Auto Club Albania në Konferencën e 3-të Botërore për Sigurinë Rrugore

0
616

Java që ka nisur do të jetë shumë e rëndësishme për sa i përket sigurisë rrugore nëpër botë. Në datat 19 dhe 20 Shkurt 2020 do të zhvillohet në Stokholm të Suedisë “Konferenca e 3-të Ministrore Botërore për Sigurinë Rrugore”. “Arritja e qëllimeve botërore 2030” është tema e kësaj konference shumë të rëndësishme ndërkombëtare. Në këtë event përfaqësohet edhe Automobile Club Albania me Presidentin e saj, Niko Leka dhe anëtarin e Bordit, Eno Zeneli.

Takimi i partnerëve të Aleancës Lindore për Transport të Sigurt dhe të Qëndrueshëm (EASST)

Që prej 2017-ës, Auto Club Albania është partner zyrtar i Aleancës Lindore për Transport të Sigurt dhe të Qëndrueshëm (EASST). Dhe kjo Aleancë ka vendosur që takimin e përvitshëm të partnerëve të saj ta zhvillojë sot në Stokholm, dy ditë përpara Konferencës Ministrore. “Takimi ynë vjetor i partnerëve ofron një mundësi për t’u bashkuar, për të shkëmbyer përvoja, për të diskutuar strategjinë dhe për të mësuar nga njëri-tjetri. Është një kohë kur partnerët rinovojnë lidhjet e tyre, shkëmbejnë aftësitë dhe praktikat më të mira, diskutojnë pengesat e zakonshme dhe mësojnë se si të përmirësojnë rezultatet e tyre. Këtë javë në Stokholm, në kuadrin e ‘Konferencës së 3-të Ministrore Botërore për Sigurinë në Rrugë’, ne do të ofrojmë shumë mundësi që partnerët të ndajnë eksperiencat dhe metodologjitë, duke i bërë projektet dhe iniciativat e tyre më efektive. Kur mësojmë nga njëri-tjetri, partnerët tanë janë në gjendje t’u tregojnë autoriteteve lokale dhe ministrave të qeverive shembuj specifikë të projekteve të suksesshme diku tjetër dhe kjo i ndihmon ata të mbrojnë ndryshimin dhe ndërtojnë besim në aftësinë e tyre”, bën të ditur EASST në njoftimin e saj.

Sot është zhvilluar takimi mes partnerëve ku ndër të tjera është lançuar edhe fushata “This is my Street”, një aksion për rrugë të sigurta dhe të shëndetshme, si edhe për rininë dhe klimën. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe anëtari i Bordit të Auto Club Albania, Eno Zeneli, i cili ka mbajtur edhe diskutimin e tij. Kujtojmë që Klubi i Automobilit të Shqipërisë organizon prej nëntë vitesh radhazi Konkursin Kombëtar Edukativ “Të Sigurt mbi Dy Rrota”, që synon pikërisht edukimin e fëmijëve 10-12 me rregullat e qarkullimit rrugor.

Konferenca Ministrore Botërore për Sigurinë Rrugore

Qeveria Suedeze do të presë këtë konferencë botërore, ndërsa ka edhe mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetit. Në këtë konferencë do të marrin pjesë delegacione shtetërore nga më shumë se 100 shtete, si edhe përfaqësues të agjensive ndërkombëtare, organizata të shoqërisë civile dhe sektorit privat. Tema e Konferencës është “Arritja e qëllimeve botërore 2030”.  Pas Moskës (2009) dhe Brazilit (2015), konferenca do të jetë një mundësi për delegatët të ndajnë sukseset dhe mësimet nga zbatimi i Planit Global për Dekadën e Aksionit për Sigurinë Rrugore 2011-2020: njohjen e udhëzimeve strategjike të ardhshme për sigurinë rrugore deri në 2030 dhe më gjerë. Gjithashtu, do të përcaktohen mënyra për të përshpejtuar veprimet në strategjitë e provuara për të shpëtuar jetë. Gjatë ditëve në vazhdim do t’iu informojmë për punimet e kësaj konference shumë të rëndësishme ndërkombëtare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here