FIA lançon Regjistruesin e ri të të Dhënave të Aksidenteve me kosto të ulët

0
407

Zhvillimi i madh i sigurisë do të përmirësojë hetimin e aksidenteve dhe në fund të fundit do të ndihmojë në uljen e aksidenteve fatale në disiplinat bazë të motorsportit në të gjithë botën.

FIA ka zhvilluar një Regjistrues të ri të të Dhënave të Aksidenteve (IDR) me kosto të ulët, gjë që është një zhvillim i madh në përpjekjen e saj për të reduktuar aksidentet fatale në të gjithë botën dhe për të përmirësuar sigurinë në disiplinat bazë të motorsportit.

Pajisja e re IDR e krijuar nga Departamenti i Sigurisë së FIA-s në bashkëpunim me AiM Technologies në Mbretërinë e Bashkuar, kushton vetëm një pjesë të çmimit aktual të Regjistruesit të të Dhënave të Aksidentit (ADR), i cili përdoret në kampionatet elitare të FIA-s siç janë Formula 1 dhe Kampionati Botëror Rally. Për shkak të kostos së ADR-së, këto pajisje janë aktualisht në më pak se 1% të makinave të garave në të gjithë botën.

FIA inkurajon të gjitha Autoritetet Kombëtare Sportive që të përfshijnë pajisjen e re në kampionatet e tyre bazë të motorsportit. Zv/Presidenti i FIA-s për Sportin, Graham Stoker tha: “Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të përmirësuar sigurinë në disiplinat bazë të motorsportit në të gjithë botën. Ne kemi krijuar një regjistrues të përballueshëm të të dhënave duke përdorur teknologji moderne që mund të përdoret në çdo kampionat dhe duam që të gjithë në piramidën e motorsportit ta vendosin këtë në automjetet e tyre të garave. Përfundimisht, përdorimi i një IDR duhet të bëhet pjesë e sistemit të sigurisë së makinës, njëlloj si vendosja e dorezave ose mbajtja e helmetës”.

Një nga objektivat kryesore të Departamentit të Sigurisë së FIA-s është të mësojë përmes studimit të aksidenteve të rënda se si të zvogëlohet rreziku i dëmtimeve fatale dhe ta bëjë këtë që studiuesit të mbështeten në të dhëna për të përcaktuar mënyrën më efektive për të përmirësuar mbijetesën.

Të dhënat e grumbulluara nga FIA për sa i përket aksidenteve në të gjithë botën, tregojnë se 99% e aksidenteve fatale ndodhin në nivelin amator të motorsportit dhe aty nuk ka regjistrim të të dhënave nga aksidentet. Kjo e bën shumë të vështirë arritjen e një kuptimi të hollësishëm të momentit të aksidentit, ndërsa tashmë synohet që të mësohet nga një aksident për të përmirësuar sigurinë për të ardhmen.

Kjo është arsyeja pse Departamenti i Sigurisë së FIA-s zhvilloi një produkt që mund të regjistrojë lehtësisht të dhëna për të analizuar aksidentet dhe e gjithë kjo me një kosto shumë të ulët për eventet. Gjithashtu, kjo pajisje është projektuar që të jetë e lehtë për t’u instaluar dhe mund të vendoset pa nevojën e një suporti të veçantë teknik.

Rezultati është një pajisje e vogël dhe e re me përmasa vetëm 6 cm dhe peshë 12 gram, që nuk ndikon fare te piloti. E vendosur në një shtresë të zgjuar polimeri, IDR nuk kërkon instalime elektrike ose montime dhe vetëm ngjitet. Nuk kërkohet mirëmbajtje dhe bateria e saj e brendshme është e aftë të regjistrojë mbi 80 incidente gjatë jetëgjatësisë së saj dy-vjeçare. Pajisja regjistron menjëherë të gjitha të dhënat e goditjes së nivelit të lartë G dhe është programuar gjithashtu për të kapur të gjitha të dhënat e goditjeve sekondare.

IDR është pjesë e një sistemi që do të përfshijë një aplikacion celulari të sigurt, duke lejuar që të dhënat e goditjeve të shkarkohen nga IDR, të ruhen të sigurta në një server cloud dhe më pas të shpërndahen te Autoriteti Kombëtar Sportiv që ka pajisjen në pronësi. Aplikacioni i mundëson përdoruesit që jo vetëm të shkarkojë të dhënat e përplasjes, por gjithashtu të shfaqë informacione shtesë siç janë detajet e pilotit, detajet e automjetit, fotografitë e incidenteve dhe informacione shtesë. Funksionaliteti i raportimit i ofruar nga aplikacioni lejon ASN-të të sigurojnë një pamje më të mirë të çdo aksidenti përmes raportimit më të plotë të aksidentit dhe informacionit shoqërues të përplasjes, të gjitha të ruajtura në një bazë të të dhënave.

IDR-të u ofrojnë shumë përfitime ASN-ve, administruesve të pistave dhe pilotëve duke përfshirë mundësinë e reduktimit të kostove të sigurimit, më shumë kohë gjurmimi dhe identifikimin e trendeve që mund të çojnë në përmirësimin e makinave, të pistave apo elementeve të sigurisë.

Drejtori i Sigurisë së FIA-s, Adam Baker tha: “Duke përdorur përparimet e fundit të elektronikës së konsumit, ishim në gjendje të arrinim në një pajisje me kosto shumë të ulët, duke bërë të mundur përshtatjen në shkallë të gjerë në kompeticionet bazë të motorsportit. Ne inkurajojmë të gjitha Autoritetet Kombëtare Sportive që të integrojnë këtë regjistrues të ri inovativ të të dhënave në gamën e pajisjeve të tyre të sigurisë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here