FIA Motorsport Games 2020 në Francë, Shqipëria sërish në Kampionatin Botëror

0
917

FIA Motorsport Games rikthehet me Edicionin e dytë të tij më 23-25 Tetor 2020 në Marsejë në pistën “Paul Ricard”, ndërsa tashmë ka mbetur vetëm miratimi nga Këshilli Botëror i Motor Sportit. Në Edicionin e parë të Kampionatit Botëror FIA Motorsport Games 2019, mori pjesë edhe Shqipëria duke u përfaqësuar për herë të parë në një event kaq të rëndësishëm motorsporti. Auto Club Albania që është Autoriteti Kombëtar Sportiv organizoi garën ACA Karting Slalom ku dy pilotët e rinj fitues, Alexia Karaguni dhe Kristofor Mjeshtri, garuan në disiplinën e Karting Slalom në eventin e 2019-ës. Flamuri kuqezi do të jetë sërish mes flamujve të tjerë të botës në FIA Motorsport Games 2020 që do të zhvillohet në fund të Tetorit.

Eventi që përfshin gara në disa disiplina do të zhvillohet për herë të dytë, pas Edicionit të 1-rë që u mbajt në Romë në pistën e Vallelunga më 1-3 Nëntor 2019. Tashmë, flaka simbol ka kaluar në Francë në qytetin port të Marsejës dhe në pistën e nivelit të 1-rë të FIA-s, “Paul Ricard” që do të presë eventin këtë vit. Pas suksesit të edicionit të vitit të kaluar, edhe ky kompeticion i 2020-ës do të organizohet sërish nga FIA së bashku me SRO Motorsports Group.

Në edicionin e parë në FIA Motorsport Games 2019, garuan pilotë në gjashtë disiplina duke konkurruar për ngjyrat e flamujve të tyre kombëtar. Gjithçka nisi me një ceremoni hapëse spektakolare në kryeqytetin italian ku makinat parakaluan në një paradë përpara Koloseut, ndërsa 192 pilotët që përfaqësonin 49 shtetet, u prezantuan në zonën historike “Circo Massimo”.

Gjatë tre ditëve të kampionatit ndërkombëtar, pilotët garuan në disiplinat GT Cup, Touring Car Cup, F4 Cup, Drifting Cup, Karting Slalom Cup dhe Digital Cup duke krijuar një atmosferë shumë rivalizuese në Vallelunga. Rusia u shpall fituese e FIA Motorsport Games 2019 duke fituar një medalje ari dhe dy bronzi. Edicioni i dytë premton një event shumë tërheqës, më shumë pilotë pjesëmarrës dhe disa kategori më shumë që do të shtohen këtë vit.

Qyteti francez ofron një vend ideal ku do të zhvillohet një kompeticion i tillë kaq i rëndësishëm botëror. Pista është ndërtuar në 1970 dhe ka mirëpritur një gamë të gjerë garash në kategori të ndryshme prestigjioze ndërkombëtare duke përfshirë Çmimin e Madh të Francës në Formula 1 që prej 2018-ës, që u rikthye pas një mungese 28-vjeçare në kalendar. Aty mund të zhvillohen disa gara të ndryshme, duke pasur parasysh faktin që investimet kanë siguruar standardet më të larta në sigurinë e pistës. Cirkuiti “Paul Ricard” feston 50-vjetorin këtë vit në mënyrën më të mirë duke u bërë pista e parë franceze e garave të motorsportit dhe pista e dytë e F1 që arrin akreditimin mjedisor të FIA-s me tre yje.

Cirkuiti “Paul Ricard” ndodhet në një pozicion të favorshëm në Marsejë dhe i kapshëm lehtësisht. Qyteti francez është shumë i admiruar për vendodhjen e tij në bregdetin e Mesdheut, me Portin e Vjetër dhe Bazilikën “Notre-Dame de la Garde” që janë dy prej pikave më të njohura të Marsejës. Aeroporti Marseille Provence siguron një qendër botërore transporti, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar “Le Castellet” i pozicionuar afër Cirkuitit “Paul Ricard” është një ndihmesë e madhe për eventin, pilotët dhe spektatorët gjatë FIA Motorsport Games 2020. Lajme të tjera në vazhdim do të ketë në lidhje me këtë kompeticion, përfshirë disiplinat e reja që do të shtohen, të cilat do të konfirmohen zyrtarisht në muajt e ardhshëm.

