Gara e 3 e Kampionatit Go-Kart, fundjavë e paharrueshme

0
1170

Emocione, adrenalinë, gazi në fund, kthesat që kërkojnë shumë përqendrim, sfidë nervash dhe në fund shtrëngim duarsh dhe festë me shampanjë. Klubi i Automobilit të Shqipërisë zhvilloi garën e 3-të të Kampionatit Zyrtar Go-Kart 2019 fundjavën që lamë pas. 25 pilotë dhe tre pjesëmarrës në Kategorinë Fëmijë, i dhanë jetë pistës përpara Expocity te Citypark për dy ditë me radhë.

Eventi nisi të shtunën me provat zyrtare. Pilotët kishin në dispozicion tre xhiro të kronometruara duke nxjerrë më pas renditjen sipas kohës.

Më pas, e diela i kushtohet plotësisht garës. Gjithçka nis me regjistrimin e pilotëve dhe peshimin e gjithsecilit, ndërsa disa kanë zgjedhur që të shoqërohen edhe me familjet e tyre, ku nuk mungojnë fëmijët dhe femrat. Një atmosferë e ndezur me muzikë të përzgjedhur në sfond dhe femrat që bëjnë tifo duke u dhënë zemër njerëzve të tyre të dashur që marrin pjesë në garë.

Pilotët ndahen në pesë grupe sipas kohës së regjistruar gjatë provave. Dy pilotët e parë të çdo grupi kualifikohen për në fazën gjysmëfinale. Të pranishmit patën mundësinë të ndiqnin dhe të shijonin emocionet dhe spektaklin në pistë.

Në gjysmëfinale, krijohen dy grupe me nga pesë pilotë ku dy të parët kalojnë më pas në finale. Sesioni final premton spektakël ku përpara startit rreshtohen Erjus Tufa, Elton Shkurta, Rakip Rusi dhe Indri Hoxha. Starti është i zjarrtë, ndërsa makinat përplasen me njëra-tjetrën duke bërë që gjithçka të rinisë edhe një herë. Një garë spektakolare me emocione dhe shumë adrenalinë.

Në fund është Elton Shkurta që e mbyll i pari i ndjekur nga Indri Hoxha dhe Rakip Rusi. Erjus Tufa renditet i fundit.

Gjatë së dielës morën pjesë edhe tre fëmijë, të cilët garuan në Kategorinë e dedikuar për ta. Në vend të parë renditet kampioni i një viti më parë, Enea Sakuli i ndjekur nga Rejan Tufa dhe Alkeo Sadikllari.

Më pas ceremonia e dorëzimit të trofeve dhe festa me shampanjë.

Gara e 4-t e Kampionatit do të zhvillohet më 5 dhe 6 Tetor 2019. Provat zhvillohen të shtunën në orën 16:00 dhe gara të dielën në orën 10:00.

Në kampionat mund të marrin pjesë të gjithë të apasionuarit pas garave dhe shpejtësisë dhe mund të regjistrohen edhe ata pilotë që nuk kanë qenë në tre garat e para.

Për regjistrime klikoni në linkun më poshtë:

http://aca.al/rregjistrohu-ne-kampionatin-kombetar-te-garave-karting/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here