesshme të kampionatit më të ndjekur të motor sportit, paketën e re të rregullores Teknike, Sportive dhe Financiare, që synojnë të promovojnë më pak diferenca mes pilotëve dhe një kampionat më të balancuar, duke sjellë gjithashtu qëndrueshmëri ekonomike dhe sportive në Formula 1.

Nga viti 2021, Formula 1 do të ketë:

-Makina që do të jenë më të afta për të luftuar në pistë

-Një kampionat më të balancuar në pistë

-Një sport ku suksesi përcaktohet më shumë nga fakti se sa mirë një skuadër shpenzon paratë e veta dhe jo se sa shumë shpenzon. Këtu përfshihet për herë të parë një kufizim shpenzimesh plotësisht i zbatueshëm, duke nisur nga 175 milionë $ me planin për të reduktuar këtë shifër në të ardhmen në rregullat e FIA-s

-Një sport që të jetë një biznes i qëndrueshëm për pjesëmarrësit

-Një sport që të vazhdojë të jetë kompeticioni kryesor i garave të motor sportit dhe vitrina e përsosur e teknologjisë së re.

Rregulloret që u miratuan unanimisht nga Këshilli Botëror i Motor Sportit, do të zbatohen nga një strukturë e re qeverisëse dhe ndarje përfitimesh, që do ti lejojë sportit të rritet dhe përmirësohet duke forcuar më tej modelin e biznesit. Këto marrëveshje janë dakordësuar në një stad të mëparshëm me ekipet.

Nëpërmjet një videoje nga Gjeneva në Zvicër, presidenti i FIA-s, Jean Todt deklaroi: “Pas më shumë se dy vite kërkimesh dhe zhvillimesh intensive, duke pasur bashkëpunimin e ngushtë të partnerëve tanë të Formula 1 dhe me mbështetjen e skuadrave dhe pilotëve, projektuesve të pistave, furnizuesin e vetëm të gomave Pirelli dhe të gjitha palët e interesuara të Formula 1, FIA është e lumtur që të publikojë paketën e rregulloreve që do të përcaktojnë të ardhmen e Formula 1 nga 2021-i e në vazhdim”.

“Është një shans i madh se si kampionati që është në majë të motor sportit do të vazhdojë të ecë, dhe për herë të parë, ne kemi adresuar njëkohësisht aspektet teknike, sportive dhe financiare. Rregulloret që do të hyjnë në fuqi në 2021-in ishin një përpjekje vërtet bashkëpunuese dhe unë besoj se kjo do të jetë një arritje e shkëlqyeshme. Një element thelbësor për FIA-n për të vazhduar përpara do të jetë mjedisi. Formula 1 ka tashmë motorët më efikas në botë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në teknologji dhe karburante të reja për t’i shtyrë këto kufij më tej”.

“Ajo që FIA publikon sot është korniza më e mirë që ne ndoshta mund të kemi për të përfituar nga konkurrentët dhe palët e interesuara, duke siguruar një të ardhme emocionuese për sportin tonë”, deklaroi Todt.

Gjatë prezantimit të rregulloreve të reja, Drejtori Ekzekutiv i Formula 1, Chase Carey deklaroi: “Formula 1 është një sport i jashtëzakonshëm me një histori të shkëlqyer, heronj dhe fansa në të gjithë botën. Ne e respektojmë maksimalisht ADN-në e Formula 1, e cila është një kombinim i një konkurrence të shkëlqyer sportive, pilotë unik, të talentuar dhe kurajozë, skuadra të përkushtuara dhe teknologji e përparuar. Qëllimi ka qenë gjithmonë përmirësimi i konkurrencës dhe veprimit në rrugën e duhur dhe në të njëjtën kohë ta bëj sportin një biznes më të shëndetshëm dhe tërheqës për të gjithë. Miratimi i rregullave nga Këshilli Botëror i Motorsportit është një moment deçiziv dhe do të ndihmojë në ofrimin e garave më tërheqëse për të gjithë fansat tanë”.

“Rregullat e reja kanë dalë nga një proces i detajuar 2-vjeçar i shqyrtimit të çështjeve teknike, sportive dhe financiare me qëllim hartimin e një pakete rregulloreje. Ne kemi bërë shumë ndryshime gjatë procesit pasi kemi marrë sugjerime nga ekipet dhe palët e tjera të interesuara dhe besojmë me forcë se kemi arritur qëllimet që kishim përcaktuar për të arritur. Këto rregullore nuk janë kura përfundimtare për të gjitha çështjet tona. Ato janë një hap i rëndësishëm dhe i madh, megjithatë, ky është një proces i vazhdueshëm dhe ne do të vazhdojmë të përmirësojmë këto rregullore dhe të ndërmarrim hapa të mëtejshëm për të mundësuar që sporti ynë të rritet dhe të arrijë potencialin e tij të plotë. Një nga nismat më të rëndësishme që do të trajtojmë ndërsa ecim përpara është ndikimi mjedisor i sportit tonë. Ne tashmë kemi motorin më të efektshëm në botë dhe në javët e ardhshme do të ndajmë me publikun plane për të zvogëluar dhe për të eliminuar përfundimisht ndikimin mjedisor të sportit dhe biznesit tonë. Ne kemi qenë gjithmonë në majë të industrisë së automobilizmit dhe besojmë se mund të luajmë një rol udhëheqës edhe për këtë çështje kritike”, përfundoi Chase Carey.

Për të parë intervistat ekskluzive të Presidetit të FIA-s, Jean Todt, Shefit të FIA-s për Çështjet Teknike të Makinave 1-vendëshe, Nikolas Tombazis, Drejtorit të Menaxhimit të Formula 1 dhe Motorsportit, Ross Brawn dhe Shefit të Oficerit Teknik të Formula 1, Pat Symonds, i gjeni në videon e mëposhtme.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here