Eventi i rëndësishëm i FIA-s nis në Tiranë me CEZ Board Meeting, Presidenti Jean Todt nesër në Shqipëri

0
837

Ka nisur zyrtarisht sot në Tiranë, eventi më i rëndësishëm i motorsportit i mbajtur ndonjëherë në vendin tonë. FIA Sport Regional Congress 2019 do të zhvillohet gjatë këtyre tre ditëve në Shqipëri ku pritësi i këtij eventi është Automobile Club Albania.

Gjithçka nis sot mbasdite me CEZ Board Meeting. Presidentët dhe Sekretarët e Përgjithshëm të Autoriteteve Kombëtare Sportive, anëtare të Zonës së Evropës Qendrore (CEZ), mblidhen në një takim bordi ku miratohen fituesit e kampionateve të disiplinave të ndryshme gjatë këtij viti si edhe diskutohet dhe miratohet kalendari i garave për 2020-ën.

Nesër që është dita e dytë e eventit do të zhvillohet FIA Sport Regional Congress. Gjatë kësaj do të ketë diskutime lidhur me zhvillimet më të fundit në motorsport, takime pune dhe ndarje eksperiencash. Gjithashtu, siguria në motorsport është një tjetër pikë shumë e rëndësishme që do të diskutohet. “Women in motorsport”, “Siguria në Rally” dhe “Drifting” janë disa prej temave të takimeve që do të zhvillohen nesër.

Me rastin e këtij eventi të rëndësishëm ndërkombëtar, do të mbërrijë nesër në Shqipëri edhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, z.Jean Todt, i cili vjen njëkohësisht edhe si i Dërguari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Sigurinë Rrugore. Todt do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit në vendin tonë.

Gjithçka do të kulmojë në datën 14 Dhjetor ku do të zhvillohet “FIA CEZ Prize Giving Ceremony 2019” dhe “Gala Dinner” duke nisur nga ora 19:00 në “MAK Albania Hotel”. Ceremonia e ndarjes së çmimeve është eventi më i rëndësishëm i motorsportit që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri deri tani. Do të shpërndahen çmime për rreth 160 pilotë që kanë garuar gjatë këtij viti në 12 disiplinat e kampionateve të vlefshme për zonën sportive të njohur dhe miratuar nga FIA, Central European Zone (CEZ FIA).  Autocross, Circuit, Circuit Endurance, Cross Country, Drifting, Rally, Karting, Hill Climb, Historic Hill Climb, Historic Rally, Slalom dhe Rallycross janë disiplinat sportive. Gjithashtu, do të ketë çmime speciale edhe për femrat, talentin e vitit dhe trofeu i kombeve. Një mbrëmje Gala për herë të parë në Shqipëri, ndërsa do të jetë i pranishëm dhe do të shpërndajë çmime edhe presidenti i FIA-s, Jean Todt. Një event shumë i rëndësishëm vjetor për motorsportin, ndërsa këtë vit do të ketë fatin që ta mirëpresë Shqipëria.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here