Fushata “2 sekonda”/ Foto selfi mund t’iu vrasë!

0
1115

Shpërqendrimi është kthyer në një rrezik të madh për sa i përket sigurisë rrugore, ku vetëm 2 sekonda janë të mjaftueshme për të shkaktuar një aksident. 25% e aksidenteve në rrugë ndodhin pikërisht për shkak të shpërqendrimit me 25-30% të kohës totale të drejtimit të shpenzuar për aktivitete shpërqendruese.

Komisionerja Evropiane për Transportin, Violeta Bulc theksoi faktin e rrezikut të shtuar të aksidenteve për shkak të shpërqendrimit nga përdorimi i telefonit celular. “Shpërqendrimi nga pajisjet e lëvizshme është bërë një nga faktorët kryesorë të aksidenteve. Raportet tregojnë se ka kapërcyer edhe shpejtësinë dhe alkoolin si faktorët më të lartë të rrezikut”, tha Bulc.

Prandaj, ajo theksoi vlerën e fushatës “2 sekonda” në ngritjen e vetëdijes për rrezikun e lartë të shpërqendrimit mes përdoruesve të rrugës: “Teknologjia mund të ndihmojë dhe BE po sigurohet që të gjithë përfitojnë prej saj: duke e bërë sistemin e përgjumjes së shoferit dhe sistemet e paralajmërimit të shpërqendrimit të detyrueshëm për të gjitha makinat në legjislacionin e ri për sigurinë e automjeteve. Por, kjo mund të jetë vetëm një ndihmë për drejtuesit. Është shumë i rëndësishëm fakti që të gjithë përdoruesit e rrugës të jenë të vetëdijshëm për rreziqet e mëdha të hapësirave të shkurtra të shpërqendrimit. Kjo është arsyeja pse unë mbështes plotësisht fushatën e “2 sekondave”. Për të arritur zero vdekje në rrugë deri në vitin 2050 në BE, duhet të bëjmë gjithçka që mundemi së bashku. Le të rrisim vetdijen se shpërqendrimi vret”, deklaroi Bulc.

Me fushatën “#2 sekonda”, FIA Region I dhe klubet anëtare ku bën pjesë edhe Klubi i Automobilit të Shqipërisë (ACA), synojnë të venë në dukje faktin që edhe gabimet më të shkurtra të vëmendjes, mund të sjellin pasoja dramatike dhe fatale.

Pavarësisht nëse jeni shofer, këmbësor ose në timonin e një biçiklete apo motori, vëmendja në rrugë kërkon përqendrim të vazhdueshëm. Nëse shoferët nuk janë të trajnuar për përdorimin e duhur të teknologjive të reja të automjeteve, ato gjithashtu mund të bëhen një burim aksidentesh.

Duke pasur parasysh këtë, klubet anëtare të FIA Region I janë duke punuar shumë për të rritur ndërgjegjësimin dhe trajnuar drejtuesit për teknologjitë e reja të sigurisë.

Presidenti i FIA Region I, Thomas Møller Thomsen thekson faktin se si përqendrimi në timon është thelbësor: “Teknologjia po i mbështet gjithnjë e më shumë drejtuesit, ndërsa në të njëjtën kohë krijon mundësi të shumta për shpërqendrim. Për sa kohë që automjetet nuk janë në gjendje të kapërcejnë plotësisht detyrën e drejtimit, drejtuesit duhet të kuptojnë se vëmendja e tyre e plotë duhet të jetë në rrugë, çdo sekondë. Kjo është arsyeja pse ne e fillojmë këtë fushatë sot përmes 33 klubeve anëtare në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Së bashku, shpresojmë të arrijmë në dhjetëra miliona përdorues të rrugës.

Fushata “# 2 sekonda” synon të ndihmojë në zvogëlimin e aksidenteve në të gjithë botën përmes një ndërgjegjësimi më të mirë për sigurinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here