FIA Motorsport Games 2022 fiton titullin si “Eventi më i mirë Live” në ceremoninë e çmimeve të medias

0
393

FIA Motorsport Games 2022 kanë marrë vlerësimin më të lartë si “Eventi më i mirë Live” në ceremoninë e çmimeve të medias të zhvilluar në Londër disa ditë më parë     

Paneli i gjyqtarëve, i cili përfshinte legjendën e makinave sportive Allan McNish, transmetuesin Louise Beckett dhe Shefin e Sportit dhe Lojërave të TikTok (MB), Rollo Goldstaub, vlerësuan edicionin e dytë të FIA Motorsport Games të mbajtur në Marsejë të Francës tetorin e kaluar duke e konsideruar si një “event novator”. Shefi i Operacioneve të Eventeve të FIA-s, Javier Maffioli dhe Menaxheri i Përgjithshëm i FIA Motorsport Games në SRO Motorsports Group, Anthony Comas morën trofeun në ceremoninë prestigjoze IET në Savoy Place.

FIA Motorsport Games janë një event unik multidisiplinar me pilotë që garojnë për ngjyrat e flamurit të tyre kombëtar. Organizuar nga FIA dhe SRO Motorsports Group, edicioni i parë u zhvillua në vitin 2019 në Romë dhe garat u organizuan në Vallelunga Circuit. Eventi u rikthye për herë të dytë më 26-30 Tetor 2022. Marseja ishte qyteti pritës, ndërsa Circuit Paul Ricard, Autocross Veynois dhe rrugët e Sainte Baume u përdorën për zhvillimin e garave.

Ky edicion i dytë arriti të bashkojë numrin më të madh të shteteve për të konkurruar në një event të vetëm motorsporti. Spektakli i 463 sportistëve që përfaqësuan 72 vende në 16 disiplina të garave tërhoqi 45,000 spektatorë në jug të Francës, ndërsa arriti një shtrirje në rrjetet sociale prej 11.5 milionë dhe një rritje prej 400 për qind të përmendjeve në media. Një mbulim i gjerë televiziv duke u transmetuar në 122 territore në mbarë botën, ndërsa ofroi 114 orë transmetim të drejtpërdrejtë në YouTube, Facebook, Twitch dhe Daily Motion. Vetëm në YouTube u regjistruan 143,112 orë shikimi, ekuivalente me 16 vjet shikim të vazhdueshëm.

Synimi kryesor i FIA Motorsport Games është të ndihmojë në rritjen e sportit në vendet që po zhvillojnë programe dhe infrastrukturë të reja të pjesëmarrjes në motorsport. Fituesit e medaljeve nga vendet në zhvillim të motorsportit vitin e kaluar përfshinin Letoninë, Perunë, Republikën Çeke, Kuvajtin, Sri Lankën, Estoninë, Irlandën dhe Izraelin.

Shtete të tjera që konkurruan për herë të parë në këtë event ishin Andora, Argjentina, Bahamas, Bangladeshi, Barbados, Belize, Kanada, Kili, Greqia, Guatemala, Indonezia, Republika e Koresë, Kosova, Luksemburgu, Maroku, Mozambiku, Nepali, Nigeria, Panamaja, Porto Riko, Afrika e Jugut, Sllovenia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistani, Venezuela dhe Vietnami.

Zv/Presidenti i FIA-s për Sportin, Robert Reid tha: “FIA ​​Motorsport Games 2022 ishin një event fantastik që në shumë mënyra tregoi atë që është e rëndësishme për FIA-n. Ne jemi para së gjithash një federatë e klubeve anëtare dhe synojmë fuqizimin rajonal dhe klubet sportive kombëtare janë shumë të rëndësishme për ne. Në të njëjtën kohë, eventi është një shfaqje e madhe e barazisë, diversitetit dhe gjithëpërfshirjes. Jam i kënaqur që është njohur në The Race Media Awards dhe mezi presim të organizojmë me SRO Motorsports një edicion edhe më emocionues në 2024 në Valencia.”

“Është madhështore që FIA Motorsport Games të njihen si eventi më i mirë Live i vitit 2022 nga The Race Media Awards” – tha Stephane Ratel, Themeluesi dhe CEO i SRO. “FIA Motorsport Games 2019 tejkaloi të gjitha pritjet, me 49 shtete që konkurruan në gjashtë disiplina. Zgjerimi në 16 disiplina dhe 72 shtete për edicionin e dytë në 2022 ishte një hap i madh dhe i suksesshëm për të sjellë shtete dhe konkurrentë të rinj në këtë event unik duke tërhequr 45,000 fansa vetëm në Circuit Paul Ricard ndërsa fushatat tona të gjera dhe media sociale bënë që eventi të shihej në të katër anët e globit. Marrja e Çmimit Race Media për eventin më të mirë Live është diçka për të cilën të gjithë ata që konkurruan ose mbështetën eventin, mund të jenë jashtëzakonisht krenarë dhe kjo tregon se kjo “Garë e Shteteve” është në rrugën e saj për të pasur njohjen dhe pjesëmarrjen globale. Planifikimi tashmë është duke u zhvilluar për edicionin e tretë të FIA Motorsport Games 2024 që do të zhvillohet në Valencia të Spanjës”.

FIA Motorsport Games do të rikthehet në Tetor 2024 ku do të zhvillohet në Valencia të Spanjës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here