Presidenti i FIA-s, Jean Todt deklaroi: “Jam i gëzuar që pas suksesit të edicionit të parë, FIA Motorsport Games vazhdon të rritet ndërsa tashmë eventi zhvendoset në Cirkuitin prestigjoz “Paul Ricard”. Ky është një tregues i qartë se kjo qasje unike ndaj garave të motorsportit, vërtetoi se ishte i duhuri dhe se e ardhmja e FIA Motorsport Games është e sigurt dhe e ndritshme. Ndihem i sigurt që Edicioni i 2020-ës do të vazhdojë të bëjë bashkë fansat e motorsportit dhe njerëzve që kanë interes të përgjithshëm për sportin ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, jam i etur që të shoh më shumë federata kombëtare që të ndjejnë shpirtin patriotik të eventit dhe të bëhen pjesëmarrëse. Duke përfshirë disiplinat grassroots, të cilat ofrojnë një platformë të arritshme për gjeneratat e ardhshme të konkurrentëve, kjo është shumë e rëndësishme për ne në FIA. Mezi po pres FIA Motorsport Games që do të zhvillohet në Francë”.

Presidenti i Federatës Franceze të Sporteve të Automobilizmit, Nicolas Deschaux tha: “Franca është e lumtur që do të presë Edicionin e 2-të të FIA Motorsport Games në Marsejë në pistën “Paul Ricard” ku zhvillohet edhe Çmimi i Madh i Francës në Formula 1. Në vendin tonë, ky event unik dhe inovator, do të nxjerrë përsëri në pah shumëllojshmërinë e motorsportit me disiplinat ku do të garohet, nga Circuit Racing, Karting, Drifting te Digital Motor Sport. Nën kujdesin e njohurive të SRO Motorsport Group, FIA Motorsport Games do të bashkojë pilotë dhe ekipe nën ngjyrat e flamujve të tyre kombëtar. Sigurisht, bota e motorsportit do të tronditet nën ritmin e Rivierës Franceze gjatë fundjavës!”

Ndërsa themeluesi dhe Drejtori Ekzekutiv i SRO Motorsports Group, Stéphane Ratel u shpreh: “Edicioni i parë i FIA Motorsport Games i tejkaloi të gjitha pritshmëritë, kështu që unë jam i kënaqur që ne tani konfirmojmë vendin dhe datat për edicionin e këtij viti. Marseja është një qytet i lavdishëm në një pjesë spektakolare të Francës dhe jam i sigurt se do të bëjë të mundur një event ideal. E njëjta gjë mund të thuhet për pistën “Paul Ricard”, e cila është një vend i vërtet garash i klasit botëror me lehtësi të shkëlqyera. Tashmë, fokusi ynë është që ta bëjmë FIA Motorsport Games 2020 një event më të suksesshëm se sa Edicioni i 1-rë. Me përcaktimin e vendit ku do të zhvillohet ky edicion dhe disiplinat e reja që do të shtohen, besoj se jemi në rrugën e duhur për ta arritur këtë”.

Në fund, Drejtori Ekzekutiv i pistës “Paul Ricard”, Stéphane Clair tha: “Jemi shumë të lumtur që të presim edicionin e radhës të FIA Motorsport Games. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme përputhet përfundimisht me strategjinë dhe vullnetin tonë për të parë drejt së ardhmes në prag të ditëlindjes së 50-të të pistës. Unë jam i sigurt se ne do të ofrojmë një vend të përshtatshëm për disiplinat e ndryshme dhe se të gjitha vendet e ftuara do të gjejnë një mjedis të përshtatshëm për të shkëlqyer. Gjithashtu, ne kemi nisur punën për të dhënë më të mirën tonë për eventin e Tetorit”.

RRETH FIA-s

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit është organi drejtues i motorsportit botëror dhe drejtuese e organizatave botërore udhëheqëse në fushën e automobilizmit. E themeluar në 1904-ën, FIA ka anëtare të saj 240 organizata sportive dhe klube të automobilit nga më shumë se 144 shtete. Për sa i përket motorsportit, FIA administron rregullat dhe rregulloret për të gjitha sportet ndërkombëtare me katër rrota, duke përfshirë këtu Formula 1 dhe FIA World Rally Championship.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here